Raporti vjetor i performancës KLSH 2015

 

untitled1Qëndrueshmëria e financave publike dhe besueshmëria e qeverisjes, janë kthyer sot në sfida dhe objektiva qendrore për Bashkimin Europian, për vendet e tjera të zhvilluara dhe vendet në zhvillim. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon ka theksuar se: “Besimi ndërmjet qytetarëve, ndërmjet shteteve, dhe në vetë konceptin e qeverisjes është një nga nevojat më vitale për paqen dhe prosperitetin e njerëzimit”.

E ndodhur përpara pasojave të krizës botërore ekonomike dhe financiare 20082012 (e cila u shkaktua dhe nga informacioni i mangët apo i devijuar fiskal dhe financiar) dhe domosdoshmërisë së disiplinimit të mëtejshëm të financave publike dhe rritjes së transparencës fiskale e financiare të qeverisjes kudo në botë, OKB ka gjykuar se partnerët më të rëndësishëm të qeverive në botë, në përballimin e këtyre sfidave janë SAI-t dhe organizata e tyre mbarëbotërore, INTOSAI.

Më 22 dhjetor 2011 dhe me 19 dhjetor 2014, në kuadrin e Axhendës së saj të Zhvillimit Post 2015, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka miratuar dy rezoluta për institucionet supreme të auditimit, Rezoluta A/66/209 "Nxitja e eficiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke forcuar Institucionet Supreme të Auditimit" dhe Rezoluta A/69/228: "Promovimi dhe fuqizimi i eficiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, me anë të forcimit të Institucioneve Supreme të Auditimit".

Një çështje thelbësore sot në punën e një SAI, është përcaktimi i saktë i matësve të performancës dhe efektivitetit të auditimit. Treguesit më të mirë dhe më gjithëpërfshirës janë treguesit që marrin parasysh efektivitetin dhe rrezikun, me gjithë problemet që shoqërojnë auditimin. Në përshëndetjen e tij drejtuar KLSH në 90 vjetorin e krijimit në maj 2015, Kontrollori i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit Qeveritar të SHBA-së, z. Gene L. Dodaro theksoi se:

Institucionet Supreme të Auditimit janë vitalë për të ndihmuar përmirësimin e performancës së qeverisë, për të arritur më shumë transparencë, si dhe për të siguruar përgjegjshmëri në kontekstin e sfidave aktuale”.

N jë dimension tjetër, atë këshillues të SAI-ve, e ka përcaktuar Dr. Jozef Moser, Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, në Simpoziumin OKB-INTOSAI të vitit 2013, i cili ka cilësuar se: “ SAI-t mund të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre për të kontribuar në qeverisjen e mirë publike vetëm nëse, duke u bazuar në punën e tyre të auditimit, ata gjithashtu angazhohen në veprimtari këshillimore dhe ofrojnë rekomandime specifike për subjektet e audituara dhe për vendim-marrësit”.

Raporti i performancës vjetore të KLSH-së, është një përmbledhje e rezultateve kryesore të arritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij për periudhën Janar - Dhjetor 2015, duke u fokusuar në kryerjen e analizës SWOT dhe mbi bazën e Kuadrit të Matjes së Performancës (PMF) së SAI-ve.

Matja e punës nëpërmjet treguesve të performancës, të cilët përmbledhin standardet ISSAI dhe praktikat e tjera më të mira të përcaktuara nga INTOSAI, jep një pasqyrë të të gjitha fushave më të rëndësishme të aktivitetit dhe rezultateve të një SAI. Ajo përfshin si proceset e brendshme të institucionit (mënyrën e organizimit, zbatimin e rregullores së brendshme, zhvillimin e burimeve njerëzore, etj), ashtu edhe komunikimet me jashtë (partneritetet, komunikimin me qytetarët dhe publikun, etj.) dhe rezultatet e veprimtarisë audituese. Matjet objektive të performancës në formën e treguesve, e bëjnë të përshtatshëm edhe krahasimin e performancës së aktivitetit të SAI-t në intervale të dhëna kohe.

Orientuar nga këto drejtime bazë të punës së një SAI, raporti i performancës së KLSH-së, për vitin 2015, është kryer bazuar në Dokumentin Standard të Matjes së Performancës së SAI-ve (dokument ky i lançuar dhe promovuar nga Kongresi INCOSAI 21 i organizatës INTOSAI i tetorit 2013, i cili po përdoret gjerësisht nga SAI-t e zhvilluara për të vlerësuar rezultatet e tyre por që është ende i pazyrtarizuar), si dhe në Analizën SWOT, e cila na lejon të identifikojmë pikat e forta dhe të dobëta të aktivitetit auditues dhe të menaxhimit institucional.

Dokumenti standard i INTOSAI-t ka një grup prej 24 treguesish për të matur performancën e SAI-ve kundrejt praktikave më të mira ndërkombëtare në shtatë fusha:

(1) Performanca e SAI-ve, (2) Pavarësia dhe Korniza Ligjore, (3) Strategjia për Zhvillimin Organizativ, (4) Standardet e Auditimit dhe Metodologjia, (5) Menaxhimi dhe Strukturat Mbështetëse, (6) Burimet Njerëzore dhe Komunikimi, si dhe (7) Menaxhimi i Palëve të Interesuara.

KLSH, në bazë të kornizës së treguesve të performancës së SAI-ve, si dhe të mjedisit dhe kushteve specifike të vendit, ka përcaktuar 14 tregues kryesore performance në dy kolonat e veprimtarisë së tij: puna audituese dhe menaxhimi institucional, dhe pikërisht: 1. Auditimet dhe ecuria e tyre; 2. Dëmi ekonomik i zbuluar dhe dobishmëria; 3. Rekomandimet me impakt të lartë; 4. Numri i rekomandimeve; 5. Niveli i zbatimit të rekomandimeve; 6. Kallëzimet penale; 7. Auditimet e performancës; 8. Kuadri ligjor; 9. Strategjia e KLSH-së; 10. Zhvillimi i burimeve njerëzore; 11. Kontrolli i cilësisë; 12. Transparenca dhe komunikimi; 13. Aftësia për partneritet (me partnerë vendas dhe të huaj); 14. Kërkimi shkencor dhe botimet.

Treguesit, në Raportin e Performancës së KLSH-së për vitin 2015, krahas niveleve të arritura vjetore, janë vendosur në raporte krahasimore dinamike me treguesit e veprimtarisë së viteve të mëparshme, ç’ka mundëson një informacion të shtrirë në kohë dhe ndihmon në perceptimin e tendencave dhe ritmeve të zhvillimit të procesit auditues. Raporti jep edhe fokusin e veprimtarisë audituese të KLSH në vitin 2016, i cili, krahas konsolidimit të auditimeve të përputhshmërisë, të performancës e auditimeve të teknologjisë dhe informacionit do të zhvillojë më tej auditimin financiar por jo vetëm. Krahas veprimtarisë audituese KLSH do të fokusohet në ndjekjen me përkushtim të realizimit të rekomandimeve të institucionit për largimin nga puna të zyrtareve të lartë përgjegjës për shkeljet e rënda të konstatuara dhe që përmbajnë edhe elementë të veprave penale, si dhe do të kryejë auditimet e performancës të përqendruara kryesisht në marrëveshjet koncesionare, në partneritetet publik-privat, në zbatimin e proceseve të privatizimit ne fushën e hidrokarbureve, në performancën e ekspertizave kontabël të shoqërive publike, zbatimin e reformës së ndarjes së re administrative territoriale, etj., me synim shëndoshjen e mëtejshme të financave publike të vendit dhe uljen e risqeve fiskale. Kontrolli i Lartë i Shtetit, si Institucioni më i Lartë i Auditimit Publik në vend, do të vijojë në rrugën e reformimit institucional, në funksion të një auditim sa më cilësor, në shërbim të qytetarit, të orientuar drejt rritjes së përgjegjshmërisë, mirëqeverisjes dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike.

Bujar LESKAJ

Raporti vjetor i performancës KLSH 2015 (shqip)

Raporti vjetor i performancës KLSH 2015 (anglisht)