Takimi i Kryetarit të KLSH-se z.Bujar Leskaj me shkrimtarin Ruzhdi Pulaha

23.03.2016

Ne datën 23 mars 2016,  Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Zoti Bujar Leskaj, pati kënaqësinë të zhvillonte një takim në zyrën e tij me shkrimtarin e njohur, Zotin Ruzhdi Pulaha. Z. Leskaj vlerësoi kontributin e  zotit Pulaha në fushën e artit, i cili ka shkruar me dhjetëra vepra në fushën e dramës dhe komedisë.

Ai është i njohur për shumë vepra, të cilat janë interpretuar në skenat e disa teatrove në vend. Zoti Leskaj u shpreh se figura të tilla i duhen artit shqiptar, teksa kërkoi më tepër mbështetje për artin shqiptar.

Ruzhdi Pulaha, është shumë i njohur në qytetin e Korçës, ku dhe ka lindur. Veprat e tij janë shfaqur në Teatrin Kombëtar dhe teatrin e Korçës me dhjetra herë.

Zoti Pulaha është i njohur dhe në shumë fusha të tjera, të cilat i ka prekur gjatë jetës së tij. Për gati 10 vjet ai ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar, ndërsa në vitin 1992 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në mbyllje të legjislaturës ai i’u përkushtua krijimtarisë, duke shkruar një sërë veprash si: “Maro Mokra”, “Mësuesi i letërsisë”, “Përballë vetes”, “Nën dritat e skenës”, “Doktori pacient”, “Nesër është vonë”, “Shkallët”, etj. Pulaha është autori i tekstit të dy filmave të famshëm, "Zonja nga qyteti" dhe "Shoqja nga fshati". Dramaturgu Pulaha i dhuroi zotit Leskaj dy nga dramat e tij te fundit në dorëshkrim.