Takim i Kryetari të KLSH-së, z.Bujar Leskaj me stafin e institucionit në përfundim të mandatit të tij

10.01.2019

Në datën 8 janar 2019, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj në përfundim të mandatit të tij shtatë vjeçar në krye të institucionit organizoi në sallën Lech Kaczynski të Kontrollit të Lartë të Shtetit një takim me stafin e KLSH-së.

Zoti Leskaj falënderoi fillimisht drejtuesit dhe audituesit e KLSH-së për punën  e përbashkët të realizuar në këto shtatë vjet, duke nënvizuar se “ ne kemi pasur si busull orientuese mandatin tonë kushtetues të sanksionuar në Nenet 161-165 të Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe standardet tona ndërkombëtare të auditimit ISSAI, të cilat të japin siguri të mos gabosh kurrë në elementet thelbësore të pavarësisë dhe cilësisë së punës sonë audituese”.

takimi fin

Zoti Leskaj bëri një bilanc të punës 7 vjeçare të institucionit, duku iu referuar  platformës strategjike për zhvillimin e KLSH-së që paraqiti përpara Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë në 14 Dhjetor 2011, në cilësinë e kandidatit të nominuar nga Presidenti i Republikës për pozicionin e Kryetarit të KLSH-së dhe bëri analizën e tetë objektivave kryesore, si respektimi rigoroz i standardeve ndërkombëtare të auditimit; kthimi i vëmendjes tek auditimi i performancës, krahas rritjes se eficiencës  së auditimit financiar; realizimi i sinergjizimit të politikave dhe veprimeve me organet e tjera shtetërore të kontrollit, luftës dhe parandalimit të korrupsionit; intensifikimi i konsultimeve me Komisionin për Ekonominë dhe Financa për përafrimet strategjike të KLSH 2012-2018; intensifikimi i bashkëpunimit me ekspertët universitarë dhe akademike të auditimit të financave publike, si dhe me organizatat profesionale të fushës; intensifikimi i bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare INTOSAI dhe EUROSAI, me institucionet e larta të auditimit të vendeve të BE-së, të vendeve të rajonit dhe në veçanti me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës si dhe përmirësimi i transparencës në marrëdhëniet me publikun, nëpërmjet një partneriteti të gjerë me median dhe me organizatat jo-fitimprurëse që luftojnë korrupsionin.

Konstatohet me kënaqësi që të gjitha këto objektiva janë realizuar :

- pas shtatë vitesh, institucioni ka një vizion të mirë-përcaktuar se ku dëshiron të arrijë në një vit, tre vjet apo dhe në pesë vitet e ardhshme. Me kapacitetet e tij, ai përgatiti Strategjinë e re të Zhvillimit të KLSH-së 2018-2022, e cila u përgjigjet kërkesave të ISSAI-ve dhe është mbështetur në udhëzuesit metodologjikë të publikuar për këtë qëllim nga organizatat ndërkombëtare profesionale dhe Nisma për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI). Planet Strategjike të INTOSAI-t, 2017-2022 dhe EUROSAI-t, 2018-2023 kanë shërbyer si udhërrëfyes në hartimin e kësaj Strategjie të institucionit për pesë vitet e ardhshme;
- lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pronën shtetërore si një qëllim madhor për përmirësimin e qeverisjes publike. Për periudhën janar 2012-tetor 2018, KLSH ka dërguar pranë organit të Prokurorisë 300 kallëzime penale për 953 nëpunës dhe ish-nëpunës të administratës shtetërore. KLSH në 7 vitet e fundit, 2012-2018, ka adresuar çdo javë një Kallëzim Penal, për zyrtarët e nivelit të ulët, të mesëm dhe të lartë, të konstatuar me shkelje të rënda nga auditimet e KLSH, apo e shprehur ndryshe 1 kallëzim për çdo 3 auditime.
-Treguesi i realizimi të auditimeve në harkun kohor të viteve 2012-2018 rezulton në 1095 auditime;
- Dëmi i zbuluar për periudhën 2012-2018 arrin vlerën 2,689 miliardë euro.
-  Auditimet e performancës janë parë si një nga shtyllat e zhvillimit dhe modernizimit të KLSH-së. Një filozofi pune që konsideron se auditimi nuk është një qëllim në vetvete, por në radhë të parë një instrument parandalimi, instrument korrigjimi dhe këshillimi për institucionin që auditohet. Gjatë vitit 2017, janë realizuar 15 auditime performance në reformat qeveritare, në aspekte të rëndësishme të financave publike, në sistemin e prokurimit publik, sistemin arsimor, projektet mjedisore, si dhe në shërbimet publike.
- Në funksion të objektivit të institucionit, për të bërë pjesë të praktikave të tij audituese dhe Auditimet e Teknologjisë së Informacionit, gjatë vitit 2015 u krijua Drejtoria e Auditimit të TI-së  si pjesë e Departamentit të Auditimit të Buxhetit

Qendror, Administratës  së Lartë Publike, Menaxhimit Financiar dhe Auditimit të Brendshëm.
- Gjatë viteve 2012-2018 jemi përpjekur të krijojmë sinergji për mirëqeverisjen, duke bashkëpunuar në sistem me institucionet e tjera shtetërore. Në vitet 2012-2018, KLSH ka nënshkruar 57 marrëveshje bashkëpunimi, nga të cilat 30 me OJF, 17 me institucione homologe dhe të tjera me institucione shtetërore dhe universitete publike. Bashkëpunimet me Profesoratin e Universiteteve dhe Organizatat Profesionale të fushës gjatë këtyre viteve, ka maksimizuar kontributin e tyre në Revistën Shkencore të KLSH-së, Konferencat Shkencore, trajnimet, rekrutimin e stafit, pjesëmarrjen e ekspertëve të shoqërisë civile në auditimet e KLSH, rishikimet mes kolegëve për të vlerësuar performancën e KLSH, etj.

- Gjatë periudhës 2012-2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nënshkruar 17 marrëveshje bashkëpunimi me SAI-t homologe të: Austrisë, Polonisë, Kroacisë, Sllovenisë,Turqisë, Kosovës, Bullgarisë, Çekisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë, Kuvajtit, Hungarisë, Qipros, Moldavisë, Ukrainës dhe Rumanisë, duke plotësuar hartën rajonale të partneritetit me thuajse të gjitha SAI-et e vendeve të rajonit, ku natyrisht e para është ajo me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Këto marrëveshje partneriteti janë konkretizuar në fusha të tilla si, shkëmbimi i informacionit, trajnime,veprimtari të përbashkëta audituese rajonale, etj.

takimi fin2

Duke vlerësuar misionin e tij si agjent i publikut dhe i Kuvendit, për përdorimin me ekonomicitet efektivitet dhe eficiencë të burimeve dhe fondeve publike, KLSH në shtatë vitet e fundit, ka synuar forcimin e besimit të qytetarit dhe publikut në tërësi, nëpërmjet njohjes më nga afër të veprimtarisë së tij, auditimeve dhe rezultateve të tyre, si dhe partneritetet që ka krijuar brenda dhe jashtë vendit për të përmirësuar qeverisjen publike, duke u përpjekur të luftojë në thellësi korrupsionin.

Mbështetur në moton e Kongresit të IX-të të EUROSAI-t, zhvilluar në Holandë, “Kur është hera e fundit që ke bërë diçka për herë të parë?”, zoti Leskaj evidentoi 10  risitë e KLSH-së në vitet 2012-2018, të cilat më parë as nuk ravijëzoheshin, ndërsa tani janë bërë të prekshme për të gjithë :

1. Ligji i Ri i KLSH-së
2. Auditimet e Performancës
3. Auditimet IT
4. Kallëzimet penale
5. Botimet e KLSH-së
6. Revista Kërkimore-Shkencore “Auditimi Publik”
7. Muaji i Hapur
8. Konferencat Shkencore Vjetore të KLSH-së
9. Bashkëpunimi me OJF-të
10. Godina e re e KLSH-së dhe Muzeu i KLSH-së

Kryetari i KLSH-së, z.Leskaj informoi audituesit e KLSH-së për Vendimin e delegimit të kompetencave të Kryetarit tek Zv/Kryetari i KLSH, znj. Lindita Milo, duke filluar nga data 8 janar 2019, pas botimit në Fletoren Zyrtare të RSH me nr.193, të Vendimit të Kryetarit të KLSH me nr. 244, datë 22.12.2018, sipas të cilit delegohet ushtrimi i detyrës dhe përgjegjësive shtetërore të titullarit të institucionit përgjatë fazës kalimtare e tranzitore nga përfundimi i mandatit kushtetues të Kryetarit të KLSH (datë 23 dhjetor 2018) deri në emërimin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të Kryetarit të ri të KLSH-së, tek Zv/Kryetari i KLSH, znj. Lindita Milo (Lati).

Zoti Leskaj duke i uruar suksese zj.Milo bëri edhe një përmbledhje të CV së saj, e cila ka përfunduar studimet universitare në profilin Financë- kontabilitet, mban titullin shkencor “Profesor” si dhe gradën shkencore “Doktor” në Kontabilitet (1996) nga Universiteti i Tiranës dhe Ph.D. në Ekonomiks (2001) nga “Staffordshire University”, Britania e Madhe.

Në vitet 2006-2016, zj.Milo ka qenë Kryetare e Autoritetit Shqiptar të Konkurencës, që nga viti 1990 e në vijim Lektore pranë Departamentit të Kontabilitet, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës. Zonja Milo në vitet 2004-2010 ka qenë anëtare e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, Bashkëpunëtore e jashtme e IEKA që në vitet e para të themelimit të profesionit të auditimit të jashtëm. Autore e disa teksteve, monografive, artikujve dhe punimeve të tjera shkencore në fushën e kontabilitetit, konkurencës, auditimit, etj.

Kryetari i KLSH-së e përmbylli fjalën e tij ....”Ky rrugëtim i yni, shtatë vite pas nisjes, duket tani më i sigurt dhe më i qartë në detyra, objektiva të vëna e plane zbatimi. Kjo qartësi e siguri është në radhë të parë fryt i punës suaj të ndershme e profesionale, për të cilën ju falenderoj!

Mbi bazën e treguesve të plotësuar të performancës së një SAI, eksperiencës së fituar, besimit në vlerën e parimeve që mbrojmë dhe misionit qe kryejmë, të sigurtë në ndihmën dhe mbështetjen e Kuvendit, të Institucioneve të  tjera publike dhe të shoqërisë civile e qytetarëve, të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t si dhe SAI-ve  partnere, duke e parë me besim të plotë punën audituese në të ardhmen”.