Një vizitë në ish kampin famëkeq të ish - të burgosurve politikë të Spaçit...

10.06.2015

Në çdo përvjetor  të Kryengritjes së ish - të burgosurve  politikë në kampin - burg të Spaçit  Mirditë, që filloi  më 21 maj  dhe u shtyp më 23 maj 1973, nga forcat e shumta policore dhe ushtarake të shtetit komunist, shkojnë në  atë vend ish -pjesëmarrësit  e kësaj kryengritje që ende janë gjallë dhe ish-të burgosurit politikë që vuajtën  në atë  kamp famëkeq. Midis tyre gjen edhe qytetarë të tjerë që e vizitojnë këtë kamp të projektuar si “varri i armiqve të partisë dhe të popullit”.

spacNë përvjetorin e 43-të të kryengritjes së të burgosurve politikë kundra dhunës dhe shfrytëzimit barbar, mori pjesë edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z. Bujar Leskaj, i cili përshëndeti ish - të burgosurit  politikë  për rezistencën  antikomuniste. Zoti Leskaj pati nderin edhe t’u  dhuronte ish - të burgosurve  librin  ” Revolta e Spaçit “, me autor Bedri Blloshmin, dhe me parathënien e shkruar nga vet Z. Leskaj.   Libri është mbështetur në dokumentet autentike të gjendura në Arkivin e Shtetit, me anë të cilave tregohet  mënyra e zhvillimit të hetuesisë komuniste ndaj njerëzve të arrestuar për pjesëmarrjen në këtë  ngjarje madhore për historinë antikomuniste të popullit shqiptar

Të burgosurit në Spaç, që në fillim ishin 700 vetë, punonin me tri turne, me mjete primitive dhe pa asnjë masë të sigurimit teknik. Për 3 muaj të vitit atje zotëronte bora dhe akulli. Temperatura në dimër zbriste deri në -15 C. Në acarin e dimrit, të burgosurit që nuk realizonin normën, i lidhnin nëpër shtylla me kavo çeliku, duke i mbuluar me borë dhe akull derisa humbitnin ndjenjat. Birucat e kampit ishin gjithmonë plot me të dënuar për shkaqe nga më absurdet. Para se të ndodhte revolta e 23 majit 1973, të burgosurit e Spaçit i ishin drejtuar shumë herë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve të larta të Partisë-shtet, për ndalimin e dhunës pa shkak që ushtrohej mbi ta. Kërkesat e tyre binin në vesh të shurdhër dhe dhuna vazhdonte të ushtrohej si më parë.

Fillimi i revoltës së Spaçit nisi me refuzimin e të burgosurve politikë për të dalë në punë ditën  e diel, sipas një urdhri të jashtëligjshëm të komandës. Ky veprim u shoqërua edhe me derdhjen  e ushqimit të mensës së komandës  në mënyrë demonstrative. Ndërsa përplasja fizike me policinë dhe sinjali i parë për ta sulmuar atë si fillimin e kryengritjes së madhe nisi kur Pal Zefi, një djalosh trim, braktisi birucën ku vuante prej disa muajsh dhe u bashkua me bashkëvuajtësit e tjerë  brenda në kamp. Përpjekjet e policisë së kampit, drejtuar nga oficeri i rojës në shërbim, për ta rikthyer Pal Zefin  në birucën e ftohtë,   ndodhi më 21 maj 1973. Të burgosurit që e morën në mbrojtje bashkëvuajtësin e tyre, trim dhe të vendosur për të mos punuar pa shpërblim dhe në interes të shtetit diktatorial, u zmbraps para turmës së revoltuar të të dënuarve. Ishte kulmi i protestës së të burgosurve për shkeljen më të rëndë të të drejtave njerëzore, marrjen nëpër këmbë në mënyrë çnjerëzore të dinjitetit njerëzor, ishte revoltë për torturat dhe skamjen në kufijtë e vdekjes. Në qendër të kampit u valëvit flamuri kuq e zi,  me përkrenaren e Skënderbeut, pa yllin komunist, e para herë në Shqipëri pas instalimit të diktaturës. Byroja Politike u zu në befasi nga kjo revoltë e padëgjuar dhe e pamenduar se mund të trondiste themelet e terrorit komunist. Dy netë  e tri ditë të burgosurit bënë një rezistencë heroike, luftuan me krenari e dinjitet për të rrëzuar telat e gjembave dhe hekurat e burgut.

Më 23 maj të vitit 1973 qindra forca speciale dhe efektivë të policisë u vërsulën me egërsi brenda kampit duke rrahur e goditur çnjerëzisht të burgosurit e rraskapitur nga beteja për liri. Ata ishin të pangrënë e të rrënuar nga goditjet fizike. Rezistenca u shtyp egërsisht me bilanc tronditës, u dënuan me vdekje katër të burgosur: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja. Ata u ekzekutuan brenda pak ditëve, ndërsa 111 të burgosur të tjerë u dërguan në hetuesinë qendrore në Tiranë. Terrori kishte rilindur edhe më i ashpër se para revoltës. Ata u nxorën në një gjyq të inskenuar në Rrëshen dhe u ridënuan me 1700 vjet burg.

Ky ishte fundi fatal i revoltës së Spaçit, por jo i shpirtit të saj. Ideali dhe fryma e shenjtë e luftës për liri mbajti gjallë me mijëra mendje e zemra të të burgosurve politikë në Spaç, Burrel, Qafë-Bar, Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Revolta ka hyrë në analet e historisë sonë kombëtare si revolta më e madhe në historinë e burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar në Shqipëri gjatë regjimit komunist.

Një homazh i përjetshëm nderimi për të gjithë ish-të burgosurit e Spaçit dhe për të gjithë të burgosurit e të persekutuarit politikë në Shqipëri që sakrifikuan jetën e tyre për idealet demokratike.