Njoftim për shtyp për auditimin e ushtruar në Muzeun Historik Kombëtar (MHK)

23.01.2020

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1441/1, datë 04.01.2019, i ndryshuar me programin nr. 1441/2, ,  datë 07.01.2019, ka kryer auditimin në “Muzeun Historik Kombëtar” , për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2017 deri në 31.12.2018.

Në përfundim të këtij auditimi, u konstatuan devijime nga kuadri ligjor dhe rregullator në fuqi, të cilat u evidentuan në Raportin Përfundimtar të Auditimit, miratuar me Vendimin e Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit me nr. 20, datë 27.07.2019, të cilat flasin më së shumti për thyerje të sistemeve të kontrolleve të brendshme, konkretisht:
- Nga auditimi rezultuan thyerje materiale të sistemeve të kontrollit të brendshëm përgjatë procesit të transferimit të ikonave – objekt i trashëgimisë kulturore, për qëllime restaurimi, pasi u konkludua se:

Kanë munguar procedura/rregullore të brendshme që të përshkruajnë proceset që duhen ndjekur për zhvendosjen e tyre, (pa)shoqëruar me një përcaktim të qartë të roleve dhe përgjegjësive të sektorëve/pozicioneve/palëve të përfshira në proces;

Gjithashtu mosplotësimi i kartelave dhe pasaportave të ikonave, me informacionin përkatës mbi historikun e restaurimeve/konservimeve të kryera ndër vite, ka cenuar gjurmimin e procesit në vetvete;

Ndërsa mungesa e buxheteve për krijimin e kushteve të përshtatshme të konfortit ka shkaktuar dëmtime dhe problematika të përsëritura.

Sa më sipër ka bërë që këto objekte të trashëgimisë kulturore, me vlera të pazëvendësueshme të pasurisë kombëtare, të jenë vazhdimisht të ekspozuara përpara riskut të prishjes, humbjes, vjedhjes, pra “degradimit” të tyre.
- Nga auditimi rezultuan thyerje të kontrolleve përgjatë procesit të krijimit të të ardhurave dytësore (konkretisht nga shitja e biletave), duke kufizuar audituesit në dhënien e sigurisë së arsyeshme mbi shifrat e deklaruara për këtë zë. Duke qenë burim kryesor i të ardhurave që menaxhohen nga vetë Muzeu, për proceset që gjenerojnë këtë kategori të ardhurash, nevojitet të tregohet kujdesi i duhur në mënyrë që ato t’i nënshtrohen menjëherë rregullave të disiplinës financiare.  Forcimi i dokumentimit të proceseve që lidhen më specifikisht me inventarizimin fizik të biletave, pasuar nga ndjekja me kujdes e rasteve kur biletat dalin të pavlefshme; si dhe kryqëzimi i informacioneve nga burime të ndryshme, të gatshme për t’u përdorur (sistemi i IT-së, kasa fiskale, inventarizimet), minimizojnë gjithashtu riskun e mashtrimit dhe parregullsive.

- Nga auditimi rezultuan thyerje të sistemeve të kontrollit që lidhen me mungesën e procedurave transparente të rekrutimit, shtuar kësaj mungesën e përshkrimit të punës dhe si pasojë mungesën e kualifikimeve të kërkuara për pozicionet të cilat nuk japin garanci të arsyeshme që personat e përzgjedhur po përmbushin kriteret e kërkuara dhe/ose që ata janë përzgjedhur nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent rekrutimi.