Pjesëmarrje e KLSH-së në Sesionin Pranveror të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimin e Mjedisit, në Qipro

17.05.2019

Në datat 7-8 Maj 2019, në Kalopanajotis, Qipro, u organizua Sesioni Pranveror i Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimin e Mjedisit me temë: Nga menaxhimi i mbetjeve me drejtim për tek Ekonomia Rrethore.

Në një ekonomi rrethore, mbeturinat minimizohen dhe burimet përdoren më shumë ekonomikisht nëpërmjet përdorimit afatgjatë të produkteve, riciklimit, riparimit dhe ripërdorimit të materialeve.

Në lidhje me këtë temë, SAI i Republikës së Qipros ishte mikpritësi i radhës i këtij takimi, i cili e nisi ditën e tij të parë me fjalët përshëndetëse të Presidentit të këtij SAI.

qipro1

Gjatë ditës së parë të Takimit, prezantimet kishin të bënin me impaktin e mbetjeve dhe ishin të fokusuara tek tipet e ndryshme të mbetjeve të gjeneruara dhe auditimi i tyre në bazë të qasjes së secilit SAI, ku përmendim: SAI i Qipros – Auditimi i mbetjeve të gjeneruara nga ambalazhet; SAI i Letonisë – Impakti financiar i auditimit të mbetjeve; SAI i Lituanisë – Përzgjedhja dhe kryerja e auditimeve mbi mbetjet me qëllim inkurajimin e ndryshimeve në këtë drejtim. SAI Çek kishte përgatitur një prezantim të ndërtuar mbi analizën e riskut në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Në lidhje me mbetjet ushqimore, u ndoqën me interes prezantimet nga përfaqësuesit e SAI-t Belg dhe ECA-s.

Gjatë ditës së parë u organizuan dhe diskutime në grupe, gjatë të cilave pjesëmarrësve iu kërkua të bëheshin pjesë e njërit nga tre grupet e mëposhtme, ku u diskutuan temat:

1. Mbetjet plastike
2. Ekonomia Rrethore
3. Lëvizja ndërkufitare e mbetjeve

Gjatë ditës së dytë prezantimet u zhvendosën në pjesën e dytë të temës së këtij Takimi, Ekonomia Rrethore. Prezantimet ishin nga përqësuesit e SAI-ve të Qipros, Finlandës, Estonisë, Spanjës dhe Sllovenisë. Vlen të përmendet se prezantimet me këtë temë, siç u theksua dhe nga pjesëmarrësit, ishin akoma në fazën teorike, pasi asnjë auditim nuk është ushtruar akoma nga ndonjë SAI me temë direkte mbi Ekonominë Rrethore, duke qenë se ky është një koncept akoma i ri në lidhje me menaxhimin e mbetjeve dhe lidhjen me ekonominë.          

qipro2

qipro3

Dita e dytë u mbyll me prezantimin e përfaqësueses së ECA-s, e cila solli angazhimin dhe eksperiencën e deritanishme të ECA-s, për t’u khtyer në një institucion që prodhon zero mbetje plastike dhe i ftoi të pranishmit të shikojnë mundësinë për të ndjekur këtë shembull në SAI-t përkatëse, pasi nuk është aq e pamundur apo e vështirë sa mund të duket.

KLSH në këtë takim u përfaqësua nga auditueset Keida Muça, Redina Karapici dhe Joniada Goçaj.