Pjesëmarrje e KLSH-së në Takimin e 16-të Vjetor të EUROSAI WGEA në Bratislavë, Sllovaki

10.10.2018

bratislave 1

Në datat 25-28 Shtator 2018 në Bratislavë, Sllovaki, u organizua Takimi i 16-të i Grupit të Punës për Auditimet Mjedisore të EUROSAI-t (EUROSAI WGEA) me temë: Ndryshimet Klimatike - Fokusimi tek të dhënat. Kjo është një temë shumë e ndjeshme sa i takon çështjeve të mjedisit, mund të quhet tema e ditës, pasi e gjithë vëmendja e politikëbërësve, shkencëtarëve, etj. është fokusuar tashmë në arritjen e zbatimit të politikave të tilla në Europë dhe në gjithë botën, për ngadalësimin e ngrohjes globale duke synuar rritjen e temperaturave të Tokës me të paktën 2 gradë/vit (synimi i vërtetë është edhe më poshtë 2 gradëve), kjo sipas Marrëveshjes së Parisit mbi ndryshimet Klimatike, datë 12.12.2015.

Në lidhje me këtë çështje SAI Sllovak ishte mikpritësi i radhës i këtij takimi, i cili e nisi ditën e tij të parë me fjalët përshëndetëse të Presidentit të SAI-t Sllovak dhe Sekretarit të Shtetit për Ministrinë e Mjedisit në Sllovaki.

Dita e parë e Takimit ishte e organizuar si një seminar me prezantime dhe ushtrime për të gjithë pjesëmarrësit me qëllim:
•prezantimin e llojeve kryesore të të dhënave për ndryshimet klimatike;
•sigurimin e një pasqyre të burimeve dhe përdorimin e të dhënave mbi ndryshimet klimatike;
•prezantimin e mjeteve dhe metodave për analizimin e të dhënave;
•diskutimin mbi aspektet e përdorimit të të dhënave në auditimet që lidhen me ndryshimet klimatike;
•kryerjen ushtrime praktike për të frymëzuar punën e ardhshme të auditimit.

Prezantuesit gjatë ditës së parë ishin nga institucionet: Agjencia Europiane e Mjedisit, Instituti Botëror i Kërkimeve, Gjykata Europiane e Llogarive dhe GAO e Sheteve të Bashkuara.

bratislave 2

bratislave 3

Në ditën e dytë, Takimi u fokusua në auditimet e kryera konkretisht për temën e takimit, dmth. në lidhje me ndryshimet klimatike, ku prezantuan eksperiencën e tyre përfaqësues të SAI-ve Gjerman, Letonez, Sllovak dhe të GAO-s së Sheteve të Bashkuara. U përfshi gjithashtu dhe pjesëmarrja e profesorit Milan Lapin i Universitetit Sllovak, në lidhje me trendin e ndryshimeve klimatike në Europë e kryesisht në Sllovaki. Prezantuan gjithashtu dhe përfaqëses të Komisionit Europian e të OECD-së në lidhje me Marrëveshjen e Parisit mbi Ndryshimet Klimatike.

Në ditën e tretë, Takimi u përqendrua në rritjen e impaktit të auditimeve mjedisore. Takimi u hap me organizimin e një “tregu të përbashkët të ndarjes së eksperiencave” të SAI-ve që kanë ushtruar më parë auditime mbi ndryshimet klimatike, duke krijuar një ambient të këndshëm bashkëbisedimi mbi ndarjen e eksperiencave, për të vijuar më tej me prezantimet e ditës.

Gjatë ditës së katërt dhe të fundit Takimi u përqendrua në auditmet e përbashkëta. Gjatë kësaj dite ishte parashikuar që dhe KLSH të mbante një prezantim të shkurtër në lidhje me ekperiencën në auditimin e përbashkët “Mbi zonat e mbrojtura detare”. Ky është një auditim performance i përbashkët i SAI-ve të vendeve të Mesdheut, ku marrin pjesë SAI-t e Maltës, Qipros, Greqisë, Sllovenisë, Portugalisë, Spanjës dhe Shqipërisë.

KLSH në këtë takim u përfaqësua nga audituesit Artan Mirashi, Keida Muça e Rezart Golemaj.