Tiranë, më 25.10.2018 KLSH organizon Muajin e Hapur për Qytetarët

22.10.2018

Mbështetur në standardin ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit, ISSAI 12, “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit- të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve” dhe me qëllim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët, si edhe në kuadër të transparencës dhe njohjes së ndërsjellë të punës mes Departamenteve të auditimit në institucion dhe në zbatim të Strategjisë së Komunikimit të Institucionit për periudhën 2017-2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit organizon Muajin e Hapur për Qytetarët, në datat 25 Tetor- 14 dhjetor 2017.

Duke vlerësuar misionin e tij si agjent i publikut dhe i Kuvendit, për përdorimin me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të burimeve dhe fondeve publike, KLSH synon forcimin e besimit të qytetarit dhe publikut në tërësi, nëpërmjet njohjes më nga afër të veprimtarisë se tij, auditimeve dhe rezultateve të auditimeve, si dhe partneritetet qe ka krijuar brenda dhe jashtë vendit për te përmirësuar qeverisjen publike, duke u përpjekur të luftojë korrupsionin.

Gjate këtij muaji, qytetarët që do të vizitojnë mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit do të mund të njihen me historikun dhe arritjet e institucionit në 93 vitet e ekzistencës se tij nëpërmjet mini-muzeut në Hollin qendror të KLSH, do të takohen me punonjës, auditues dhe ekspertë të ndryshëm të institucionit, për të marrë të gjithë informacionin që ata do të dëshirojnë të kenë, përfshirë edhe auditimet në proces.

Janë të ftuar të gjithë gazetarët të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet e organizuara nga KLSH. Detajet e programit të aktiviteteve sipas ditëve, do të bëhen publike së shpejti.

Orari i vizitave për qytetarët gjate gjithë Muajit të Hapur në KLSH do të jetë çdo ditë nga ora 10.00-16.00.