Promovimi i librit “Tragjedia e Inteligjencës së naftës”

24.06.2016

 

nuredin 2

Konferenca e Katërt Shkencore Vjetore e KLSH “Mbi Analizën e Riskut”, e zhvilluar në datat 20-22 qershor 2016, u mbyll me ceremoninë e promovimit të librit të z.Nuredin Skrapari “Tragjedia e Inteligjencës së naftës”, botim i cili do ti shërbejë forcimit të kujtesës historike.
Në fjalën e përshëndetjes, z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH, vlerësoi figurën e autorit të librit, si një fisnik i vërtetë, një njeri që pranon më mirë një jetë të zezë me faqe të bardhë, sesa një jetë të bardhë me faqe të zezë, një personalitet të rezistencës antikomuniste me integritet të lartë. “Libri ka një gjuhë profesionale të saktë”, theksoi z. Leskaj. “Kjo analizë e dobishme e tragjedisë me inteligjencën e naftës duhet të dihet e te lexohet nga çdo  Shqiptar, sidomos nga brezi i ri.
Libri tregon me shumë realizëm punën e ndershme dhe të përkushtuar të specialisteve të asaj kohe të naftës shqiptare dhe “shpërblimin”e zi që ata morën nga diktatura për përpjekjet e tyre, duke u persekutuar, burgosur e pushkatuar. Ai është një nga shembujt e qëndresës që lartëson kurajën dhe patriotizmin e atyre njerëzve të rënë gjatë regjimit komunist.    

nuredin 1

Zoti Skrapari ndau me pjesëmarrësit e konferencës historinë tragjike të tij dhe të grupit elitar të inxhinierëve që u burgosën nga regjimi komunist, një pjesë prej të cilëve edhe u pushkatuan si sabotatore në nxjerrjen e naftës. KLSH e përzgjodhi këtë libër për dy arsye. Së pari për të sjellë në vëmendje të publikut që forcimi i kujtesës historike eliminon çdo risk për rikthimin e diktaturës. Arsyeja e dyte qëndron në faktin se rekomandimet e z. Skrapari përkojnë me rekomandimet e dhëna nga KLSH në raportin e auditimit për Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, sikurse janë rishikimi i marrëveshjeve koncensionare dhe ringritja e Institutit Shkencor të Naftës.