Zyra e Auditimit Suprem të Polonisë Tradita dhe Bashkëkohësia

kopertina zyra e auditimit_001_copy_2  Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë (NIK) është një institucion i fuqishëm i auditimit modern, me peshë të madhe si brenda vendit, ashtu dhe në komunitetin e institucioneve supreme të auditimit (SAI-ve) në botë, në veçanti në organizatat ndërkombëtare INTOSAI dhe EUROSAI.

Pas vitit 1992 nga drejtuesit e të dy institucioneve janë bërë përpjekje për bashkëpunim por bashkëpunimi mes NIK dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit u institucionalizua dhe u fuqizua nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Presidentin Jacek Jezierski në korrik të vitit 2012. Kjo marrëveshje u zbatua me sukses në periudhën në vijim dhe janë me dhjetëra audituesit e KLSH-së që kanë përfituar trajnime për auditimin e performancës, auditimin financiar, të përputhshmërisë, të teknologjisë së informacionit, etj. Të shumta kanë qenë vizitat bilaterale, shkëmbimet e ndërsjella të eksperiencave, etj., gjate viteve 2012-2018.

Ky bashkëpunim, arriti pikën kulmore pikërisht me implementimin nga NIK dhe nga SAI- i Kroacisë të Projektit të Binjakëzimit IPA 2013 “Fuqizimi i kapaciteve të Auditimit të Jashtëm Publik ne Shqipëri”.

Në më shumë se 27 muaj, Projekti i Binjakëzimit realizoi në praktikë auditime pilot financiare, të performancës dhe të teknologjisë se informacionit. Ekspertët dhe audituesit polakë i ndihmuan audituesit e KLSH të thelloheshin në qasjet e tyre në auditim, në gjetjet dhe rekomandimet, si dhe në mesazhet kryesore të auditimit. Ekspertët polakë na kanë ndihmuar të përmirësojmë rregulloret tona, si dhe të hartojmë procedura të brendshme dhe manuale, duke punuar se bashku me ne në hartimin e planeve dhe programeve të auditimit, në analizën e rezultatet paraprake, duke na sugjeruar qasje dhe forma se si të hartohet më me efektivitet raporti i auditimit, në mënyrë të tillë që të zgjojë interesimin e vendim-marrësve dhe të opinionit publik.

Sot NIK-u transmeton dije jo vetëm mbi gjetjet dhe korrigjimin e parregullsive në administrimin e fondeve publike, por edhe promovon praktikat e mira dhe ndihmon në ndërtimin e Shtetit të së drejtës në Poloni. Për më tepër, sot ai e ndan këtë përvojë veçanërisht me partnerët e tij në Europë dhe më gjerë. Audituesit e tij ndihmojnë demokracitë e reja të përgatiten për përmbushjen e rolit të organit të pavarur suprem të auditimit publik dhe padyshim është një shembull tek i cili referohemi ne si auditues të KLSH-së.

Ne në KLSH kemi përkthyer dhe kemi bërë pjesë të kolanës së botimeve të institucionit (e cila ka aktualisht 90 tituj dhe deri ne fund të vitit 2018 do të ketë 100 botime) edhe librin “100 Simbolet Polake”, të cilin zgjodhëm ta botojmë, ashtu sikurse edhe botimin që po paraqesim aktualisht tek lexuesit “Historiku i NIK”, në shenjë mirënjohje, në shenjë të mbështetjes së pakursyer, pa rezerva dhe pa paragjykime që na kanë dhënë drejtuesit dhe audituesit e NIK në vite. Në emër të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në respekt të popullit mik polak dhe ndjenjave të miqësisë reciproke dhe bashkëveprimit mes dy vendeve tona, ia dedikojmë këtë libër kontributit të jashtëzakonshëm të Presidentit aktual të NIK-ut, z. Krzysztof Kwiatkowski, ish-Presidentit të NIK-ut polak, sot Këshilltar i Lartë i Presidentit të NIK-ut, z. Jacek Jezierski, Zv/Presidentit të NIK-ut, z. Wojciech Kutyla dhe të gjithë audituesve të NIK, që kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2012-2018.

Për më shumë lexoni botimin "Zyra e Auditimit Suprem të Polonisë Tradita dhe Bashkëkohësia"