Vizitë studimore në Zyrën Kroate Supreme të Auditimit

Në datat 7-9 Shkurt, Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në vizitën studimore në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, në kuadër të projektit të binjakëzimit “Ngritja e kapaciteteve të auditimit të jashtëm në Shqipëri”, financuar nga Bashkimi Europian.
Takimi mes audituesve shqiptarë dhe kroatë u krye në funksion të auditimit pilot i cili është duke u zhvilluar në Ministrinë e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Ky auditim performance, përveç funksionit primar të matjes së efektivitetit, efiçencës dhe ekonomicitetit të programeve strategjike për zhvillimin e turizmit, do të kontribuojë edhe në plotësimin e hartës së të dhënave mbi zhvillimin e turizmit në rajonin e Ballkanit e më gjerë.
Auditimi pilot mbi zhvillimin e turizmit është kryer më parë nën drejtimin e Zyrës Shtetërorë të Auditimit Kroate në bashkëpunim me vende të tjera si Maqedonia dhe Hungaria. 
Gjatë vizitës studimore, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit prezantuan mënyrën e organizimit të strukturave përgjegjëse për zhvillimin e turizmit, ndryshimet ligjore, efektet e këtyre ndryshimeve ligjore gjatë dekadës së fundit si dhe  etapat në të cilat ka kaluar hartimi i strategjisë kombëtare të zhvillimit të turizmit.

kroaci vizite

Kolegët kroatë shkëmbyen rastet e institucioneve të tyre lidhur me zhvillimin e turizmit duke prezantuar në këtë mënyrë edhe një nga modelet më të mira të turizmit në rajonin e Ballkanit.
Grupi i auditimit nga KLSH i përfaqësuar nga auditueset Znj. Eva Leka dhe Znj. Miranda Berdo, u prit nga drejtuesit kyçë të Ministrisë të Turizmit ku ishin të pranishëm edhe Zv. Ministja e Turizmit, Znj. Olivera Shejbal si dhe Drejtori i  Divizionit të Planifikimit Strategjik dhe Studimit të Tregut nga Bordi Kombëtar Kroat i Turizmit Z. Igor Borojevic. Në këtë mbledhje, Znj. Shejbal theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit në rajonin e Ballkanit duke vlerësuar procesin e auditimit si një proces mbështetës në mirëqeverisje dhe në përmirësimin e performancës së institucioneve publike dhe specifikisht të sektorit të Turizmit.
Gjatë takimit me drejtuesit e departamenteve të ndryshme në Ministrinë e Turizmit Kroate, u bënë prezantime dhe diskutime mbi sfidat dhe objektivat institucionale. Po ashtu, Z. Borojevic informoi grupin e audituesve nga KLSH se shteti kroat është i pari në Ballkan dhe më gjerë që ka ndërtuar dhe po përdor sistemin e deklarimit të turistëve online nga të gjithë njësitë akomoduese në Kroaci.
Zyra Kombëtare e Auditimit në Kroaci bëri të mundur vendosjen e një takimi mes Zv. Drejtorit të Bordit Turistik të Zagrebit dhe grupit të audituesve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili u prezantoi me detaje mënyrën e organizimit të Bordit Turistik të Zagrebit si qytet dhe si qark dhe ndikimin e kësaj zyre në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
Qëllimi i këtij auditimi të përbashkët mes Zyrës Shtetërore të Auditimit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit është shkëmbimi i njohurive, eksperiencave dhe praktikave të mira ashtu si edhe konkluzionet dhe rekomandimet përkatëse në mënyrë që të kontribuojnë në përmirësimin e turizmit.
Rezultati final i këtij auditimi pilot do të jëtë hartimi i raportit të auditimit i cili po kryhet në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i vlefshëm edhe në gjuhën angleze.