Një delegacion i KLSH-së merr pjesë në kremtimin e 15 vjetorit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës

08.10.2018

Në datën 4 Tetor 2018, një delegacion i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i kryesuar nga Kryetari, z. Bujar Leskaj mori pjesë në kremtimet e 15 Vjetorit të krijimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit(ZAK) të Kosovës.

Me rastin e këtij përvjetori, ZAK organizoi konferencën ndërkombëtare tematike “Roli i impaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit në rikthimin e besimit publik ndaj sektorit publik”, në të cilën morën pjesë zj. Helena Lindberg, Audituese e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, inxh. Miloslav Kala, President i SAI-t të Çekisë, z. Adrian Crompton, Auditues i Përgjithshëm i Uellsit, z. Milan Dabović, President i Senatit të SAI-t të Malit të Zi, z. Seyit Ahmet Baş, President i Gjykatës së Llogarive të Turqisë, si dhe shumë drejtues të tjerë të lartë të SAI-ve të Polonisë, Maqedonisë, Finlandës, ECA-s, etj.

kosove pervj1

Foto grup e drejtuesve te SAI-ve pjesemarrese ne Konference

Paneli i Parë i Konferencës trajtoi impaktin e auditimeve të performancës për një qeverisje më të mirë. Referuesit sollën shembujt e auditimeve të performancës së SAI-ve të tyre, si dhe theksuan trendin e rritjes së rolit të këtyre auditimeve në përmirësimin e jetës së qytetarëve, nëpërmjet këshillimeve ndaj qeverisë dhe rekomandimeve për përmirësim të shërbimeve dhe politikave qeveritare ndaj qytetarit.

Paneli i Dyte trajtoi demonstrimin nga ana e SAI-ve të rëndësisë së auditimeve të tyre për shoqërinë, duke kryer auditime të bazuara në risk. Në këtë panel, KLSH paraqiti eksperiencën e tij në ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e auditimeve me bazë riskun.

Me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, nën drejtimin e Kryetarit Leskaj, KLSH ka nënshkruar marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me SAI-t simotra të këtij mandati, në shkurt 2012.

kosove pervj2

Audituesi i Pergjithshem i Kosovës, z. Besnik Osmani dhe Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj në mjediset e Konferencës


Si KLSH dhe si Zyrë Kombëtare e Auditimit të Kosovës, mbi bazën e Nenit 15 të Deklaratës së Limës dhe të motos së INTOSAI-t “Experentia mutua omnibus prodest”, të dyja SAI-t kanë shkëmbyer në këto gjashtë vite e gjysëm eksperiencat e suksesshme nga auditimet e tyre, duke bashkëpunuar konkretisht, duke marrë pjesë në aktivitetet vjetore dhe ndërkombëtare të njeri-tjetrit me kumtesa, botime të përbashkëta, me vizita reciproke pune të audituesve, etj.

Në përbërje të delegacionit të KLSH ishin edhe z. Ermal Yzeiraj, Drejtor i Departamentit Juridik, si dhe audituesit z. Luan Kuka dhe Kristaq Gjurgjaj.

Letër e falenderimi e z. Besnik Osmani drejtuar Kryetarit të KLSH z. Bujar Leskaj