Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet KLSH dhe Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë

Më datë 27 shtator 2013, në Shkup, Z.Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me zj. Tanja Tanevska, Audituese e Përgjithshme e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë.

klsh maqedoni

klshmaqedoni2

Marrëveshja e Bashkëpunimit u cilësua nga të dy Drejtuesit e lartë të institucioneve, si mjaft e rëndësishme jo vetëm në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushat përkatëse me interes të përbashkët, por edhe si vende fqinje që kanë aspirtata të përbashkëta europiane.
Kjo Marrëveshje u përgatit dhe u nënshkrua jo vetëm në respekt të parimeve të shkëmbimit të eksperiencave dhe njohurive ndërmjet palëve nën moton e INTOSAI-t “Experentia Mutua Omnibus Prodest”, por edhe në frymën e një bashkëpunimi më të ngushtë për dy vende fqinjë, që mund të përfitojnë nga përvojat respektive, duke zhvilluar në të ardhmen, auditime apo projekte të përbashkëta, me qëllim arritjen e objektivave të vendosura në këtë marrëveshje.

Gjatë diskutimeve, u shkëmbyen informacione dhe u paraqit një ekspoze e përgjithshme historike dhe aktuale e KLSH-së dhe SAO’s maqedonase. Një rëndësi e veçantë iu kushtua marrëdhënieve ndër-institucionale që Institucionet supreme të auditimit krijojnë me institucionet e tjera kombëtare dhe në veçanti, me Parlamentet respektive dhe me organizata të shoqërisë civile apo mjediset akademike, me qëllim lehtësimin e punës dhe përftimin e sa më shumë njohurive.
Gjithashtu, një vend me rëndësi zunë diskutimet lidhur me zhvillimet e bashkëpunimeve me SAI’t e tjerë homologë në rajon dhe më gjerë, ku arritjet e KLSH-së përgjatë këtyre dy viteve, në zhvillimin e trajnimeve dhe aktiviteteve audituese, u vlerësuan mjaft nga homologia maqedonase. Z.Leskaj dhe zj.Tanevska, ranë dakort se këto lloj eksperiencash dhe përfitimesh sjellin rritjen e kapaciteteve të stafit dhe profesionalizmin në kryerjen e auditimeve sa më cilësore.
Për të patur një pasqyrim edhe më të gjerë rreth aktivitetit 2-vjeçar në KLSH, Z.Leskaj i dhuroi zj.Tanevska botimet e publikuara, si dhe e ftoi homologen e tij të marrë pjesë personalisht por edhe nëpërmjet stafit të saj, në publikimin e materialeve dhe editorialeve në botimet e ardhshme të revistës shkencore “Auditimi Publik”. Zj. Tanevska shprehu vlerësimin e saj më të lartë dhe falenderimet për këto botime si dhe pranoi me kënaqësi ftesën e bërë. 

Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje si dhe konkretizimi i saj në vijimësi, është edhe një herë më shumë, një vlerë e shtuar dhe një hap më tej, për të sjellë në KLSH përvoja sa më pozitive me qëllim zhvillimin e një aktiviteti auditimi sa më cilësor, modern dhe profesional dhe arritjen e objektivave strategjikë institucionalë.
Z.Leskaj në këtë takim shoqërohej nga z.Kristaq Gjyli, Drejtor i Përgjithshëm, zj.Nikoleta Piranjani, Audituese e Lartë si dhe zj.Dëshira Huqi, përgjegjëse e sektorit të marrëdhënieve me jashtë, ndërsa zj.Tanevska shoqërohej nga zv.Audituesi i Përgjithshëm, z.Naser Ademi dhe zj.Kaliopi Petkoska, audituese dhe përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë.