SECO mbështet KLSH në auditimet për Koncesionet dhe PPP

11.03.2020

Në datën 9 mars 2020, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe KLSH, mbi projektin “Forcimi i auditimit të jashtëm lidhur me mbikëqyrjen e Koncensioneve  dhe Partneriteve Publik-Privat”.

Projekti u pergatit nga KLSH ne vitin 2016 dhe u shpall fitues nga IDI, Nisma për Zhvillim e INTOSAI-t, organizates boterore te institucioneve supreme te auditimit, e cila siguroi mbeshtetjen e Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike.

klsh zvic1

Ambasadori i  Plotëfuqishëm i Konfederatës së Zvicrës, z. Adrian Maître, pasi shprehu kënaqësinë e hapjes së një kapitulli të ri të bashkëpunimit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Sekretariatit për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Zvicrës lidhur me rritjen e kapaciteteve profesionale në auditim, nënvizoi nevojën e Shqipërisë për reforma në fushën e administrimit publik. Kjo nevojë përfshin edhe mekanizmat e mbikqyrjes për të arritur efektivitetin e përdorimit të fondeve publike.

Maître nënvizoi se institucionet efektive të një shteti efiçient janë parakusht i një ekonomie të qëndrueshme, rritjes së qendrueshme dhe të përhapjes së prosperitetit. Të qënit efektiv në rastin e institucioneve supreme të auditimit do të thotë të jeshë i pavarur dhe të qënit i pavarur kërkon të veprosh dhe të jesh si një arbitër objektiv  duke shpërndarë rezultate objektive nga auditimi i përshtatshmërisë të përdorimit të fondeve publike dhe identifikimit të rasteve të korrupsionit dhe abuzimit. Roli i KLSH-së është i një rëndësie të veçantë në këndvështrimin e reformave aktuale që po bën Shqipëria në fushën e drejtësisë, të modernizimit të administratës publike dhe ajo që është më e rëndësishme,  në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
 
“Si partner zviceran, ne jemi këtu për të mbështetur KLSH-në me ekspertizë teknike si pjesë e mbështetjes së madhe që Zvicra ka dhënë me asistencë për manaxhimin e financave publike ku pëfshihet: menaxhimi i borxhit, administrimi i taksave, kontabiliteti publike, statistikat financiare dhe financat vendore, pasi gjykojmë se një mbikqyrje efektive e financave publike e plotëson dhe e përsos këtë cikël të rëndësishëm të administrimit publik në Shqipëri”, u shpreh z. Maître.

Më tej ai theksoi se ky projekt që starton sot, do të bëjë të mundur krijimin e eksperiencave të reja dhe do të përsosë njohuritë dhe aftësitë  e audituesve të KLSH-së për të mbikqyrur fushën e koncesioneve dhe kontratave të partneritetit publik-privat duke sjellë dhe plotësimin e një kornize të përshtatshme për të siguruar që këto lloj kontratash ofrojnë vlerë të shtuar dhe minimizojnë risqet në kushtet e financimit publik.I gjithë ky proces nuk mund të bëhet pa garantuar që audituesit kanë aftësitë e duhura teknike lidhur me përdorimin e mjeteve të teknologjisë së informacionit në auditim.

Në përfundim të fjalës së tij, Ambasadori Maître u shpreh entuziast për një implementim të suksesshëm të këti projekti, për rezultate të prekshme dhe informacion të vlefshëm për publikun dhe palët e tjera të interesit lidhur me projektet e partneritetit publik-privat, të cilat do të auditohen me financimin e këtij projekti.

klsh zvic2

Z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH u shpreh se “Nënshkrimi i sotëm i Marrëveshjes së Bashkëpunimit është shumë i rëndësishëm për ne si KLSH. Ai do të ndihmojë në realizimin e objektivit tonë kryesor të strategjisë së zhvillimit të KLSH 2018-2022 për modernizimin e mëtejshëm të kapaciteteve audituese. Projekti do të japë kontribut të vyer në sigurimin e të ardhmes së trupës sonë audituese si një trupë që synon të jetë në nivel të vlerave të auditimit, të performancës dhe impaktit mbi jetën e qytetarit shqiptar, në nivel të vlerave, performancës dhe impaktit të trupave audituese të institucioneve supreme të auditimit (SAI-ve) të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian dhe të SAI-t zviceran, Zyrës Federale të Auditimit të Zvicrës”.

Objektivi kryesor i projektit është rritja e kontributit të KLSH për të forcuar llogaridhënien qeveritare dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike, përmes auditimeve më profesionale dhe gjithëpërfshirëse të koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat.
 
Më tej, z. Leskaj cilësoi se që në prill 2018 KLSH ka kërkuar krijimin e një Njësie të Oponencës së përheshme e profesionale ndaj koncesioneve dhe PPP-ve, e cila të funksionojë pranë Kuvendit dhe të jetë e pavarur financiarisht nga Ekzekutivi. Kjo Njësi duhet të ketë kapacitetin e mjaftueshëm financiar për të komisionuar ekspertë të fushës respektive për studimin dhe oponencën sipas koncesionit apo PPP-së që shqyrtohet, në emër dhe për llogari të Kuvendit dhe Komisionit parlamentar përkatës.         

“Në kushtet kur shumica e tenderave jane realizuar dhe kontratat koncesionare dhe PPP jane ne zbatim e siper, si KLSH kemi theksuar se zbatime kontratash te tilla sjellin (sikurse e kanë evidentuar edhe FMN dhe Banka Botërore) ekspozimin e rritur të ekonomisë sonë përballë risqeve të përzgjedhjes së gabuar të një partneriteti publik-privat, pa një studim të thelluar të raportit kosto/përfitim; risqeve të natyrës afatgjatë të këtyre projekteve dhe kompleksitetit të kushteve kontraktuale të tyre; të një kuadri ligjor të munguar ose të paplotë, të transparencës dhe pjesëmarrjes së pakët të publikut në proces, si dhe të dështimit të projektit, me kosto të larta dhe afatgjata mbi Buxhetin e Shtetit”, nënvizoi Kryetari i KLSH.
 
KLSH ka konstatuar nga auditimet se mungesa e raportimit në procesin e buxhetimit si dhe në pasqyrat financiare të konsoliduaratë Shtetit, të shpenzimeve për koncesionet dhe PPP-të, krijon kushtet për cënimin e plotësisë, saktësisë dhe transparencës së informacionit në lidhje me këto projekte.

“Ndihma që do të na japin ekspertët e SECO-s në realizimin e këtij projekti të përbashkët, duke thelluar analizën e riskut dhe përcaktuar përparësitë në auditimet tona të ardhshme mbi koncesionet dhe kontratat PPP, do të jetë e rëndësishme për ne. Shpresoj që eksperienca e Zyrës Federale të Auditimit të Zvicrës, një institucion lider në INTOSAI në risitë teknologjike në auditim, të mund të sjellë vlerë të shtuar edhe në këtë fushë bashkëpunimi. Në tërësi, projekti do të na mundësojë auditime sa më cilësore dhe me rekomandime me vlerë të shtuar në mirëmenaxhimin e këtyre kontratave në të ardhmen, duke përmiresuar dhe kuadrin ligjor të realizimit të tenderave publike përkatës dhe të lidhjes dhe zbatimit të kontratave koncesionare. Shpreh bindjen se ky projekt dy vjeçar do të ndihmojë dukshëm dhe me efektivitet maksimal  në auditimin më profesional të fondeve publike në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve në Shqipëri”, përfundoi z. Leskaj.

Në këtë aktivitet e mori fjalën edhe Ambasadori Fuqiplotë i Republikës së Polonisë në Shqipëri, z. Karol Bachura i cili vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm midis Kontrollit të Lartë të Shtetit me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë  i konkretizuar me implementimine projektit të binjakëzimit për ngritjen e kapaciteteve dhe krijimin e një kornize institucionale sa më afër modeleve evropiane të institucioneve supreme të auditimit. Ky projekt i ri do tʹi  ngrejë në një nivel më cilësor kapacitetet audituese sidomos lidhur me kontratat e partneritetit publik-privat për të forcuar mbikqyrjen publike në mënyrë që të shmanget trajtimi i këtyre rasteve nga organi i hetimit (4 P: prokurori- partneritet -publik- privat)