Takimi i Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Bujar Leskaj me Prof. Dr. Niko Pano, Kryetar i Shoqatës, Mbrojtja dhe Ruajtja e Ujërave të Shqipërisë.

29.03.2016

 

Në datën 24.03.2016 Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Bujar Leskaj, pati një takim me Prof. Dr. Niko Pano. Në takim u bisedua për probleme të ndryshme të shoqatës “Mbrojtja dhe Ruajtja e Ujërave të Shqipërisë”, ku z. Pano kryen detyrën e Kryetarit të kësaj Shoqate. Akademiku Prof. Pano pranoi ftesën e bërë nga z. Leskaj, për të marrë pjesë në Konferencën e IV shkencore të KLSH-së, që do të zhvillohet në muajin Qershor me temën: ‘’Auditimi e Riskut”, duke referuar një kumtesë të posaçme lidhur me miradministrimin e pasurive ujore në Republikën e Shqipërisë.

niko pano1

Në fund të takimit Prof. Dr. Niko  Pano, i dhuroi kryetarit të KLSH-së librin monografi “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, një vepër madhore, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Para disa muajsh vepra u ribotua nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në shtesë të botimit të parë janë analizuar gjerësisht liqenet e Dumresë dhe të Lagunës së Nartës dhe i është bërë analizë e veçantë e me të dhëna të reja lagunës së Karavastasë. Botimi i dytë është pasuruar me një numër të madh argumentesh shkencore të dhëna nëpërmjet paragrafësh shtesë me analiza,me figura, me tabela, grafikë e harta, të cilat e bëjnë më të vlerësuar e më të kuptueshëm për studiuesit e fushave përkatëse, për studentët dhe lexuesit e interesuar, për t’u pajisur me të dhënat më të reja të pasurive ujore e veçorive të tyre të hapsirës shqiptare. Në tërësinë e tij, libri në pjesë të veçanta kërkon njohuri të posaçme mbi statistikën, fizikën dhe formulat matematike, sidomos pjesa e fundit: Rajonizimi i Pasurive Ujore. Por kjo nuk përbën pengesë që libri të përdoret  edhe nga lexuesi i zakonshëm që ka interes për të njohur pasuritë ujore të Republikës së Shqipërisë. Vepra është ndarë në gjashtë pjesë ku përfshihen: Veçoritë fiziko-gjeografike të pellgut ujëmbledhës të rrjetit hidrografik të Shqipërisë dhe pastaj me rradhë, Lumenjtë, Liqenet, Ujrat Nëntokësore, Detet dhe në fund Rajonizimi i Pasurive Ujore.

niko pano

Disa të dhëna për Profesor-Doktor Niko Pano.

- Kryetar i Shoqatës, ‘’Mbrojtja dhe Ruajtja e Ujërave të Shqipërisë’’;

- Autor i mononografisë, ‘’Pasuritë Ujore të Shqipërisë’’, botim i Akademisë së Shkencave, viti 2008; 

- Autor i Projektit të HEC-it të Skavicës mbi lumin Drini i Zi, për hidrologjinë, viti 2010;

- Autor i Studimeve Hidrologjike rajonale për sistemin hidrografik, ‘’Liqeni i Prespës-Liqeni i Ohrit;

- Lumi Drini i Zi’’, sistemi hidrografik;

- Lumi Drin –Liqeni i Shkodrës-lumi Buna-Delta e Lumit Buna në detin Adriatik, vitet 2008-2013;

- Anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Hidroekonominë në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, vitet 1970-1985.