Pjesëmarrja e përfaqësuesve të KLSH-së në iniciativën e bashkëpunimit midis Institucioneve të Auditimit Suprem (SAI) në auditime paralele të performancës, PPA II. (Paralel Performance Audit) Shkup, Maqedoni

Në datat 7, 8, dhe 9 Mars në qytetin e Shkupit u mbajt takimi i pestë i përfaqësuesve të      institucioneve të SAI-ve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Suedia, si dhe përfaqësuesve nga ECA, në vijim të bashkëpunimit të vendeve të rajonit në auditime paralele performance e iniciuar për herë të dytë nga SNAO Suedi (Paralel Performance Auditim PPA II).

maqedoniNë këtë aktivitet nga KLSH morën pjesë tre përfaqësues; z. Aulent Guri, Kryeaudituesi Departamentit të Performancës, z. Alfred Zylfi dhe znj. Elfrida Agolli, Auditues. Takimi u përshëndet nga znj. Tanja Tanevska Auditues i Përgjithshëm, Zyra e Auditimit të Shtetit të Maqedonisë. Në këtë takim, nga të gjitha vendet pjesëmarrëse u diskutuan arritjet e tyre në auditimin e dakordësuar me tema mbi “Prokurimin Publik”. Gjatë tri ditëve të punës në këtë bashkëpunim rajonal për realizimin e PPA II nga grupet e tetë SAI-ve pjesëmarrëse u diskutua, si në grupe të vogla audituesish dhe në ekipe të tyre për:

•Procesin e Prokurimit Publik në vendet e tyre;
•Evidencat e auditimit që janë mbledhur, analizën dhe interpretimin e tyre;
•Problemet më të shpeshta që janë vërejtur, duke përfshirë pasojat e këtyre problemeve;
•Përmirësimin e gjetjeve nëpërmjet analizave më të thelluara e të detajuara;
•Hartimin në formë piramide të pyetësorëve për krijimin e një terreni sa më të përshtatshëm dhe frytdhënës në gjetjen e mangësive në subjektet e audituara;
•Mënyrën e shkrimit të raportit tëauditimit për ta bërë atë sa më të qartë për lexuesin.

Të gjitha diskutimet kishin si qëllim krijimin e një baze për kryerjen e një auditimi sa më efektiv, paraqitjen e tij në mënyrë sa më të përshtatshme e të thjeshtë për lexuesin si edhe rritjen e shkëmbimit të njohurive dhe përvojës mes audituesve e institucioneve të vendeve që ato përfaqësonin. Gjithashtu, gjatë këtij takimi pune nga përfaqësuesit e SNAO (Suedi) dhe përfaqësuesit e ECA (Gjykata Evropiane e Audituesve) u diskutuan tema mbi zhvillimin, përsosjen e auditimit të performancës, e konkretisht:

•Komunikimi me subjektet e audituara;
•Dokumentimi i auditimit;
•Ndërtimi i një strukture të përgjithshme për planet e punës në auditimin e performancës;
•Skanimi, analiza e riskut dhe problemi;
•Analiza në planifikimin e auditimit të performancës;
•Kriteret, pyetjet dhe matricën e projektimit në auditimin e performancës;
•Parime dhe koncepte bazë mbi atë që përfaqëson auditimi i performancës.

Ditën e parë të workshop-it të gjitha SAI-t pjesëmarrëse prezantuan punën e tyre të deritanishme, gjetjet si dhe pritshmëritë nga auditimi i tyre. Prezantimi i KLSH-së, krahas njohjes në tërësi me temën dhe qëllimin e auditimit të Menaxhimit të Prokurimit Publik u fokusua në pyetjet kryesore të këtij auditimi si më poshtë:
•A e ka realizuar Agjencia e Prokurimit Publik (APP) siç duhet funksionin monitorues për procedurat e ndjekura të prokurimit publik? 
•A i ka monitoruar APP kriteret teknike të vendosura nga Autoriteti Konkurrues për prokurimet që kanë kaluar me procedurën negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës?
•A e ka monitoruar APP argumentimin e “emergjencës” në përdorimin e procedurës negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës?

Në ditët në vazhdim u diskutua më në detaje në ekipe të ndara midis përfaqësuesve të dy apo tre SAI-ve dhe ekspertëve që drejtonin këtë workshop për problematika të ndryshme lidhur me formulimin e pyetjeve, mënyrën e të shkruarit sa më thjeshtë etj. Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua ishte kryerja e vlerësimeve apo llogaritja në vlerë monetare nga grupet e auditimit të dëmeve të ndryshme që shkaktojnë subjektet e audituara. Duhet theksuar se ky ishte një rekomandim i cili duhet parë me përparësi në auditimet e ardhshme të performancës. Edhe pse të vetëdijshëm për vështirësinë e implementimit të këtij rekomandimi ekspertët e SNAO-s sugjeruan mundësinë e përdorimit të tij edhe nëse nuk arrihet në përfundime plotësisht të sakta, pasi ato do të ndihmojnë për t’i dhënë një mesazh më të plotë publikut dhe organeve qeverisëse mbi dëmet që kanë ardhur si pasojë e menaxhimit të dobët të një subjekti të caktuar.

Takimi i rradhës u vendos të organizohet në Beograd në datën 5 Qershor 2017. Në këtë takim të gjitha grupet e auditimit të SAI-ve pjesëmarrëse do të vijnë me Draft – Raportet përkatëse të cilat do të përfundohen gjatë këtyre dy muajve. Në Draft – Raport do të merren parasysh të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet që u lanë nga ekspertët e SNAO-s dhe ECA-s në “workshop-in” e Shkupit.