Raporti vjetor i performancës KLSH 2014

 

performanca_copy_1_2259_0

Viti 2014 ka përfaqësuar për KLSH vitin e dytë të zbatimit të Strategjisë së tij të Zhvillimit 2013-2017, të bazuar në drejtimet kryesore strategjike të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, strategji e cila synon sjelljen e veprimtarisë audituese të institucionit në parametrat e institucioneve të zhvilluara simotra të Bashkimit Evropian, në respektim të plotë të mandatit kushtetues të KLSH dhe të pritshmërive të Kuvendit dhe qytetarëve.

Në tërësi, nisur nga sasia dhe cilësia e auditimeve të kryera, nga gjetjet dhe rekomandimet e dhëna, nga përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me fondet publike, viti 2014 përfaqëson vitin e konsolidimit të reformave të ndërmarra gjatë viteve 2012-2013 dhe vit në të cilin institucioni ka fituar ne mënyrë më të plotë fizionominë e një institucioni modern të auditimit suprem publik, me qasje evropiane.

Filozofia e re e punës ka synuar zbatimin rigoroz të standardeve profesionale të fushës ISSAI, duke realizuar shkëputjen përfundimtare të KLSH nga tradita shumëvjeçare e një strukture të orientuar për nga inspektimi financiar, në një trupë auditimi që kërkon shtimin e vlerës së parasë publike të shpenzuar për investime dhe shërbime ndaj qytetarëve, duke u përqendruar në auditimin e mirëfilltë financiar dhe në auditimin e performancës, pa harruar investimin në teknologji dhe në dijet për realizimin e auditimeve të teknologjisë së informacionit.Auditimet tona për vitin 2014 janë përzgjedhur mbi bazën e analizës së riskut dhe kanë synuar rritjen e thellësisë së gjetjeve të auditimit dhe dobishmërisë së rekomandimeve, duke e parë institucionin e audituar në funksionimin e tij në sistem.

KLSH ka vënë theksin në plotësimin e rekomandimeve të auditimeve të mëparshme, duke kërkuar rritjen e nivelit të përgjegjshmërisë dhe transparencës së menaxhimit të institucioneve të audituara. Në dhjetor 2014, në një kohë që përkon afërsisht me miratimin e Rezolutës së Dytë të Kombeve të Bashkuara, kushtuar forcimit dhe mbështetjes së institucioneve supreme të auditimit dhe organizatës së tyre INTOSAI, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri organik të KLSH, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t, duke zbatuar rekomandimet e Progres Raporteve të Bashkimit Evropian dhe duke i siguruar institucionit bazën për një modernizim të plotë të aktivitetit të tij auditues.

Gjatë vitit 2014, KLSH ka rritur dhe konsoliduar më tej hapat e ndërmarrë në vitet 2012 dhe 2013 për një transparencë të plotë me publikun dhe qytetarët, nëpërmjet njoftimeve për shtyp, botimeve të tij, editorialeve të shkruara nga audituesit në shtypin shqiptar dhe realizimit të Konferencës së Tretë Shkencore për Auditimin Publik. Institucioni ka konsoliduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si DGBudget, SIGMA dhe institucionet simotra evropiane, por edhe me profesoratin shqiptar, me organizatat profesionale të vendit dhe me shoqërinë civile, drejt një qasjeje të re gjithëpërfshirëse, ku këta partnerë, krahas aktiviteteve të përbashkëta, japin kontribut edhe në procesin e vetëvlerësimit të institucionit dhe në rritjen e integritetit të tij.

KLSH ka përqafuar qasjen IntoSAINT të organizatës INTOSAI, të vetëvlerësimit të integritetit, duke synuar rritjen e integritetit jo vetëm brenda tij, por edhe kufizimin dhe parandalimin e korrupsionit në institucionet që ai auditon, nëpërmjet vetëvlerësimit të integritetit. Viti 2014 shënoi edhe konsolidimin e investimit në kapacitetet audituese, duke qenë viti i tretë radhazi i arritjeve të treguesve perëndimorë në ditët e trajnimeve në vit për auditues, nisur nga një bazë e papërfillshme e trashëguar nga vitet e mëparshme.Të gjitha këto arritje dhe tregues janë vetëm fillimi i qasjes së re, për një auditim sa më cilësor, në shërbim të qytetarit, të orientuar drejt shëndoshjes së plotë të financave publike dhe rritjes së përgjegjshmërisë dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike.

Është siguruar një bazë e mirë për reformim të mëtejshëm, e konsoliduar gjatë vitit 2014, por për plotësimin e sfidave të mësipërme, KLSH ka nevojë për një bashkëpunim sa më efektiv me Kuvendin, me institucionet e tjera të pavarura që luftojnë për mirëqeverisjen publike dhe kundër korrupsionit, me Qeverinë, shoqërinë civile dhe qytetarin. Falenderim i veçantë Në cilësinë e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe në emër të të gjithë trupës së audituesve dhe punonjësve mbështetës në institucion, falenderoj në mënyrë të veçantë z. Erion Braçe, Kryetar i Komisionit të Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, si dhe deputetët e të gjitha partive politike anëtarë të këtij Komisioni për ndihmën, mbështetjen dhe sugjerimet e tyre tejet të vlefshme në procesin e diskutimit dhe miratimit të ligjit të institucionit, si edhe mbështetjen dhe mirëkuptimin e treguar sa herë që KLSH ka raportuar në Komision gjatë vitit 2014 dhe 2015.

Kjo ndihmë dhe mbështetje e vyer, në linjë me kërkesat e dy Rezolutave të OKB-së të viteve 2011 dhe 2014, për forcimin dhe mbështetjen e institucioneve supreme të auditimit, krahas inkurajimit dhe nxitjes së audituesve për të rritur profesionalizmin e tyre dhe përpjekjet për të kontribuar më me efektshmëri në mirëqeverisjen publike dhe në thellimin e luftës ndaj korrupsionit, përbën vlerë për Kontrollin e Lartë të Shtetit në sfidat e viteve të ardhshme, që synojnë modernizimin e plotë, duke realizuar tërësisht objektivat e Strategjisë së Zhvillimit 2013-2017 të KLSH-së (rishikuar për periudhën 2015-2017), si dhe duke respektuar pritshmëritë e Kuvendit dhe të qytetarëve në misionin e tij kushtetues, si institucion suprem i auditimit publik në Shqipëri.

Bujar LESKAJ