Prononcim i Kryetarit të KLSH-së për përfundimin e mandatit të tij në dhjetor të vitit 2018

17.09.2018

Me Vendimin Nr. 27, datë 20 prill 2018, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka miratuar Kodin Etik të Kryetarit të KLSH-së, në të cilin, në Nenin 4 cilësohet se “Kryetari i KLSH-së, në ndjeshmëri të lartë dhe përgjegjshmëri maksimale ndaj pasojave të  problematikës që paraqitet përpara titullarit të një institucioni kushtetues të pavarur që mund të rikandidojë për pozicionin që mban, problematikë e cila rrezikon të cënojë pavarësinë e institucionit të pavarur kushtetues që ai drejton, e deklaron publikisht përgjatë viteve që ushtron aktivitetin synimin dhe vullnetin e tij për të mos rikandiduar, si dhe, katër muaj përpara datës së mbarimit të afatit të qëndrimit në detyrë, i adreson zyrtarisht Presidentit të Republikës kërkesën për mos rikandidim për t’u rizgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Me shkresë nr. 1007, datë 2 shtator 2018, Kryetari i KLSH i ka bërë me dije Presidentit të Republikës vullnetin e tij për të mos rikandiduar për një mandat të dytë, në respekt të Kodit të Etikës së Kryetarit të KLSH-së të miratuar me Vendimin Nr. 27, datë 20 prill 2018.

Po më datë 2 shtator 2018, me shkesat zyrtare përkatëse, Kryetari i KLSH i ka bërë me dije të njëjtin vullnet mos-rikandidimi të tij për një mandat të dytë z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe z. Erjon Braçe, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit.   

Në këto shkresa, Kryetari i KLSH ka shprehur bindjen se përshpejtimi i përzgjedhjes së një kandidature për Kryetar të KLSH-së dhe të Kryetarit të ri brenda dhjetorit 2018, kohë kur mbaron mandati i tij, do të mundësojë realizimin me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të auditimeve të përdorimit të fondeve dhe aseteve publike, duke garantuar vijimin  e reformimit të plotë të institucionit të KLSH, të nisur dhe thelluar gjatë mandatit të tij që nga fundi i dhjetorit 2011 e deri më sot, në dobi të modernizimit të institucionit, në përputhje me standardet ISSAI të INTOSAI-t dhe me pritshmëritë e Kuvendit dhe të qytetarëve.