Standardet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI (1-400)

 

04 issaiPërdorimi i standardeve të auditimit suprem publik të pranuara ndërkombëtarisht (ISSAI-t) është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe parësore për çdo institucion suprem auditimi në botë, pra dhe për ne KLSH. Standardet ISSAI na japin drejtimin e duhur, na sigurojnë cilësinë dhe profesionalizmin në punën audituese, si dhe sigurojnë pavarësinë e plotë të institucionit dhe besueshmërinë e tij në publik dhe mes veprimtarëve kryesorë në përmirësimin e qeverisjes publike. Mungesa e këtyre standardeve për çdo institucion suprem auditimi sot në botë, sado i zhvilluar, do të ndjente mangësi në veprimtarinë e vet, sado të përsosura t’i ketë standardet kombëtare të auditimit.

E veçanta e ISSAI-ve është se ato nuk dublojnë, tejkalojnë apo shkelin standardet kombëtare të auditimit të një SAI. As edhe nuk i parandalojnë SAI-t nga kryerja e vëzhgimeve, komenteve ose raportimeve të tjera që nuk janë të mbuluara në mënyrë specifike nga ISSAI-t ekzistuese. Duke u siguruar SAI-ve lirinë absolute të të qenit kreativë dhe të të eskploruarit të mënyrave të raportimit dhe veprimit sa më inovative, për t’u bërë sa më të kuptueshëm në publik, ato japin ato orientime dhe drejtime themelore që SAI-t të ruajnë pavarësinë e tyre dhe të rrisin besueshmërinë e gjetjeve dhe rekomandimeve.    

Finalizimi i Projektit të Harmonizimit të ISSAI-ve në dhjetor 2016, në Kongresin INCOSAI XXII, në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, me miratimin nga ana e Bordit Drejtues të INTOSAI-t të ndryshimeve të propozuara nga Komiteti i Zhvillimit të Standardeve Profesionale do të shënojë konsolidimin e katërt të ISSAI-ve, këtij seti standardesh të përbashkëta, të besueshme dhe të qëndrueshme për auditimin suprem të sektorit publik në të gjithë botën, që është në zhvillim dhe rishikim të vazhdueshëm.