Tre kampionë të boksit dhe mundjes shqiptare vizitojnë KLSH-në

11.06.2018

Sot më datë 11 qershor 2018, Kryetari i KLSH, z. Bujar Leskaj priti tre legjendat e boksit dhe mundjes shqiptare, z. Ndue Doda, ish-kampion në boks,  z. Ndue Njemza, Mjeshtër i Merituar, i treti në botë në mundje në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Atlanta, Xhiorxhia, SHBA, në vitin 1995, si dhe z. Elis Guri, Kampion Botëror, fitues i Medaljes së Arit në kampionatin botëror të mundjes në vitin 2011 në Stamboll, Turqi.

boks1

Nga e majta në të djathtë: z. Elis Guri, z. Ndue Doda, z. Bujar Leskaj dhe z. Ndue Njemza

Z. Leskaj vlerësoi kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në sportin shqiptar, si patriotë dhe sportdashës të vërtetë. “Ju jeni ambasadorët e dëshirës fisnike dhe dinjitoze të qytetarëve të këtij vendi për një sport zemre, të papërlyer me interesa okulte. Ju keni ngritur lart figurën e sportistit shqiptar ndër vite”, u shpreh ai.

boks2

Më tej, kampionët diskutuan me Kryetarin e KLSH për problematikat e sportit shqiptar, në veçanti në disiplinat e mundjes dhe boksit. Emblemat e sportit Njemza, Doda dhe Guri falenderuan z. Leskaj për vlerësimin ndaj tyre dhe përmendën ndihmesën e tij për sportin shqiptar, gjatë periudhës 2005-2007, kur Kryetari i KLSH shërbeu si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe për suportin e vazhdueshëm gjatë viteve në vijim.

boks3