Promovohet libri “Burg në liri” i autorit Hysen Haxhiaj

01.10.2015

Në datën 1 Tetor 2015, në sallën e Akademisë së Shkencave u organizua promovimi i Librit “Burg në Liri”, i autorit Hysen Haxhiaj.

untitled_2000_0Në këtë promovim morën pjesë personalitete të vendit, profesorë, artistë, të afërt, miq dhe shokë të autorit. Njëkohësisht ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Bujar Leskaj, z.Bedri Çoku, etj. I konceptuar si një libër me përmbledhje në vite, publicistika, ese dhe poezi, në fokus të këtij libri evidentohet qëndresa e njerëzve më të mirë të këtij vendi përballë diktaturës komuniste, vuajtjet dhe persekutimi i tyre. Libri të trondit, si me historinë origjinale të fakteve rrënqethëse nga jeta në diktaturë, hetuesia, burgu, internimi etj, ashtu edhe nga paraqitja me ngjyra bardhë e zi të ferrit të Spaçit, Ballshit apo Qafë Barit. Poezitë e Haxhirajt janë diej të vegjël të dalë nga shpirti ku njerëzit e zhgënjyer mund të ngrohin veten në ditët e egra të acarit shqiptar. Vargje të figurshme të ngarkuara me metafora dhe filozofi autentike, me një muzikalitet dhe frymëmarrje bashkëkohore. Poezi si ajo për motrën, bashkëshorten, shkrimtarëve komunist, babait, poema Mallakastër, të zgjojnë emocione për forcën artistike dhe ndjeshmërinë e thellë. Është një libër i ngarkuar me mesazhe të fuqishme për të sotmen, por më tepër për të ardhmen.