RAPORT PËR ZBATIMIN E BUXHETIT TË SHTETIT TË VITIT 2017

raporti 2017Kontrolli i Lartë i Shtetit auditoi Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, duke i kushtuar vëmendjen çështjeve që lidhen me zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2017, mbi respektimin e kërkesave të kuadrit rregullator ligjor, specifikisht kërkesave të Ligjit nr. 9936, datë 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligjit nr. 130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017”,i ndryshuar, Ligjin nr. 10296 datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar, VKM nr. 50 datë 05.02.2017 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, i ndryshuar, si dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të tyre.

Objektivi kryesor i këtij auditimi është dhënia e opinionit për Raportin që Ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe Këshilli i Ministrave paraqet në Kuvend “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2017” duke audituar jo vetëm rregullaritetin e transaksioneve por edhe saktësinë e raportimeve që kanë të bëjnë me zbatimin e buxhetit, përdorimin e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave dhe fondeve të kontigjencës, raportimin e borxhit publik, funksionimin e sistemeve të menaxhimit financiar e kontrollit dhe organizimin e funksionimit të auditimit të brendshëm në sektorin publik.

Është hera e parë që për formulimin e opinionit, Kontrolli i Lartë i Shtetit është bazuar në standardet e auditimit të INTOSAI-i duke respektuar kërkesat e ISSAI 1700.

Në vëmendjen kryesore të auditimit, kanë qënë çështjet që kanë të bëjnë me vlerësimin e saktësisë së treguesve të konsoliduar fiskalë të buxhetit:

1. Të ardhurat dhe shpenzimet e përgjithshme buxhetore
2. Deficiti e burimet e financimit të tij
3. Saktësia e raportimit të Borxhit Publik dhe Shërbimit të tij.
4. Sisitemet e kontrollit në zbatim të buxhetit që garantojnë disiplinën fiskale.

Grupi i auditimit ka patur si objektiv cilësinë e raportimit të treguesve të realizimit të buxhetit, transparencën ndaj publikut, dhe dhënien e opinionit për mënyrën se si janë menaxhuar financat publike gjatë vitit 2017, si dhe ndjekjen e objektivave strategjikë të qeverisë bazuar në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020.

Qëllimi i punës audituese në përgatitjen e Raportit të Zbatimit të Buxhetit për vitin 2017, ka qënë identifikimi edhe i risqeve kryesore për financat publike në konteks afatmesëm dhe afatgjatë, kjo në këndvështrimin e një audituesi të jashtëm publik. Nisur nga auditimi në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, konstatimet në punën tonë audituese mbi programimin, realizimi, monitorimin dhe raportimin e zbatimit të buxhetit të vitit 2017, observimet dhe ballafaqimi i problematikave, Kontroll i Lartë i Shtetit, konkludon me një opinion të pavarur “Mbi Zbatimin e Buxhetit të vitit 2017”.

pdfRaport “Mbi Zbatimin e Buxhetit të Shtetit për Vitin 2017”