Takim i Kryetarit të KLSH-së me dy emblema të futbollit Shqiptar

09.02.2016

Me datë 9 shkurt 2016 Kryetari i KLSH priti në zyrën e tij 2 ish futbolliste të njohur të Shqipërisë në vitet 1970-1980 z. Shyqyri Ballgjini dhe z. Iljaz Çeço.

ceco leskaj1Shyqyri Ballgjini përfaqëson nder vite një prej sulmuesve më të mirë shqiptarë, që ka lënë mbresa të pashlyeshme në të gjitha stadiumet ku shkeli këmba e tij. Ai i përket plejadës së madhe të futbollit tonë, kur tek ekipi i “Dinamo”-s  ishin shfaqur talente të tilla si Ilir Pernaska, Iljaz Çeço, Jani Rama, Faruk Sejdini, Vasillaq Zëri, Muhedin Targaj, Xhorxhi Puka, Andrea Marko, etj. I shpallur kampion kombëtar 5 herë, në sezonet 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976, 1976-1977, 1979-1980, fitues po 5 herë i trofeut të Kupës së Republikës, ai ka merituar dhe marrë të gjithë titujt e nderit që jepeshin në atë periudhë, duke filluar që nga Mjeshtër i Merituar i Sportit, Mjeshtër i Madh, Mjeshtër i Punës, etj.

Po aq i pashlyeshëm dhe shënjues në kujtesën e sportdashësve tanë ka mbetur edhe futbollisti Iljaz Çeço, “lokomotiva” e mesfushës, që fillimisht luajti tek ekipi i “Traktorit” të Lushnjës dhe pastaj tek ekipi “Dinamo” dhe tek ekipi kombëtar (ku është aktivizuar 11 herë). Si Ballgjini dhe Çeço ishin lojtarë të pazëvendësueshëm që krijuan atë ekip të magjishëm “Dinamo”, që kujtohet edhe sot e kësaj dite si një nga ekipet më të mira të historisë së futbollit shqiptar.

Gjatë takimit, futbollistet e njohur sollën kujtime nga ajo epoke e paharruar dhe e arte e futbollit shqiptar, si dhe diskutuan për situatën e tanishme të futbollit dhe rrugët për masivizimin dhe zhvillimin e tij. Mjeshtri Shyqyri Ballgjini i dhuroi z.Bujar Leskaj fanellën e tij me numrin 10, në shenjë vlerësimi dhe respekti që ky i fundit ka treguar ndër vite për futbollin shqiptar.