Në sallën e Bibliotekës së Muzeut Kombëtar promovohen dy libra të Bedri Çokut

06.07.2015

Në datën 3 korrik 2015, në Sallën e Bibliotekës së Muzeut Kombëtar, Shoqata Antikomuniste, Demokrate e të Përndjekurve Politikë, organizoi promovimin e dy librave të z. Bedri Çoku, ish i burgosur politik dhe punonjës në Kontrollin e Lartë të Shtetit.
bedriKy aktivitet u nderua nga pjesëmarrja e drejtuesve dhe punonjësve të KLSH, të cilët ndoqën me interes promovimin e librave te kolegut të tyre. Ky aktivitet ngjalli  interes te pjesmarrësit, jo vetëm pse z. Çoku, me këtë rast shtonte serinë e botimeve të tij të mëparshme, me shkrime nga përjetimet e jetës në labirinthet e errëta të sistemit diktatorial, por këtë herë ai sillte para lexuesve librin me përjetimet e veta, për gjarjen e jashtëzakonshme të të burgosurve politikë në kampin - burg të diktaturës, në Spaç.

Sipas komenteve të profesor Sadik Bejko, “...libri është i shkruar thjeshtë, qartë dhe me një vetëdije të akullt”. Libri i titulluar “Arrestova ” shokun tim ... titull intrigues, lexohet me një frymë, shtoi ai, pasi kap një gamë të gjërë të elementeve të kryengritjes së vetme dhe të  papërsëritshme për nga përmasat e zhvillimit, gjatë  tre ditëve dhe tri netëve, nën një terror  shtetëror të paparë, që i kërcënonte të burgosurit politikë për zhdukjen e tyre me lëndë kimike, në rast se ata do të vazhdonin revoltën e tyre antiqeveritare, antiregjim...

Në libër tergohen aktet heroike, sidomos të djemve të rinj, që u pushkatuan brenda ditës pasi rezistenca e tyre u shtyp me dhunë nga forcat e ushtrisë e të policisë së shtetit... për dënimin e të burgosurve të tjerë me dënime të rënda, dënime të cilat, të mbledhura së bashku, kalojnë të 1300 vjetët burg, pra 13 shekuj. Një subjekt interesant është edhe kur tregohet për qenin e kampit, Tartin, të cilin e kishin rritur vetë të burgosurit dhe ai i donte ata me gjithë shpirt...Pikërisht pse ai shfaqte  vazhdimisht dashurinë  për ta, jo vetëm kur i shoqëronte  në punë, por edhe gjatë përleshjes së zhvilluar midis policisë së burgut dhe të burgosurve brenda kampit, ai sulmoi egërsisht uniformat blu, në mbështetje të të burgorve politikë. Për këtë “veprimtari”, komanda e burgut, pasi rimori në dorë situatën brenda në kamp, Tartin besnik të të burgosurve politikë, e helmoi...

Për librin e dytë...’’Ëndërr e fundosur”... foli një tjetër pjesëmarrës i këtij aktiviteti, profesori i letërsisë, z. Bilbil Cami, i cili e cilësoi librin si një arritje tjetër të shkrimtarit, por shtoi se, gjithsesi, kjo nuk është vepra më e mirë e tij. Lexuesit po presim me kërshëri  libra të tjerë nga z. Çoku, që me siguri do të botohen në të ardhmen. Lidhur me këtë roman u shpreh edhe poeti i mirënjohur Uran Kostreci, i cili vlerësoi realizimin nga ana e shkrimtarit, me një vërtetësi të kënaqshme, të karaktereve të besueshëm e të këndshëm. Ndërsa për idetë dhe pikpamjet e shtruara në roman, profesor Sadik Bejko shprehu mendimin se ato janë paqyrë e të vërtetave të jetës së vetë autorit...Mund ta quajmë pa frikë si një roman autobiografik...

Pas përfundimit të aktivitet, një bisedë e këndshme u ngjall mes të pranishme gjatë një kokteli mes familjarëve, kolegëve dhe miqve te z. Çoku. Me këtë rast i urojmë autorit të librave, Zëdhenesit të KLSH, zotit Bedri Çoku,  suksese të mëtejshme në lëmin e prozës së lëvruar prej tij!