Standarde Ndërkombëtare Auditimi mbi Borxhin Publik

borxhiNë Shqipëri është i dukshëm fenomeni i ngadalësimit të rritjes ekonomike jo vetëm si pasojë e krizës ekonomike e financiare globale e theksuar veçanërisht nga ajo e dy fqinjëve kryesorë, Greqia dhe Italia, por gjykojmë se ka edhe një sërë faktorësh që lidhen me shkaqe të brendshme ekonomike dhe politike. Nga faktorët e brendshëm më kryesor që ndikon këtë ngadalësim është edhe niveli i lartë i borxhit publik në raport me produktin e brendshëm bruto, shoqëruar me një nivel që mbetet shqetësues i të ashtuquajturave ‘kredi të këqija’ në bankat e nivelit të dytë.
Në teoritë e financave publike, instrumenti i borxhit publik është parë si një amortizator i rëndësishëm i valëve goditëse që sjellin krizat ekonomike, por edhe si stimulues i dinamikave zhvilluese në castin kur shoqëria kupton se potenciali zhvillues është në një nivel më të lartë krahasuar me mundësitë.
Skenari shqiptar i referohet aspektit të dytë duke kërkuar dinamikë zhvillimi mbështetur në instrumenta borxhi të brendshëm dhe të jashtëm. Por tani ndodhemi para faktit që Shqipëria nuk ka më mundësi rritjeje të borxhit publik që të sjellë efektet e dëshiruara të përfitimit prej tij në drejtim të rritjes ekonomike, prandaj ajo që synohet është vetëm të tentohet përdorimi i kujdeshëm i tij si amortizues i krizës potenciale.
Manaxhimi i kujdesshëm i borxhit publik, si proces i vendosjes dhe zbatimit të një strategjie për menaxhimin e borxhit të qeverisë, për të arritur sasinë e kërkuar të financimit, duke siguruar arritjen e objektivave të saj për rrezikun dhe koston, si dhe duke kontribuar në arritjen e një tregu efikas për letrat me vlerë të qeverisë, është objektivi më imediat. Ky fakt thekson nevojën për rritjen e ndjeshmërisë dhe përgjegjshmërisë së të gjithë strukturave kombëtare apo dhe ndërkombëtare, si të qeverisjes, ashtu edhe të auditimit,në drejtim të problematikës të menaxhimit të borxhit publik.
Në kuptimin ekonomik auditimi i hollësishëm i borxhit publik evidenton origjinën e borxhit dhe bën të mundur vlerësimin e llojit të borxhit, faktin nëse është kontraktuar për qëllime të shërbimeve publike apo është rezultat i spekulimeve dhe marrveshjeve korruptive, me qëllime përfitimi politik ose ekonomik.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në funksion të këtij misioni por edhe si pjesë të detyrave të tij funksionale në raportimin e buxheteve faktike vjetore, ka bërë pjesë të raportimeve të veta edhe zbatimin e kufijve të përcaktuar në ligj për borxhin publik, zbatimin e strategjive të hartuara nga qeveria mbi borxhin si dhe menaxhimi i borxhit në tërësi duke e konsideruar me rëndësi auditimin me standarde të menaxhimit të borxhit publik dhe duke dhënë,
sidomos në dy vitet e fundit, rekomandime në pamje të parë të forta por tejet të dobishme dhe të rëndësishme për atë që do të sillte viti 2013 dhe e ardhmja e afërt.

Si një Institucion Suprem Auditimi me vizion të qartë drejt të ardhmes kërkojmë të ndihmojmë dhe inkurajojmë menaxhimin dhe raportimin e drejtë të borxhit publik dhe për të pasur një qasje drejt praktikave më të mira, kemi sjellë këtë përmbledhje të standardeve të INTOSAI-t, (ISSAI 5410, ISSAI 5411, ISSAI 5421, ISSAI 5422, ISSAI 5440) duke synuar jo vetëm ngritjen e kapaciteteve profesionale tona që merren me problemet e borxhit publik, por edhe rritjen e transparencës lidhur me praktikat që do të udhëheqin punën tonë në auditimin e borxhit publik shtetëror.