Në përkujtimin e ditëlindjeve të poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi.

27.03.2015

Ditën e hënë datë 23.03.2015, Bashkia e Librazhdit organizoi aktivitetin në kujtim të dy poetëve Gazmend Leka dhe Vilson Blloshmi, pushkatuar nga regjimi diktatorial i Ramiz Alisë më 17 korrik të vitit 1977.

Ky aktivitet u zhvillua nga Bashkia e Librazhdit në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe një grup ish të përndjekurish politikë. Vizita filloi me homazhin në vendin ku është vendosur skulptura e Sadik Spahos, kushtuar të dy heronjve, në qendër të Librazhdit.  Ndoshta kjo skulpturë ngritur për nder të dy poetëve, të dy ikonave simbol, të dy viktimave të diktaturës komuniste, për nga mënyra e kompozimit dhe e realizimit artistik është nga më të bukurat, më domethënëset dhe më unike në llojin e vet jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë.  Nuk mund të gjesh një shembull të tillë ku dy poetë, dy krijesa të pafajëshme, të  pushkatohen vetëm se donin të flisnin atë që mendonin dhe të kërkonin lirinë e fjalës.
blloshmiMbledhjen në prani të shumë qytetarëve dhe të afërmve të viktimave të diktaturës e hapi Kryetari i Bashkisë z Shefki Çota. Në fjalën e tij ai lartësoi veprën e dy poetëve të qytetit, duke theksuar se është një detyrë për sot dhe nesër përkujtimi dhe ndjekja e shëmbullit të heronjve. Zoti Çota falënderoi z. Bujar Leskaj që në cilësinë e ish-Ministrit të Kulturës, por edhe të qytetarit patriot, inicioi, ndihmoi  materialisht dhe shpirtërisht në realizimin e skulpturës së pavdekshme, të dy poetëve në qendrën e Librazhdit.

Dy aktorët e mëdhenj të teatrit dhe filmit shqiptar, Mirush Kabashi, Nderi i Kombit dhe Bujar Asqeriu, Mjeshtër i Madh,  recituan poezi të krijuara nga të dy poetët, duke u duartrokitur ngrohtësisht nga të pranishmit. Zoti Bedri Çoku që ka bërë 23 vjet burg politik, foli sesi është njohur në burgun e Burrelit, nga i vëllai i njerit prej poetëve edhe ky i burgosur atë kohë, z. Bedri Blloshmi, me historinë e të dy martirëve. Shkrimtari Sadik Bejko autori librit  ‘’Poetët e Pushkatuar’’ foli për jetën e të dy poetëve si dy djem të arsimuar plot dëshira dhe pasion dhe ndërprerjen e jetës së tyre nga diktatura. Në aktivitet përshëndetën dhe një grup artistik i qendrës kulturore të Librazhdit përgatitur nga kompozitori i njohur Naim Gjoshi.

Kulmin aktiviteti e arriti me shfaqjen e dokumentarit filmik për jetën e poetëve. Ishin me të vërtetë çaste prekëse kur mësoje kalvarin e gjatë të vuajtjeve, sjelljen çnjerëzore të përfaqësueve  të diktaturës ndaj tyre dhe të afërmve, deri në pushkatimin dhe varrosjen makabre në një anë lumi.
Pas aktivitetit, Bashkia shtroi një drekë për të pranishmit dhe të afërmit e viktimave në përkujtim të asaj ngjarjeje. Dreka kaloi mes bisedave miqësore, kujtimeve dhe fotove midis të pranishmëve. 

Në këtë aktivitet ishte i  pranishëm deputeti i zonës Luçiano Boçi, Kryetari i Bashkisë së Prenjasit z. Shefki Çota, zoti Bedri Blloshmi ish i dënuar politik, vëlla i Vilson Blloshmit, piktorja e njohur Lumturi Blloshmi,  përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe intelektualë të qytetit.