Plani Strategjik

strategjiaDr Josef Moser, Presidenti i Gjykatës Austriak të Auditimit dhe Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI, në fjalën e tij në Simpoziumin e 21-të të Përbashkët OKB- INTOSAI për Auditimin e Qeverisë, të mbajtur në Vjenë më 13-15 korrik 2011, theksoi se "Strategjitë e qarta i ndihmojnë SAI-t për të luajtur një rol themelor në ruajtjen e parimeve të qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies, në mënyrë të veçantë në promovimin e efikasitetit të sektorit publik ... Si SAI, ne do të njihemi për punën tonë, vetëm nëse arrijnë të komunikojmë në mënyrë të qartë te qytetarët atë që ne bëjmë dhe vlerën e shtuar që ne gjenerojmë për Shtetin dhe shoqërinë, në mënyrë që ne të perceptohemi si institucione strategjike të domosdoshme, që i shërbejmë interesave të qytetarëve".
Arësyeja e përgatitjes së këtij botimi qëndron tek roli dhe misioni gati i njëjtë që kanë institucionet supreme të auditimit publik(SAI). Ky rol dhe mision është thelbësor për fatet e mirëqeverisjes publike kudo në botë.
Ne si Kontroll i Lartë i Shtetit, si institucioni suprem i auditimit publik(SAI) në vend, kemi përgatitur dhe po realizojmë, me ndihmën e ekspertëve të SIGMA(të cilët i falënderojmë, në mënyrë të veçantë z. Joop Vrolijk) Planin Strategjik të Zhvillimit 2013-2017.
Ky plan është në linjë me misionin, vizionin, qëllimet strategjike dhe vlerat e Planit të Zhvillimit Strategjik 2011-2016 të INTOSAI dhe 2011-2017 të EUROSAI. Lidhja e objektivave të zhvillimit të këtyre dy komuniteteve ndërkombëtare(njëri komunitet botëror dhe tjetri evropian) të auditimit publik suprem me objektivat tona është organike. Një lidhje strukturore(si grupi i njëjtë i gjakut), e fortë, shumë e veçantë, që buron nga misioni i SAI-ve, për përmirësimin e qeverisjes publike, nepermjet rritjes se llogaridhënies dhe transparences. Si çdo institucion tjetër suprem auditimi që kërkon të zhvillohet, ne si KLSH ndajmë të njëjtat vlera, aspirata dhe synime me SAI-t partnere dhe me komunitetet e zhvilluara të SAI-ve. Ato janë Bashkëpunimi, Gjithëpërfshirja, Rinovimi, Profesionalizmi, Integriteti dhe Kredibiliteti.
Sikundër objektivi Nr. 2 strategjik i INTOSAI dhe ai Nr. 1 i EUROSAI është ndërtimi i kapaciteteve profesionale, objektivi strategjik numër një i KLSH është Zhvillimi i kapacitetit institucional të KLSH, amendimi i bazës ligjore dhe rregullatore të KLSH në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira evropiane.
Në linjë me Deklaratën e Pekinit të datës 26 tetor 2013 të Kongresit të XXI të INTOSAI, që thekson se “Auditimi kombëtar duhet të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare për përmirësimin e menaxhimit publik financiar”, objektivat Nr. 1 strategjik i INTOSAI dhe ai Nr. 2 i EUROSAI, që janë zhvillimi i standardeve profesionale ISSAI, përshtaten dhe realizohen tek strategjia ALSAI me objektivat 2, 3 dhe 4. Ato janë Rritja e kapaciteteve audituese dhe e cilësisë së auditimit(2), Përmirësimi i cilësisë dhe shtimi i numrit të auditimeve të performancës(3) dhe Zhvillimi dhe konsolidimi i auditimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe përdorimi i TI në auditim(4).
Objektivi i tretë strategjik si i INTOSAI dhe EUROSAI, “Shkëmbimi i njohurive”, si dhe objektivi i katërt i ALSAI “Qeverisja dhe komunikimi”, janë të pasqyruara në objektivin e 6-të të ALSAI, “Rritja e ndikimit të KLSH përmes Komunikimit dhe Bashkëpunimit”.
Një ide qëndrore i lidh si strategjitë INTOSAI dhe EUROSAI, ashtu dhe strategjinë e KLSH dhe ajo është moto e INTOSAI:”Experentia Mutua Omnibus Prodest(Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë)”. Nga kjo moto burojnë të gjitha nismat strategjike të KLSH, të orientuara dhe nga rekomandimi i Progres Raportit 2013 të BE-së për Shqipërinë, ku theksohet se “auditimi i jashtëm duhet të vijë në linjë me standardet INTOSAI”.
Duam të veçojmë Objektivin tonë të pestë, edhe pse ai mbështetet në mesazhet dhe idetë qëndrore të Kongresit të XXI të INTOSAI në Pekin në tetor 2013, për përmirësimin e qeverisjes publike. Ky objektiv, “Rritja e kontributit të KLSH për qeverisjen e mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit”, është disi specifik, ngaqë merr në konsideratë pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për të luftuar korrupsionin dhe anti-kulturën e pandëshkueshmërisë tek ne.
Misioni i ALSAI është “Informimi i publikut dhe i Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me përdorimin e burimeve me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë nga pushteti qëndror dhe lokal dhe nga njësi të tjera publike, si dhe nxitja e përgjegjeshmërisë në të gjithë sektorin publik, në përputhje me praktikat me të mira të BE dhe me standartet ndërkombëtare të INTOSAI, duke kontribuar për qeverisjen e mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit”.
Ky mision mund të realizohet në praktikë vetëm duke unifikuar orientimet strategjike të EUROSAI, INTOSAI dhe të vetë ALSAI.

Bujar Leskaj