Përfaqësuesi i lartë i DG-Budget takon kryetarin e KLSH

07.11.2019

Sot më datë 7 nëntor 2019, Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj takoi në zyrën e tij z. Raymond Hill, Përgjegjës Ekipi (Team Leader) në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit (DG-Budget) të Komisionit Evropian dhe Këshilltar i Lartë i Drejtorit të Përgjithshëm të DG-Budget, z. Salvador Bertomeu Hernandez, DG-Budget dhe dy perfaqesuese te Delegacionit te BE ne Shqiperi .

Z. Hill e falenderoi Kryetarin Leskaj për ftesën në Konferencën e Dytë Shkencore  të audituesve të rinj “Young ALSAI”, të zhvilluar më datën 5 nëntor 2019 në Akademinë e Shkencave dhe për kontributin e KLSH në zbatimin e Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020, duke e cilësuar atë si tejet të rëndësishëm. “Ju keni ligje shumë të mira në menazhimin e financave publike, por zbatimi i tyre në praktikë lë për të dëshiruar dhe këtu vlera e rekomandimeve nga auditimet tuaja mund të ndihmojë shumë”. Përfaqësuesi i DG-Budget vlerësoi hapjen dhe trasparencën për publikun në aktivitetet e KLSH për Muajin e Hapur me Qytetarët 2019, si dhe kërkoi të dinte për konkluzionet e institucionit më të lartë të auditimit në vend, lidhur me punën e strukturave të auditimit të brendshëm, si dhe për statusin e nismës për amendimin e ligjit bazë të KLSH të vitit 2014.

bg

Z. Leskaj falenderoi Komisionin Evropian, në veçanti Drejtorinë e tij të Përgjithshme të Buxhetit, DG-Budget për ndihmën përcaktuese të dhënë në miratimin e ligjit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2014, në perputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-t. “Sa herë Komisioni Evropian nxjerr Progres-Raportin për vendin tonë, ne si institucion reflektojmë për rekomandimet e tij ndaj auditimit publik dhe përcaktojmë një plan veprimi për përmirësimin e punës. Në progres-raportin e fundit, KE rekomandonte fokusim më të madh në auditimet financiare dhe për këtë vit 2019, KLSH ka rritur ndjeshëm numrin e auditimeve financiare dhe dhënien e opinionit mbi pasqyrat financiare të institucioneve buxhetore”, theksoi Kryetari i KLSH.

Në lidhje me zbatimin e Strategjisë për Zhvillimin e Financave Publike 2014-2020, z. Leskaj cilësoi se KLSH në çdo raport te zbatimit të Buxhetit te Shtetit, në takimet në Komisionin për Financat dhe Ekonominë të Kuvendit dhe në daljet në publik ka theksuar se përgjegjësia për suksesin ose jo të kësaj strategjie nuk është vetëm e ministrit të Financave, por të gjitha ministritë e linjes, si dhe institucionet e tjera qendrore dhe ato të pavarura, duke përfshirë edhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, duhen të ndihen përgjegjëse për treguesit e parealizuar të kësaj strategjie. Institucioni i tij ka nënshkruar gjatë periudhës 2012-2019 tre marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, për punë të përbashkët me strukturat e auditimit të brendshëm brenda ketij dikasteri. Marrëveshja e tretë është në takimin e tretë rradhazi të Sekretariatit të Përbashkët, të ngritur për zbatimin e saj.

Z. Leskaj e informoi përfaqësuesin e DG-Budget për rekomandimet e KLSH të shtrira ndër vite për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe propozimin për përgatitjen dhe miratimin e Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik, i cili do të kufizonte ndjeshëm abuzimin dhe shpërdorimin e fondeve publike. Ai i garantoi z. Hill angazhimin e plotë të institucionit për zbatimin e Strategjisë së rishikuar të Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022, ku një nga shtyllat kryesore të së cilës është mbikqyrja mbi financat publike, që realizohet nga auditimi më i lartë publik. 

Z. Leskaj theksoi se KLSH kishte dorëzuar në Kuvend në vitin 2018 draft-amendimet për Ligjin bazë të institucionit të vitit 2014. Këto amendamente synojnë kryesisht të saktësojnë pavarësinë operacionale të Kontrollit të Lartë të Shtetit  dhe të vendosin mbi baza plotësisht ligjore procesin e çertifikimit të audituesve të tij. Kryetari i Kuvendit ka rënë dakord për ngritjen e një nënkomisioni pranë Komisionit parlamentar për Financat dhe Ekonominë, i cili do të trajtojë çështjet e auditimit publik dhe do të ndjekë zbatimin e rekomandimeve të tij.

Kryetari i KLSH e falenderoi në mënyrë të veçantë përfaqësuesin e DG-Budget për bisedën e zhvilluar me audituesit e rinj të institucionit në Konferencën Shkencore  “Young ALSAI” dhe çështjet e trajtuara në të, si dhe e informoi për periudhën e drejtimit të institucionit si Kryetar në detyrë, pas mbarimit të afatit kushtetues në dhjetor 2018, si dhe nevojën e mbështetjes nga DG-Budget dhe strukturat e tjera të BE për institucionet e Shtetit shqiptar, për përshpejtimin e përzgjedhjes së Kryetarit të ri të KLSH.

Z. Raymond Hill ngriti lart punën reformuese të institucionit dhe z. Leskaj për rritjen e numrit dhe të cilësisë së auditimeve të performancës dhe të teknologjise së informacionit, për funksionimin e Sekretariatit të Përbashkët KLSH-Ministri e Financave për një bashkëpunim konkret auditim i brendshëm-auditim i jashtëm, si dhe lobimin për ngritjen e nënkomisionit të dedikuar për çeshtjet e auditimit publik në Kuvend. Ai mirëkuptoi periudhën nga dhjetori 2018 si Kryetar në detyrë dhe vleresoi rikthimin e z. Leskaj në krye të institucionit, duke garantuar përgatitjen dhe dorëzimin në Kuvend të Raportit për Zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2018. “Ajo çfarë bëni ju me shndërrimin në plane pune të sugjerimeve që merrni nga Raportet e Progresit të Komisionit Evropian është një praktikë shumë pozitive, një shembull i mirë, sepse shpreh seriozitetin e angazhimit për reforma dhe integrim nga ana e institucionit tuaj. Ne do të takohemi sërisht vitin e ardhshëm dhe DG-Budget do të vijojë të asistojë zhvillimin tuaj dhe reformat e qarta që keni ndërmarrë”, theksoi përfaqësuesi i lartë i DG-Budget .