"Reagim i KLSH-së mbi pasigurinë në plazhe!"

26.06.2019

Të nderuar taksapagues,

blue flagMarrë shkas nga rastet tragjike të humbjes së jetëve të pushuesve në plazhet shqiptare, që në fillim të sezonit dhe duke shprehur ngushellime per familjaret e tyre, dëshirojmë të risjellim në vemendje auditimin e performancës "Menaxhimi i plazheve publike".

KLSH ka kerkuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe bashkitë që të nderhyjnë ne aktet ligjore qe përgjegjës për kontraktimin e vrojtuesit të plazhit të jetë autoriteti vendor, pra bashkia (jo stacioni i plazhit që e neglizhon) dhe që kostoja e vrojtuesit të plazhit të përfshihet në tarifën për dhënien me qira të stacioneve të plazhit.

Po ashtu, kemi rekomanduar që të përcaktohet institucioni përgjegjës për licencimin dhe trajnimin e vrojtuesit. Lypset edhe ndryshimi i aspekteve teknike: jo për çdo 250 m, por për çdo 100 m të ketë vrojtues plazhi, për të mbuluar me eficiencë monitorimin e pushuesve, pasi sipas studimeve shkencore, sugjerohet se gjerësia më optimale e plazhit për t’u vrojtuar nga vrojtuesi është 106 m, distanca më optimale nga bregu deri në det është 98 m dhe distanca më e largët për të vrojtuar është 85 m. Përgjatë bregdetit shqiptar do të duhen rreth 5000 vrojtues plazhi, një statistikë kjo mjaft optimiste për punësimin e të rinjve shqiptarë gjatë sezonit veror.

PROBLEMATIKAT E KONSTATUARA

Në aspektin teknik, konstatohet se:

Së pari: VKM Nr. 369, datë 18.5.2016  e ve theksin më shumë tek ekzistenca e një kulle vrojtimi, sesa tek vrojtuesi i plazhit vet. Vrojtuesi i plazhit rezulton të jetë “aksesor” i kullës, e për rrjedhojë theksi duhej vënë tek profili i vrojtuesit, i cili duhet të ketë pajisjet përkatëse logjistike.  Kështu, është konstatuar në terren që në mënyrë improvizore disa stacione plazhe të ngrenë kulla vrojtimi të cilat janë bosh, për të përmbushur në dukje një detyrim ligjor.

Së dyti: Kulla e vrojtimit, me gjatësi 3m dhe për çdo 200–250 metra plazh nuk rezulton të jetë eficiente duke cenuar aftësinë e vrojtuesit për të monitoruar pushuesit dhe shpëtuar jetën në rastet e rrezikut të mbytjes. Sipas një studimi të bërë në Australi , një shtet i spikatur ndërkombëtarisht në këtë fushë, ku shpëtohen 5000 pushues për sezon nga vrojtuesit e plazhit , sugjerohet se gjerësia më optimale e plazhit për t’u vrojtuar nga vrojtuesi është 106 m, distanca më optimale nga bregu deri në det është 98m dhe distanca më e largët për të vrojtuar është 85m.

Në aspektin juridik, konstatohet se :

Së pari: Vrojtuesi i plazhit nuk njihet  si profesion. Paqartësia dhe vakuumi ligjor që krijon baza rregullatore konsiston në faktin se ka caktuar një standard për vrojtues pa patur një institucion certifikues dhe një akt ligjor që rregullon profesionin e vrojtuesit të plazhit.  VKM nuk përcakton se cilat janë institucionet përgjegjëse për trajnimin, kualifikimin dhe licencimin e vrojtuesit për të shpëtuar jetë. Duke qenë se është një profesion tepër specifik dhe me përgjegjësi të lartë, sepse lidhet me shpëtimin e jetës dhe në vende si SHBA dhe Europë kërkon ndjekjen  e një trajnimi rigoroz, ekzistenca e instituteve përkatëse për trajnim dhe licencim duhet ishte hapi kryesor.

Së dyti: Të gjitha kushtet e sigurisë, përfshirë mbrojtjen e jetës njerëzore, për të cilën duhet të jetë garant një autoritet shtetëror, ia cakton si detyrim stacionit të plazhit, të cilët për shkak të kostos, nuk kontrakton vrojtues plazhi dhe në shumë raste, sipas konstatimeve të AKB, janë trajnuar dhe certifikuar vetë pronarët e subjekteve, duke sjellë fiktivitet në punësimin e vrojtuesve të plazhit.  Kjo praktikë ka rezultuar e dështuar dhe me kosto fatale për jetët e pushuesve.

Së treti: Në rastet kur shënohen mbytje të pushuesve, nuk përcaktohet se çfarë përgjegjësie ka stacioni i plazhit që s’kontrakton vrojtues apo vet vrojtuesi, veprimi apo mosveprimi i të cilit nuk ka rezultuar në shpëtimin e jetëve të pushuesve. Në Greqi, profesioni i vrojtuesit të plazhit rregullohet me një sërë aktesh ligjore, përfshirë edhe Kodin Penal, ku parashikohet një vepër penale e posaçme për vrojtuesin, i cili në rastet e mbytjeve në plazh, mosveprimi  apo veprimi i tij është i dënueshme me burg.

Rekomandimet e KLSH  për të rregulluar çështjen e vrojtuesit të plazhit:

1. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me AKB,  të ndërmarrë hapat e nevojshme për hartimin e një akti ligjor për të rregulluar profesionin  e vrojtuesit të plazhit.

2. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, deri në miratimin e një ligji mbi rregullimin e profesionin të vrojtuesit të plazhit, të ndryshojë nenin 6, të VKM Nr. 369, datë 18.5.2016 “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e Ushtrimit të veprimtarisë së Stacionit të plazhit” si më poshtë:

• Përgjegjës për kontraktimin e vrojtuesit të plazhit të jetë autoriteti vendor, bashkia (jo stacioni i plazhit).Kostoja e vrojtuesit të plazhit të përfshihet në tarifën për dhënien me qira të stacioneve të plazhit.
• Të përcaktojë shprehimisht mënyrën dhe institucionin përgjegjës për licencimin dhe trajnimin e vrojtuesit.
• Për çdo 100 m të ketë vrojtues plazhi, për të mbuluar me efecient monitorimin e pushuesve.

Rekomandimet e KLSH-së, për çështjen e vrojtuesit, të lëna vitin e kaluar, ende nuk kanë marrë vemendjen e duhur nga institucionet pergjegjese duke sjellë për pasoje qe ne plazhet shqiptare te mos garantohet siguria dhe jeta e pushuesit.