Takim me ish-futbollistët Agustin Kola dhe Ermal Tahiri në mjediset e KLSH-së

31.07.2018

Në datën 30 korrik 2018, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z. Bujar Leskaj, priti në ambientet e KLSH, ish-sportistët e mirënjohur në arenën kombëtare dhe më gjerë, Z. Agustin Kola dhe Z. Ermal Tahiri.

bleskaj tahirikola1

Zoti Kola ka qenë pjesë e klubit të futbollit të 17 Nëntorit (KF Tirana) të famshëm të viteve ’80. Ai e nisi veprimtarinë sportive si gjimnast, notar dhe futbollist i shkëlqyer, por menjëherë aftësitë e tij futbollistike u dalluan nga trajnerët Velia dhe Rada, që e këshilluan të vazhdonte Mjeshtërinë Sportive, ku u bë pjesë e Klubit të Futbollit Shkëndia. Tiparet e tij sulmuese, potenca dhe pasioni me të cilin luante lojën e bukur e dërguan atë shumë shpejt në radhët e 17 Nëntorit (KF Tirana).

Me fanellën bardheblu, me numrin “11” mbi shpinë, ai luajti me ekipin e parë të Tiranës për plot njëmbëdhjetë vjet, deri sa hapja e kufijve i krijoi mundësitë të largohej në drejtim të shtetit fqinj të Greqisë për një aventurë të shkurtër. Në përfundim të kësaj aventure, ai u kthye edhe një herë tek Tirana e tij, ku dhe i dha lamtumirën futbollit të luajtur me një total prej 140 golash të shënuar në kampionat dhe 3 gola në 19 ndeshje me Kombëtaren Shqiptare.
Mjeshtri i Madh Agustin Kola është një nga futbollistët më të shkëlqyer të Tiranës dhe të Shqipërisë.

Dhe pikërisht atëherë kur “Agustineli” ishte bërë një yll, lulëzoi në futbollin shqiptar Ermal Tahiri. Rreth dhjetë vjet më i ri se i pari, ai ishte personi i duhur për të marrë stafetën dhe për të krenuar sportin shqiptar. Një mesfushor model, karrierën futbollistike e nisi me ekipin e parë të Dinamos, me të cilin u shpall Kampion Shqipërie në vitin 1989-1990. Më pas u largua në drejtim të Greqisë, ku dhe kaloi shumicën e karrierës së tij në fushë. Aty luajti me 5 ekipe të ndryshme dhe sipas statistikave, deri ne vitin 2004 ai ishte një ndër golashënuesit më te mirë të Kampionatit Grek me rreth 120 gola të shënuar.

Edhe sot që janë tërhequr nga futbolli i luajtur, Mjeshtri i Madh Agustin Kola dhe Ermal Tahiri mbeten personalitete plot vlera, jo vetëm në anën profesionale me kontributin që kanë dhënë në sport, por edhe duke qenë njerëz model jashtë fushave të gjelbërta, mes njerëzve të thjeshtë, ku gëzojnë respekt dhe admirim të pashterur që prej kohës së tyre si futbollistë.

bleskaj tahirikola2

Kryetari Leskaj i shprehu atyre mirënjohjen dhe respektin për kontributin e dhënë si lojtarë, por edhe si drejtues në postet që mbajnë. Ai u shpreh se do të ishte një bekim, sikur më shumë njerëz të mbartnin një disiplinë, forcë dhe këmbëngulje në punë, sikurse ata. Ndërsa Z. Kola dhe Z. Tahiri e falenderuan Kryetarin Leskaj, për mbështetjen morale, vlerësimin dhe respektin që tregon për sportin shqiptar.