Takim i Audituesve të KLSH-së me Profesor Ismet Elezin

23.07.2015

Në datën 23 korrik në ambientet e Universitetit Politeknik u organizua një takim i Audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit me Profesor Ismet Elezin.

paneli_copy_1Takimin e hapi Kryetari i KLSH-se, Z.Bujar Leskaj me iniciativën e të cilit ishte organizuar edhe takimi. Zoti Leskaj evidentoi rëndësinë e këtij takimi me Prof.Elezin, i cili ka një eksperience 75 vjeçare në fushën e Juris-Prudencës dhe veçanërisht një aktivitet intelektual dhe akademik shumë të pasur. Z. Elezi  bën pjesë në atë grup të vogël juristësh të shquar shqiptar, të cilët në ushtrimin e detyrave të ngarkuara  janë përpjekur për zbatimin e shtetit të së drejtës. Profesor Elezi gjatë karrierës së tij ka botuar rreth 34 vepra dhe rreth 200 shkrime të cilat i përkasin kryesisht fushës të së drejtës penale por jo vetëm.

Prof. Elezi është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Leningradit (Petersburg) me rezultate të shkëlqyera. Pas krijimit të Universitetit të Tiranës, në periudhën 1957 – dhjetor 1960, nën udhëheqjen e profesorit të njohur botërisht Mihail Shargorodski, kreu studimet pasuniversitare për marrjen e gradës shkencore (1961) dhe në vitin 1972 mori titullin “Profesor“. Profesor Elezi ka një eksperiencë të gjatë në fushën akademike, nga viti  1957 – 1995 në Fakultetin e Drejtësisë ku ka dhënë lëndën e së drejtës penale (pjesa e posaçme), si dhe më pas lëndët e kriminologjisë dhe të politikës penale.
profProfesor Elezi në ligjëratën e tij u ndal ne kryesisht në temën “Kultura Juridike në KLSH”, duke theksuar që Kultura Juridike është normë, është mbi gjithçka, thënë ndryshe ...” kultura juridike është tërësia e njohurive dhe ideve për të kuptuar se çfarë është sundimi i ligjit...”. Kultura juridike duhet patjetër të plotësohet me integritetin moral dhe ndërgjegjen, në çdo rast që flasim për zbatimin e ligjeve.

Një nga arsyet e  përzgjedhjes së  temës mbi kulturën juridike është se , Kushtetuta dhe Ligji ri organik i institucionit  i imponon audituesve  thellimin dhe përvetësimin e njohurive juridike, të domosdoshme për auditimin e subjekteve të qeverisjes qëndrore dhe vendore.
Audituesit e KLSH, duke qenë se kanë njohuri mbi parimet kushtetuese, ligjet organike të institucioneve, Kodin Civil, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurave  Administrative  duhet që në veprimtarinë e tyre ti kushtojnë vëmendje dhe të paraqesin propozimet e tyre që legjislacioni ti përshtatet zhvillimit social-ekonomik të vendit.

Profesor Elezi theksoi faktin që shteti i së drejtës në themel të tij ka mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sot problemi kryesor  në Shqipëri është mos-zbatimi i Ligjit,  çka dobëson performancën e institucioneve dhe rrit perceptimin negativ të qytetarëve ndaj tyre. Arsyet që çojnë në moszbatimin e ligjeve janë kryesisht si objektive ashtu dhe subjektive, ndaj  është detyrë edhe e KLSH të identifikojë këto arsye dhe të propozojë zgjidhje për mënjanimin e tyre. Ai nënvizoi gjithashtu që miratimi i Ligjeve të reja duhet të marrë në konsideratë mentalitetin e popullit dhe të shoqërisë, si dhe të ketë si objektiv parandalimin e  fenomeneve korruptive.

salla eleziProfesor Elezi vlerësoi Ligjin e Ri të KLSH-së si një ligj shumë të mirë, zbatimi i të cilit do të sjellë rezultate, nëse audituesit e KLSH-së do ta përvetësojnë shumë mirë atë dhe do ta zbatojnë me integritet moral dhe ndërgjegje.

Lidhur me aktivitetin e gjatë të Prof.Elezit në takim foli Prof.Dr.Aurela Anastasi, e cila e vlerësoi Profesorin si një figurë të spikatur dhe si personalitet dhe studiues jo të zakonshëm. Zonja Anastasi evidentoi faktin që Prof. Elezi hapi fusha të reja studimore si kriminologjia, e drejta penale, e drejta zakonore shqiptare (Labëria, Kanuni i Labërisë, Historia e të drejtës penale, etj).

Takimi u ndoq me interes nga të pranishmit dhe Prof. Elezit ju drejtuan pyetje nga audituesit e KLSH-së, të  cilët përfituan shumë nga ky takim i veçantë me një studiues të shkëlqyer dhe me një eksperiencë shumë te gjatë.