raportiKontrolli i Lartë i Shtetit në përmbushje të misionit Kushtetues si dhe në zbatim të Ligjit 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ka realizuar aktivitetin auditues mbi zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit të aplikuara nga institucionet supreme të auditmit dhe të praktikave më të mira të komunitetit të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t.  Sikurse është artikuluar dhe faktuar, filozofia e aktivitetit auditues thelbësisht udhëhiqet nga ISSAI 12 “Vlera dhe përfitimet e Institucioneve Supreme të Auditimit” duke synuar që të jemi vlerë e shtuar dhe të ndikojmë për të ndryshuar jetën e qytetarëve.

Objektivi kryesor i këtij raporti është dhënia e opinionit për Raportin që Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka paraqitur në Kuvend “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2018” duke u shprehur për rregullaritetin e transaksioneve dhe saktësinë e raportimeve që kanë të bëjnë me zbatimin e buxhetit, përdorimin e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave dhe fondeve të kontigjencës, raportimin e borxhit publik, funksionimin e sistemeve të menaxhimit financiar e kontrollit dhe organizimin e funksionimit të auditimit të brendshëm në sektorin publik.

Gjithashtu, duke aplikuar qasjen dhe zhvillimet e fundit të doktrinës së auditimit të jashtëm publik të konsoliduar në Kongresin e XXIII-të i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të “Auditimit, INTOSAI-t, sipas të cilit “qeverisja duhet parë si një e  tërë”,  KLSH-ja ka adresuar dhe  evidentuar statusin e treguesve kryesorë të objektivave strategjikë të qeverisë bazuar në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020. Në këtë mënyrë institucioni suprem i auditmit shqiptar kontribuon në realizimin e përparësive dhe objektivave kombëtar duke ofruar  “vlera dhe përfitime” më të mëdha për palët e interesuar dhe për qytetarët

Kontrolli i Lartë i Shtetit në zbatim të kërkesave të ISSAI-ve dhe specifikisht të ISSAI 1700 ka formuluar opinionin dhe raportin e zbatimit të buxhetit të shtetit për vitin 2018, i cili është bazuar në gjetjet dhe rekomandimet e auditimeve për institucionet e qeverisjes qendrore, njësitë e qeverisjes vendore, të entiteteve të tjera publike si dhe, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Fokusi i punës audituese në përgatitjen e Raportit të Zbatimit të Buxhetit për vitin 2018, ka qenë identifikimi edhe i risqeve kryesore për financat publike në kontekst afatmesëm dhe afatgjatë, kjo në këndvështrimin e një audituesi të jashtëm publik. Nisur nga auditimet të realizuara për gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018 dhe 9/mujorit të vitit 2019 në entitet publike dhe në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, mbi programimin, realizimi, monitorimin dhe raportimin e zbatimit të buxhetit të vitit 2018, si dhe pas shqyrtimit të observimeve dhe ballafaqimit të problematikave, Kontroll i Lartë i Shtetit, konkludon me një opinion të pavarur “Mbi Zbatimin e Buxhetit të vitit 2018”.