Vizitë Studimore e KLSH-së në SAI-n e Malit të Zi

24.12.2018

Në datat 17 dhe 18 dhjetor 2018, një delegacion i Kontrollit të Lartë të Shtetit zhvilloi një vizitë studimore pranë Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi (DRI). Delegacioni në fjalë, kishte në përbërje të tij, si auditues të vjetër dhe me eksperiencë në fushën e auditimit, po ashtu edhe auditues të rinj, të cilët sapo kanë nisur rrugën e gjatë të perfeksionimit të ketij profesioni, por me një të ardhme premtuese në këtë fushë.

Takimi u çel ditën e hënë, më datë 17 dhjetor 2018, në sallën e konferencave të Hotelit “Ramada”, nga z. Zoran Jeliç, Anëtar i Senatit të DRI. Pas fjalës përshëndetëse të Z. Jeliç, fjalën e mori znj. Marija Zugiç, Drejtore e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë, e cila si një audituese me shumë përvojë në këtë fushë, bëri prezantimin me temë “Bashkëpunimi mes DRI-së dhe Parlamentit të Malit të Zi”. Ky prezantim ishte me shumë interes për audituesit e KLSH-së dhe ndezi një seancë diskutimesh, përpara se të vinte rradha e z. Drashko Novakoviç, për të prezantuar punimin e tij me temë “Zbatimi i rekomandimeve të përfshira në raportin e auditimit”. Në fund të fjalës së z. Novakoviç, audituesit shqiptarë dhe homologët e tyre malazezë zhvilluan një diskutim mbi përpilimin e raporteve përfundimtare të auditimit, duke bërë edhe një përmbledhje të të përbashkëtave dhe të dallimeve që ka ky proces në të dy vendet.

malizi vizite

Pas një pushimi të shkurtër dreke, ishte rradha e prezantimit të përgatitur nga përfaqësuesit e KLSH-së. Për audituesit shqiptarë, referoi z. Jonild Hoxha, Auditues i Lartë në KLSH, lidhur me temën “Metodologjia e Auditimit të Investimeve në KLSH”. E veçanta e prezantimit të Z. Hoxha, ishte se në fund të projektit të tij ai kishte përfshirë disa prova fotografike, të marra gjatë auditimeve në të cilat ai kishte qenë pjesë e grupeve të punës. Për këto të fundit, audituesit malazez shprehën shumë interes, madje u ndalën me diskutime të gjata për secilën nga fotot, duke u përpjekur të kuptonin sa më shumë mbi gjetjet e bëra. Në këto kushte, në një situatë shumë pozitive u mbyll dita e parë e aktivitetit. Për të përshëndetur audituesit shqiptarë, nderoi me praninë e tij z. Milan Daboviç, President i Senatit të DRI-së dhe z. Nikola Kovaçeviç, Anëtar i Senatit të DRI-së. Audituesit e KLSH-së patën mundësinë që të diskutonin me Presidentin Daboviç mbi mënyrën e organizimit të DRI-së.

Të nesërmen, në datën 18 dhjetor 2018, aktiviteti nisi nën drejtimin e Anëtarit të Senatit të DRI-së, z. Nikola Kovaçeviç. Zoti Veselin Miloviç, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Shtetit në DRI prezantoi temën “Raporti i Auditimit sipas llojit të auditimit”.  Pas tij ishte rradha e znj. Violeta Kovaçeviç, Drejtuese e Departamentit të Auditimit të Partive Politike që prezantoi temën “Auditimi i raporteve financiare vjetore të entiteteve politike”.
Në këtë vizitë studimore morën pjesë: znj. Nerënxa Llapashtica, z. Genci Kokaj, z. Jonild Hoxha, z. Aleksandër Papadhimitri, znj. Armanda Begaj, z. Dorino Meçe dhe z. Reinis Xhelili.