Promovohet libri “Kush jemi ne shqiptarët” i studiuesit Ndriçim Kulla

23.11.2015

 

Në datën 19 nëntor 2015, në Hotel Tirana Internacional, u zhvillua promovimi i librit “Kush jemi ne shqiptarët”, i studiuesit Ndriçim Kulla, botim i cili vjen si një vështrim historik, kulturor, sociologjik dhe psikologjik mbi kombin shqiptar.
    
untitled_copy_1Në promovimin e librit morën pjesë Kryetari i KLSH, z. Bukar Leskaj, Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, studiuesi dhe filozofi i njohur, z. Përparim Kabo, Prof.As. Dr. Zamira Çavo, si dhe të ftuar e pjesëmarrës që përfshinin gjithë fushat, studiues, pedagogë, filozofë, politikanë, juristë, auditues të KLSH-së, etj.

Në një libër voluminoz prej 400 faqesh, z. Kulla ndalet në nivele krahasuese për të gjetur përgjigjen e pyetjes “Kush jemi ne shqiptarët?”, raportin tonë me të shkuarën, terrenin dhe formimin psikologjik të njeriut shqiptar si dhe vetitë e karakterit të tij. Pyetja “Kush jemi në shqiptarët”, e ka çuar  autorin nga mendimi shqiptar tek filozofia shqiptare.

Autori  është përpjekur të organizojë një libër si pjesë elitare me impakt dhe në një përshkrim  të përgjithshëm, z.Kulla shprehet se  “kontrastet ekzistojnë edhe brenda karakterit tonë individual. Ne jemi të rezervuar, por individualist, bujarë, por vuajmë nga kotësia mikpritës, por edhe hakmarrës, e mbajmë fjalën por jemi edhe dyshues”.

Botimi mori vlerësime të shumta nga akademikë dhe studiues të tjerë të pranishëm në ceremoni.