Takimi i Kryetarit të KLSH-së me shkrimtarin Koço Kosta.

16.03.2016

 

Më datë 16 janar 2016, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit priti në zyrën e tij shkrimtarin e mirënjohur z. Koço Kosta, i cili është edhe autori i romanit të ndaluar “Ata të dy e të tjerë”. Ky roman i cili mbetet i çuditshëm për fatin e tij, harrohet me të njëjtën forcë që kujtohet.

1


Z. Leskaj gjatë takimit risolli historinë e botimit, i cili arriti të botohej përgjysëm për herë të parë në vitin 1982 në revistën “Nëntori”, falë redaksisë së revistës që u tregua “miope dhe oportuniste”, nëse i referohemi fakteve të kohës. Më pas romani dhe autori i tij u anatemuan nga të gjithë konformistët dhe servilët e regjimit në letërsi. Sipas thënies së redaksisë që e ribotoi, romani “ishte lajmëtar i një drite që pritej në horizont”.

Jemi një vit pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Autori dhe romani i tij tentuan të ecin në atë shteg të mendimit të lirë, ku shumëkush mendonte se një fllad lirie po frynte, nisur nga ngjarjet e shumta politike  që po e shoqëronin në atë dekadë Evropën Lindore. Por nuk ndodhte kështu në Shqipëri që “s’ishte as Lindje, as Perëndim”.

Romani i thyer “Ata të dy e të tjerë” i shkrimtarit Koço Kosta, në momentin që u botua pjesa e parë, por edhe për ndalimin dhe për denigrimin që pasoi më vonë fatin e romanit dhe të vetë autorit të tij, ishte  një pararendës i ngjarjeve që do të ndodhnin më vonë, por që diktatura u munduan me të gjitha forcat t’i shtynte sa më larg, duke venitur dhe fshehur realitetin.

Por efekti i tij u përhap tek njerëzit, sepse romani nuk ishte thjesht një element i shkëputur i një disidence të pritshme. Tek romani “Ata të dy dhe të tjerë”, Koço Kosta i shpalos çuditërisht hapur idetë e tij. Objektivisht, ky roman duhet vlerësuar si një shprehje e qartë e disidencës. Ja disa shembuj. Kur Koço Kosta shkruan se “Bulevardi qe i verbër”, duhet të kujtojmë se ky bulevard kishte emrin e vetë diktatorit Enver Hoxha. Në një fragment tjetër, Koço Kosta shkruan: “se ç’është një diktator Derti që rri dyzet vjet”…?!

Kush guxonte të shkruante kështu në atë kohë. Dhe aq më tepër që përcjellja e këtyre ideve të guximshme në vepër bëhej edhe më e efektshme nga harmonia estetike e formës me përmbajtjen. “Ata të dy dhe të tjerë” ishte një vepër krejt ndryshe, një risi tejet kurajoze në kundërshtim të hapur me tabutë e letërsisë së realizmit socialist, jo vetëm për mënyrën sesi vinte, por më shumë për idetë e tij, që shënonin hapur një revoltë të brendshme ndaj të pavërtetave dhe realitetit të gënjeshtërt e virtual që regjimi komunist mundohej t’i mbante me forcën e egërsisë së vet.     

Përgjatë takimit z. Leskaj shprehu vlerësimet e tij maksimale për gjithë veprën e shkrimtarit të shquar Koço Kosta dhe në veçanti për dy romanet më të fundit të shkrimtarit, “Absurdi” dhe “Nata e Sofije Kondilit”.

Shkrimtari Koço Kosta vlerësoi dhe inkurajoi audituesit e KLSH-së për të kontribuar më tej me integritet dhe përkushtim në përmirësimin e mirëqeverisjes së vendit, duke thelluar luftën kundër korrupsionit.