Takim mes KLSH-së, USAID dhe Organizatave të Shoqërisë Civile

28.02.2018

Në zbatim të objektivit strategjik për forcimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe median dhe në bashkëpunim me projektin e USAID-it “Transparenca në sistemin shëndetësor”, Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi në datën 28 shkurt 2018, një  takim informues lidhur me Auditimet e KLSH-së, të realizuara në vitet e fundit, me fokus në sistemin e shëndetësisë. Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët shqiptarë me fokus luftën ndaj korrupsionit, përmirësimin e transparencës për funksionet qeveritare dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura qeveritare, organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe medias për të kërkuar një qeverisje më të përgjegjshme në sektorin shëndetësor.

Takimi u zhvillua në mjediset e reja të KLSH-së dhe të pranishëm në ketë aktivitet ishin dhe përfaqësues te  Organizatave të Shoqërisë Civile dhe të profesionistëve të fushës si : Shoqata e Kujdesit Shëndetësor- Familjar (Korcë), Fondacioni Spitalor i Nënës dhe Fëmijës, Shoqata e fëmijëve dhe te rinjve me diabet, Shoqata Shqiptare e PLHA, Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, Integrimi Urban, Revista “Monitor”, Partners AlbaniaBIRN, G&G Group, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, auditues të KLSH-së, etj.

Fjala e hapjes së këtij aktiviteti u mbajt nga Drejtoresha e  Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në KLSH,  znj. Irena Islami. Gjate fjalës së saj, zonja Islami u  ndal në transparencën e aktivitetit të KLSH-së, si një nga treguesit kryesorë të modernizimit të institucionit dhe të rritjes së besimit të qytetarëve në punën e tij.
KLSH ka përqafuar një qasje të re në këto vitet e fundit që konsiston në transmetimin tek qytetarët në mënyrë të qartë të misionit dhe të punës së institucionit dhe në vlerën që sjellin për qytetaret auditimet e kryera nga KLSH. Kjo qasje është në përputhje të plotë dhe bazohet në standardet profesionale të auditimit publik suprem, ISSAI-t dhe në këtë frymë KLSH ka organizuar këtë takim me OSHC në bashkëpunim me USAID-in (me të cilin po implementon për më shumë se prej një viti, projektin “Transparenca në sistemin shëndetësor në Shqipëri). Qëllimi i këtij takimi është shkëmbimi i ideve, eksperiencave, ekspertizës, organizimi i trajnimeve, workshopeve dhe tryezave të rrumbullakëta, të cilat i shërbejnë punës sonë të përbashkët.

klsh usaid1KLSH ka një bashkëpunim shumë të mirë dhe konkret me OSHC, me një pjesë të të cilave ka nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi, rreth 25 të tilla deri tani, të ndjekura nga plane konkrete veprimi.
 
Më pas, znj. Islami u ndal në strategjinë e Komunikimit të KLSH-së për vitet 2017-2019, e cila është miratuar nga Kryetari në 31 korrik 2017. Në këtë strategji janë përcaktuar qartë Objektivat strategjikë të KLSH-së në bazë të nevojave, kërkesave dhe sfidave të institucionit në komunikimin me publikun dhe palët e tjera të interesit, por edhe në bazë të burimeve aktuale njerëzore dhe financiare dhe ka përcaktuar 6 objektiva strategjikë me qëllim rritjen e profilit publik të KLSH-së dhe të të kuptuarit të misionit, vizionit dhe rolit të tij në shoqëri, për të forcuar besimin e qytetarëve tek institucioni.

Znj. Darcie Nielsen, Drejtuese e Projektit të USAID-t  duke vlerësuar   maksimalisht punën  e KLSH në drejtim të mirë-menaxhimit të parasë publike, luftës kundër korrupsionit dhe përmirësimit të kapaciteteve për të investiguar, referuar dhe zgjidhur ankesat e qytetarëve, veçanërisht për denoncimin e korrupsionit u  shpreh: - Jam shumë e kënaqur që gjendem sot këtu si përfaqësuese e projektit “Transparenca në sistemin shëndetësor” financuar nga USAID. Ky projekt ka për qëllim krijimin e një mjedisi më të përgjegjshëm për përdorimin e parave publike duke forcuar institucionet mbikëqyrëse si KLSH, Avokati i Popullit dhe ILDKPKI dhe duke rritur bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe median. Asistenca teknike që ne po i ofrojmë KLSH-së konsiston në përmirësimin e auditimeve të performancës në sektorin e shëndetësisë, rritjen e aksesit të qytetareve tek informacioni, futjen e disa zgjidhjeve teknologjike për sistemin e ankesave, përdorimin e të dhënave të hapura dhe treguesve të alarmit-red flags për fusha të prirura për korrupsion.
 
klsh usaid2Nga gjetjet e USAID rezulton se tre institucionet mbikëqyrëse kanë shqetësime të përbashkëta përsa i takon forcimit të luftës ndaj korrupsionit si p.sh zbatimin e pamjaftueshëm të rekomandimeve të tyre, ndaj projekti po punon me të tre institucionet në mënyrë që të forcohet bashkëpunimi me Parlamentin, sidomos gjatë paraqitjes së Raporteve Vjetore, të cilat janë në periudhën mars-maj të çdo viti. Unë besoj-vijoi zj Nielsen- se Raportet Vjetore janë një moment i rëndësishëm për të tërhequr vëmendjen e qytetareve në problematikat që ju ngrini, ndaj duhet bërë çmos që mesazhet tuaja të jenë të qarta për ligjvënësit në mënyrë që ata të ndërmarrin veprime. Në këtë kuadër, ne  po e ndjekim me vëmendje  punën e mekanizmit të  ri ndërinstitucional i ngritur nga Parlamenti për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura, por ne duam që edhe qytetarët të mbeten të angazhuar për të luftuar korrupsionin. Unë besoj se këmbëngulja jep gjithmonë rezultate.

Në vijim e mori fjalën zj. Lindita Lati, Drejtore e Përgjithshme, e cila theksoi që KLSH synon të jetë një institucion profesional i besueshëm që i kontribuon shtimit dhe kursimit të vlerës së parave publike, duke dhënë siguri mbi llogaritë financiare të përdoruesve të tyre dhe duke ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit të Qeverisë e të enteve të tjera publike nëpërmjet auditimit, duke fituar në këtë mënyrë besim të plotë tek qytetarët shqiptarë dhe të audituarit.
Zonja Lati u ndal gjithashtu në dimensionet e zhvillimit institucional si : zhvillimi i kapaciteteve audituese dhe profesionale; auditimet e performancës dhe IT, integriteti dhe etika, Transparenca, diversifikimi i kanaleve të komunikimit, etj.
Zj.Lati në fund të fjalës së saj u përqendrua në specifikat e auditimeve të performancës në fushën e shëndetësisë për vitin 2017.
Gjatë këtij takimi informues, Auditues  të Departamentit të Auditimit të Performancës z. Aulent Guri dhe znj. Xhuljeta Çelaj bënë një përmbledhje të shkurtër rreth auditimeve në sistemin shëndetësor duke u përqendruar në auditimin   “Kostimi i shërbimit spitalor”.

Zonja Çelaj bëri një prezantim të shkurtër të auditimit të performancës në Shërbimin e Urgjencës Mjekësore, auditim i cili sapo ka filluar dhe është në fazën studimore të tij.
Në fund të takimit u theksua se Kontrolli Larte i Shtetit luan një rol qendror si Institucion Suprem Auditimi dhe sfidat në rritje dhe sofistikimi i mjediseve në të cilat vepron, e bëjnë gjithnjë e më të rëndësishëm forcimin e kapaciteteve institucionale të tij. KLSH duhet të përmbushë standardet më të larta për të siguruar transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e operacioneve qeveritare. Qëllimi është arritja e rezultateve të qëndrueshme dhe progresive në nivelet taktike dhe strategjike dhe përqendrimi në përpjekjet për përmirësimin e legjislacionit, metodologjisë dhe praktikës së auditimit. KLSH mundet dhe duhet të ndihmojë për të identifikuar fushat e zhvillimit të ardhshëm në sistemet e auditimit publik të vendit, të cilat mund të adresohen duke bashkëpunuar me organet shtetërore të përfshira dhe duke zbatuar koncepte afatgjata të zhvillimit.
Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi dhe pati shumë pyetje nga të pranishmit.