Banner

Tryezë pune nga NDI për Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik

Kryefaqja » Uncategorized » Tryezë pune nga NDI për Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik
Kryetari

Në vijim të takimit të zhvilluar në muajin dhjetor 2025, më 17.02.2026 u organizua në Tiranë me mbështejen e Institutit Kombëtar Demokratik (National Democratic Institute – NDI) një tryezë pune për Nënkomisionin Parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, me fokus harmonizimin e punës mes dy institucioneve me qëllim dhe rritjen e zbatueshmërisë së gjetjeve të auditimit dhe forcimin e llogaridhënies në menaxhimin e financave publike.

Në takim morën pjesë kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, znj. Milva Ekonomi, kryetari i Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, z. Igli Cara si dhe anëtarë të tij, përfaqësues të KLSH-së, NDI-së etj. Gjithashtu, në tryezë ishin të pranishëm një përfaqësues nga Delegacioni i BE-së për “Kapitullin 32”, si dhe përfaqësuesi i SIGMA/OECD, z. Alastair Swarbrick dhe përfaqësues i NDI, z. Anthony Staddon.

Takimi u hap nga Drejtuesja e NDI Albania, znj. Ana Kovacevic Kadovic, e cila theksoi se në vijim të diskutimeve të mëparshme nevojitet krijimi i një qasjeje të përbashkët për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe rritjen e zbatueshmërisë së rekomandimeve të raporteve të auditimit.

Në takim u diskutua mbi zbatimin e mekanizmave praktikë të bashkëpunimit ndërinstitucional midis Nënkomisionit dhe KLSH-së duke u bazuar në standardet ndërkombëtare dhe kuadrin ligjor shqiptar. Përfaqësuesit nga SIGMA/OECD dhe NDI paraqitën disa nga praktikat e mira për një bashkëpunim efektiv midis Parlamentit dhe KLSH-së, duke u fokusuar në mekanizma praktikë, përzgjedhjen e një raporti auditimi për shqyrtim, hapat konkretë për ndjekjen e rekomandimeve të auditimit etj. Ata theksuan se dëgjesat publike janë instrumenti kryesor i llogaridhënies publike dhe se forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve në funksion të mbikëqyrjes parlamentare efektive dhe me ndikim publik mbetet prioritet edhe në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo tryezë shërbeu gjithashtu për të përcaktuar prioritetet e punës në vijim të Nënkomisionit dhe për të forcuar transparencën në proceset mbikëqyrëse.


E-mail zyrtar