Zhvillohet analiza vjetore e Departamentit te Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes se Mjedisit.

Sot në ambientet e KLSH është zhvilluar analiza e vitit 2013 për Departamentin e Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit. Në këtë analizë mori pjesë dhe Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj, Drejtori i Përgjithshëm zj. Helga Vukaj, Sekretari i Përgjithshëm zj. Luljeta Nano si dhe Drejtori i Drejtorisë Juridike, Kontrollit të Cilësisë dhe Analizës së Riskut z. Ermal Yzeiraj.

Gjatë fjalës së hapjes së Drejtorit  të Departamentit z. Xhafer Xhoxhaj, ju bë një përmbledhje e veprimtarisë audituese  dhe më gjerë të Departamentit, duke u përqendruar kryesisht në plotësimin e programit vjetor të auditimit, rezultatet e tyre të shprehura në rekomandime për përmirësime e ndryshime ligjore, masat organizative, ato administrative dhe disiplinore, masat për shpërblimin e dëmit sëbashku me vlerën e tyre, rastet dhe numri i kallëzimeve penale, si dhe marrëdhëniet me Departamentin e Administratës Publike. Gjithashtu z. Xhoxhaj u ndal dhe në veprimtarinë e audituesve të departamentit ne drejtim të analizës dhe shqyrtimit të  kërkesë-ankesave, pjesëmarrje në trajnime, cilësinë e auditimit, zbatimin e kodit etik si dhe vlerësimin e veprimtarisë së secilit auditues.

Në vijim për raportin e analizës së veprimtarisë për vitin 2013 ju dha fjala z. Gjovalin Preçi, Kryeauditues në këtë Departament. Për vitin 2013 rezultoi se nga 31 auditimet e realizuara dhe të evaduara, ju përkasin 14 shoqërive publike (përfshirë dhe ente, institucione, autoritete etj.) 10 projekteve me financime të huaja, 5 ente mjedisore si dhe zbatimi i rekomandimeve për vitin 2012 dhe 2013. Rezultatet e auditimeve të këtyre subjekteve kanë evidentuar nevojën e rekomandimit të masave për përmirësime të infrastrukturës ligjore, për mirëmenaxhimin e aktivitetit nëpërmjet masave organizative, për parandalimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës në keqadministrimin e fondeve dhe pasurisë publike dhe procedurave të prokurimit, duke i kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik marrjen e masave administrative dhe autoriteteve respektive të subjekteve dhënin e masave disiplinore, si dhe në rastet e shpërdorimit të detyrës nuk kanë munguar dhe kallëzimet penale. Veç këtyre, në shumë raste është Njoftuar Departamenti i Administratës Publike lidhur me individë të veçantë të cilët kanë rezultuar me përgjegjësi nga auditimet e realizuara dhe nuk kanë qenë në marrëdhënie pune me këto subjekte. Në mënyrë të përmbledhur, për të gjitha subjektet janë rekomanduar 6 masa për përmirësime ligjore, 523 masa administrative, 50 masa për shpërblim dëmi dhe 303 masa disiplinore dhe administrative, pra gjithsej 882 masa të rekomanduara. 
KLSH ka praktikuar njoftimin e DAP për 13 persona në 5 subjekte, të cilët kanë rezultuar se nuk kanë qenë në marrëdhënie pune, për të rekomanduar masa disiplinore ndaj tyre, si dhe në një rast i është drejtuar IDKP për vlerësimin e konfliktit të interesit për një zyrtar të Ministrisë së Transporteve.
Masat organizative të dhëna dhe të kërkuara për janë realizuar 82.3%. Nga masat disiplinore të dhëna dhe të verifikuara janë realizuar 91.5 %, ndërsa dëmi ekonomik i rekomanduar me vlerë 1,840,759.3 mijë/lekë, sipas përgjigjeve të ardhura, subjektet kanë filluar procedurat për ndalimin e 1,833,119.6 mijë lekë.
Gjatë këtij viti ju është kthyer përgjigje ose janë marrë në konsideratë duke i trajtuar gjatë procesit auditues 29 kërkesë ankesa, nga të cilat 18 për çështje të administrimit financiar dhe prokurimeve dhe pjesa e tjetër për çështje ndryshme.
Bazuar në Urdhrin e Kryetarit të KLSH mbi botimet për aktivitetin e KLSH në shtypin e përditshëm, kanë qenë të pranishëm me artikujt e tyre pjesëtarë të Departamentit tonë, duke dhënë një kontribut modest në ngritjen e rolit dhe të prestigjit të institucionit tonë përballë opinionit publik nëpërmjet 15 shkrimeve në gazeta të përditshme të ndryshme.
Sipas të dhënave të Sektorit të Trajnimeve në KLSH, janë realizuar mesatarisht 20 ditë trajnime për secilin auditues në fusha të ndryshme si Vlerësimi i riskut, Standartet e INTOSAI-t, Menaxhimi financiar dhe kontrolli, Materialiteti dhe rrisku, Auditimi i prokurimeve publike, Për projektet me financime të huaja, Auditimin e shoqërive publike etj.

Me interes të veçantë u përcoll fjala e kryetarit të KLSH z. Bujar Leskaj. Në fillim të fjalës së tij, trajtoj rëndësinë e veçantë që marrin auditimet e projekteve me financime të huaja, në kushte e krizës aktuale financiare, si dhe rritjen e përgjegjshmërisë audituese në këtë drejtim. Veprimtaria audituese kërkon dije dhe përkushtim, gjë që duhet të jetë më e pranishme tek të rinjtë, vuri në dukje z. Leskaj. Duke trajtuar çështjet e veçanta të procesit auditues, z.Leskaj theksoj nevojën e përditësimit të vazhdueshëm të njohurive mbi standardet, infrastrukturën ligjore, njohjen dhe përvetësimin e botimeve të KLSH etj. Në qendër të vëmendjes u sollën rastet e trajtimit të programit dhe të afatit të auditimit si një proces dinamik, në zhvillim të vazhdueshëm. Gjithashtu, në vijim u theksua rëndësia e trajtimit me rigorozitet e observacioneve të subjekteve të audituara dhe takimit përmbyllës në zyrat e KLSH. Në fund të fjalës së tij z. Leskaj qartësoj se rezultatet e arritura nuk lënë vend për vetëkënaqësi. 

Gjatë diskutimeve të zhvilluara, audituesi i lartë z. Shefki Jaupi trajtoj në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e rritjes së cilësisë së auditimit në kushtet aktuale të veprimtarisë audituese, kryesisht nëpërmjet hartimit të pyetësorëve dhe testiteve për fusha të veçanta, formularëve statistikorë etj.

Më pas e mori fjalën z. Ermal Yzeiri, i cili bëri një përmbledhje të problemeve që kanë rezultuar nga kontrolli i cilësisë së dosjeve të evaduara gjatë këtij viti kryesisht në lidhje me pamjaftueshmërinë e informacionit paraprak për subjektet e audituara, rëndësinë e analizës së riskut, njohjen e bazës ligjore,  hartimin e procesverbaleve, trajtimin e observacioneve etj.

Duke përfunduar, Drejtori i Departamentit z. Xhoxhaj theksoj se: Arritjet e mësipërme janë një bazë e shëndoshë për të përballuar sfidat e auditimit në kushtet e reja të zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit, pritshmëritë e parlamentit dhe të opinionit publik, për të çuar më tej vlerat themelore të Kontrollit të Lartë të Shtetit: pavarësinë dhe objektivitetin, kompetencën dhe kujdesin, bashkëpunimin dhe sinqeritetin, ndershmërinë dhe integritetin, të cilat do të jenë të mishëruara në formimin dhe veprimtarinë e audituesve tanë. Kjo do të ishte e pamjaftueshme në se nuk do të shoqërohet me një monitorim të rreptë, të gjithanshëm dhe të vazhdueshëm të të gjithë treguesve për një auditim dhe auditues të shëndetshëm dhe bashkëkohor.