Zhvillohet analiza vjetore e Departamentit te Auditimit të Ardhurave të Buxhetit te Shtetit

Më datë 17 janar 2014 në ambientet e KLSH u zhvillua analiza e vitit 2013 për Departamentin e Auditimit të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit. Në këtë analizë mori pjesë dhe Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj, Sekretari i Përgjithshëm zj. Luljeta Nano si dhe Pergjegjes i Sektorit në Drejtorinë Juridike, Kontrollit të Cilësisë dhe Analizës së Riskut z. Koço Sokoli.

Gjatë fjalës së hapjes të Drejtorit të Departamentit zj. Albana Agolli, ju bë një përmbledhje e veprimtarisë audituese të Departamentit, duke u përqendruar kryesisht në realizimin e programit vjetor të miratuar te auditimit, treguesit për vitin 2013 dhe zbatimi i masave të rekomanduara, të cilat janë me të larta krahasuar me vitin 2012. Gjithashtu zj. Agolli u ndal dhe në veprimtarinë e audituesve të departamentit në drejtim të analizës dhe shqyrtimit të  cilësisë së auditimeve, zbatimin e kodit etik si dhe vlerësimin e veprimtarisë së secilit auditues, pjesëmarrje në trajnime etj. Në vijimësi u paraqitën treguesit e realizuar si më poshtë:
Për vitin 2013 realizimi i planit të auditimeve paraqitet në masën 100 %. Në auditimet e evaduara, nga 20 subjekte gjithsej, 16 prej tyre kanë objekt të veprimtarisë direkte në mbledhjen e të ardhurave të cilat janë; 11 Dege Doganore, 1 Institucion I  administratës qendrore doganore, 3 Institucione të administratës qendrore tatimore, 2 Institucione të administratës tatimore vendore; 2 auditime i përkasin verifikimit të zbatimit të masave të rekomanduara për vitin 2012 dhe 2013 dhe 2 auditime të tjera.

Treguesit e departamentit në vitin 2013; Dëmi ekonomik i rekomanduar 100 % për zhdëmtim (kryesisht mungesë të ardhurash) në vitin 2013 paraqitet në shumën 432 milion lekë. Masat organizative të rekomanduara 160 masa, masa disiplinore 139 masa, 2 propozime për përmirësim të legjislacionit si dhe janë dërguar 2 subjekte (drejtuesit e tyre) në organin e Prokurorise.
Sipas strukturës, pesha e subjekteve me efekte financiare negative, dëm ekonomik prej 432 milionë lekë, kryesisht të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, ka rezultuar në fushën e doganave në shumën 377 milion lekë, në fushën e tatimeve në shumën prej 51 miljon lekë, në sistemin e pagave në shumën 0.7 milion lekë, në prokurimet publike në shumën 1.9 milion lekë, në shpenzimet operative në shumën 1.7 milion lekë.
 Si rezultat i impenjimit, rritjes së përgjegjshmërisë së audituesve, organizimit dhe forcimit të punës në grup, vihet re se është rritur eficenca në punën e departamentit duke patur trend në rritje për realizimin e objektivave, si mënjanim i auditimeve të tipit të inspektimit duke kryer gjerësisht auditime të përputhshmërisë të cilat kanë potencialin për të patur një impakt më të madh dhe rritja e numrit të njësive për auditim që konsiderohen me rrezik të lartë.
Për përmirësimin e punës në të ardhmen nga ky departament janë rekomanduar gjithsej  160 masa organizative të cilat janë vlerësuar 104 ose realizuar në masën
88 %, dhe 113 masa për shpërblimin e dëmit në shumën 432 milion lekë, të cilat janë realizuar në shumën 261 milion lekë ose në masën 60 % të shumës së rekomanduar.

Jane propozuar 139 masa disiplinore dhe 8 masa administrative. Në total realizimi i masave disiplinore dhe administrative paraqitet në masën 60 %. Sipas strukturës masat për largim nga puna, nga shërbimi civil dhe largim nga detyra llogariten 22 masa, kalim në një nivel më të ulët, në 69 masa, gjoba në 8 masa dhe të tjera në 48 masa.
Treguesit e mësipërm flasin për një punë më cilësore në argumentimin e masave të propozuara në raport me gjetjet nga auditimi, në përpjekje për arritjen e objektivit për përcaktimin e drejtë të masave të propozuara ndaj administratës publike.
Gjatë vitit, krahas impenjimeve në auditim është ndjekur me përparësi programi i trajnimeve të organizuar nga Sektori i Trajnimeve ne KLSH. Gjithsej janë kryer 341 ditë trajnimi dhe mesatarja e departamentit është 25 ditë trajnimi në vit për çdo auditues në fusha të ndryshme. U vleresuan arritje pozitive në drejtim të zbatimit të kodit të etikës, si dhe u vleresuan artikujt e shkruara ne shtypin e përditshem dhe  ne Revisten “Auditimi Publik” te KLSH gjate vitit 2013. Ka ardhur në rritje kontributi në thellimin e rolit të institucionit në luftën kundër korrupsionit në përpjekjet e KLSH, për arritjen e objektivit mbi ndikimin dhe këmbënguljen për krijimin e një mjedisi parandalues kundër mashtrimit financiar dhe korupsionit dhe rritjen e rolit të KLSH në luftën kundër korrupsionit bazuar në standardet e INTOSAI dhe standardin ISSAI 1240.

Gjithashtu zj.Agolli u ndal ne auditimet e vleresuara cilësore, por edhe ne ato me rezultate te ulta si në vlerësim të standardeve, por dhe për produktin që kanë dhënë këto auditime në drejtim të dëmit ekonomik të konstatuar. Rezultati i auditimit pra zbulimet nuk duhet të jenë qëllim në vetvete, por ato duhet të motivohen nga vetë shkalla e lartë e korrupsionit dhe mungesa e përgjegjshmërisë në zbatimin e ligjit nga administrata publike dhe pritshmëria e lartë që ka publiku për produktin e KLSH, ku performanca e institucionit tonë është në rritje dhe në përmbushje të detyrës kushtetuese.
Janë trajtuar gjithashtu brenda afateve, pa cënuar punën e përditshme 19 ankesa nga qytetaret.
Krahas arritjeve dhe dobesive te konstatuara ne punen e departamentit iu vu theksi ne kontributin  më pozitiv në arritjen e objektivave. Aktivitete për rritjen e njohurive të stafit per te mundesuar permbushjen e detyrimit te KLSH për të dhënë një opinion për raportin vjetor të konsoliduar të zbatimit të buxhetit të shtetit, të sistemit të kontrollit dhe auditimit të brendshëm, vlerësimi i veprimtarisë së auditit të brendshëm në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në fjalen e tij, kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj, trajtoi rëndësinë e veçantë të analizës vjetore në mbarëvajtjet e punës përcaktimin e problematikave që kanë lindur dhe zgjidhjen e tyre. Veprimtaria audituese kërkon dije dhe përkushtim, gjë që duhet të jetë më e pranishme tek të rinjtë, vuri në dukje z. Leskaj. Duke trajtuar çështjet e veçanta të procesit auditues, z.Leskaj theksoi nevojën e përditësimit të vazhdueshëm të njohurive mbi standardet, infrastrukturën ligjore, njohjen dhe përvetësimin e botimeve të KLSH, leximin dhe thellimin në kulturën e jashtme sidomos për Institucionet Supreme të Auditimit etj. Në vijim u theksua rëndësia e trajtimit me rigorozitet e observacioneve të subjekteve të audituara dhe takimit përmbyllës në zyrat e KLSH. Gjithashtu ju vu theksi tek situata e patolerueshme dhe e veçantë me organet tatimore, të cilat vijojnë të pengojnë audituesit e KLSH të auditojnë, megjithëse Gjykata e Apelit me vendim të formës së prerë, është shprehur pro pozicionit të KLSH. Në fund të fjalës së tij z. Leskaj qartësoi se rezultatet e arritura nuk lënë vend për vetëkënaqësi megjithëse rezultatet nga 6-mujori i parë kanë rritje.

Gjatë diskutimeve të zhvilluara, kryeaudituesi z. Albert Thoma trajtoi në mënyrë të veçantë që  planifikimi vjetor të jetë gjithë përfshirës në Departament, ku të reflektohet kontributi i gjithësecilit sipas standarteve IINTOSAI, problematikë evidentohet mbështetja jo 100% në vlerësimin dhe analizën e riskut gjatë planifikimit sidomos te vlerësimi i riskut të entit të audituar, më shumë duhet kushtuar kohe e vëmendje njohjes paraprake të subjektit për efekt të planifikimit e programimit të drejtimeve të auditimi. Gjatë vitit që po analizojmë është evidentuar se mënyra e trajtimit të gjetjeve kryesisht mospërputhje të shoqëruara me dëm ekonomik nuk është e unifikuar si dhe përcaktimi i mospërputhjeve duhet të vijë në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e standarteve mbi përputhshmërinë.
Më pas e mori fjalen Livan Hoxha, auditues, i cili vuri theksin në:  audituesit duhet të kenë akses në sistemin Asycuda World për të pare dhe vlerësuar paraprakisht importin e mallrave i kryer nga subjektet në auditim, dhe verifikuar vlerën doganore të përcaktuar nga autoritet doganore , e cila sjell shkurtimin e afateve të auditimit dhe ul në mënyrë të pashmangshme koston e auditimit; krijimin e hapësirave të reja për auditimi, përfshire auditimin e sistemit tatimor;  marrja e masave për trajnimin e audituesve, njohjen e legjislacionit që zbaton subjekti.

Artan Mirashi, auditues i larte, në fjalën e tij midis të tjerave theksoi se; subjektet që auditojme Sistemin Doganor dhe Sistemin Tatimor në nivel vendor dhe qendror përpunojnë të dhënat me sisteme kompjuterike, nga ku del i domosdoshëm trajnimi i audituesve në programet aplikative të përdorura si Asycuda World, Oracle dhe programet aplikative të përdorur nga Drejtoritë e Taksave e Tarifave Vendore. Duhet të mendohet edhe për auditimin e sistemeve të IT-së në subjektet e audituara.
Në fjalën e tij z. Koço Sokoli, bëri një përmbledhje të konstatimeve qe rezultuan nga kontrolli i cilësisë së dosjeve të evaduara gjatë këtij viti kryesisht në lidhje me pamjaftueshmërinë e informacionit paraprak për subjektet e audituara, rëndësinë e analizës së riskut, njohjen e bazës ligjore, hartimin e procesverbaleve, trajtimin e observacioneve, mos pasqyrimin e takimeve paraprake e përmbyllës në subjekt, etj.
Duke përfunduar, Sekretarja e Pergjithshme znj. Luljeta Nano theksoi se: Në planifikimin vjetor dhe individual të auditimeve duhet ti kushtohet më shumë rëndësi njohjes paraprake të subjektit dhe të tentojmë që periudha e auditimit të zgjidhet e tillë që gjetjet tona të japim më shumë kontribut në Raportin Vjetor që çojmë në Parlament mbi Buxhetin e Shtetit.