Në Qendrën e Ekselencës në Financë (CEF), në Slloveni u zhvillua workshop-i me temë “Ekzekutimi i Buxhetit”

Në datat 7-9 Dhjetor 2016, ne Qendrën e Ekselencës në Financë (CEF), në Slloveni u zhvillua workshop-I me temë “Ekzekutimi I Buxhetit”, i cili në fakt ishte finalizimi I një “udhëtimi” e-learning të nisur prej datë 14-28 Nëntor 2016, me 2 webinare , me lektorë të CEF-it, gjatë të cilave KLSH, u përfaqësua nga audituesit Aulona Jonuzi, Erjola Mece, Almida Kafija dhe Rigels Guzi. Gjatë këtij “udhëtimi drejt të mësuarit”, u trajtuan tema që lidhen ngushtësisht me konceptin e buxhetimit dhe të gjitha proceseve të nevojshme që lidhen dhe janë suport për këtë të fundit gjithashtu.

Në kuadër të tematikës së trajtuar, buxhetet kombëtare mund të përshkruhen si procese të shpërndarjes së burimeve, në mënyrë të tillë që të shprehin politikat dhe prioritetet e qeverive. Përgjithësisht problemet në ekzekutimin e buxhetit shpesh reflektojnë buxhete të formuluara dobët, të cilat më pas gjatë ekzekutimit rezultojnë të ndryshohen vazhdimisht. Pikërisht për këtë çështje z. Duncan Last, punonjë i Ministrisë së Financave të Sllovenisë, i involvuar specifikisht në çështje të buxhetit për, solli një qasje profesionale mbi formulimin e buxheteve të besueshme. Nga ana e audituesve të KLSH-së, z. Last iu kërkua një opinion mbi mënyrën se si auditi i jashtëm mund të evidentojë formulimin “e keq / dobët” të një buxheti, në një kohë që “formulimi” në vetvete mund të interpretohet si “politikë e qeverisë” dhe si e tillë bëhet e pa auditueshme nga auditi i jashtëm. Në përgjigje të sa më sipër, z. Last theksoi se formulimi i dobët i buxheteve është treguesi primar i një buxheti jo të besueshëm dhe për të forcuar këtë gjë, duhet të konsiderohen praktika të vendeve të tjera, të cilat parashikojnë në ligjin e tyre të buxhetit  mos ndryshimin e buxhetit në tremujorin e fundit të vitit. Në përfundim, bashkërisht konkluduam se, buxhetet janë të besueshme nëse mbështeten: mbi parashikime të besueshme; mbi naliza të faktorëve social dhe ekonomikë; si edhe konsiderojnë  implikimet e mundshme të rregullave fiskale e më gjerë.

Në vijim të formulimit të buxhetit, Suzanne Flynn vijoi trajnimin rreth sigurimit të kontrolleve efektive të angazhimeve. Një angazhim është një pagesë e ardhshme, e vlerësuar që hiqet mënjanë (buxhetohet) që të jetë e disponueshme në momentin që kërkohet lëvrimi I parasë. Pikërisht  mungesa e kontrolleve mbi këto angazhime sjell krijimin e “detyrimeve të prapambetura”, shoqëruar me regjistrime jo të sakta të ekzekutimit të buxhetit gjatë një viti të caktuar fiscal. Kontrolli i angazhimeve rrit disiplinën fiskale dhe forcon procesin e ekzekutimit të buxhetit. Ndërsa z. Rense Posthumus, përfaqësues i Ministrisë Së Financave Të Hollandës gjithashtu solli eksperiencën e Holandës (por jo vetëm), sa i takon krijimit të një programi më të mirë për menaxhimin e angazhimeve. Në këtë kontekst, gjithashtu iu vu theksi aplikimit të “kontabilitetit rritës” si një mjet efektiv për të menaxhuar detyrimet e prapambetura si edhe aplikimit të metodës FIFO për likuidimin e këtyre detyrimeve me qëllim minimizimin e efekteve negative që vonesat në likuidime kanë në krijimin e detyrimeve të prapambetura.

cef1

cef2

Gjatë ditës së parë të workshop-it, u zhvilluan diskutime pikërisht për detyrimet e prapambetura ku si rezultat u konkludua se detyrimet e prapambetura janë detyrimet e ndërmarra, që nuk janë paguar në kohën e e maturimit të tyre dhe se format e shfaqjes së tyre janë të shumëllojshme, nisur edhe nga eksperiencat e referuara nga secili vend, pjesëmarrës në workshop, duke u konkretizuar kryesisht në, shpenzimet që lidhen me pagat, transfertat drejt individëve në formën e ndihmave pensioneve në përmbushje të kushteve kontraktore, shpenzimet për pagesat drejt kontraktorëve privatë për shërbimet apo mallrat në kuadër të aktivitetit operativ, për rimbursimet e taksave drejt individëve apo bizneseve dhe për pagesat e borxhit apo shërbimit të borxhit në përgjithësi

Nga ana jonë u prezantua strategjia e ndjekur aktualisht në Shqipëri për parandalimin e detyrimeve të prapambetura, në kuadër të ndërhyrjeve ligjore të ndërmarra për të minimizuar ose penguar krijimin e tyre. Znj. Flynn, si një eksperte e fushës, por gjithashtu si pjesë e stafit të FMN-së që mbulon këto çështje gjithashtu ishte në dijeni të situatës në Shqipëri. Sa më sipër ndikoi që ndërveprimi me grupin e audituesve të KLSH-së dhe lektorëve të ishte ndër më aktivët dhe me një feed-back pozitiv. Pikërisht në kuadër të shkëmbimit të ideve dhe përvojave, konstatuam se një eksperiencë të tillë lidhur me krijimin e detyrimeve buxhetore të prapambetura, e kishte kaluar së fundmi edhe Holanda e cila kishte bërë të njëjtën ndërhyrje ligjore (si Shqipëria), duke e sanksionuar afatin e pagesës së detyrimit jo më shumë se 30 ditë nga lindja e detyrimit (në mbështetje kjo të direktivës së BE në lidhje me këtë problem). Në fokus të diskutimit ishte edhe ndikimi i këtyre detyrimeve në ekonomi duke argumentuar disa çështje shumë të rëndësishme si reduktimi i rritjes ekonomike, ndërprerja e shërbimeve të ofruara publikut për shkak të zinxhirit të borxheve që krijohet, presioni për rritjen e normave të interesit në kushtet e rritjes të kërkesës për hua, reduktim të efektit të politikave fiskale të ndërmarra, etj.

Krijimi i këtyre detyrimeve u argumentua si pasojë e mungesës së një planifikimi të saktë të buxheteve, mungesës së kontrolleve të duhura parandaluese, menaxhimit të dobët të mjeteve monetare, vonesat gjatë  procesimit të pagesave, shtyrja e qëllimshme e pagesave kryesisht në vite elektorale dhe mungesa e sanksioneve të përcaktuara qartë në kushtet e krijimit të këtyre detyrimeve nga personat përgjegjës për ndërmarrjen dhe kontrollin e tyre.
Ndër mënyrat më të mira përveç ndërhyrjes ligjore në kuadër të përmirësimit të proceseve për parandalimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura u diskutuan si më të mundshme:
-Përmirësimi i procesit të planifikimit të kërkesave buxhetore duke kontrolluar llogaritjen e kostove që shoqërojnë çdo produkt, vlerësuar riskun që lidhet me realizueshmërinë e tij, shpenzimet e mirëmbajtjes shumë vjeçare që rrjedhin nga zbatimi i kontratave dhe përshtatjen me kuadrin e buxhetit afatmesëm.
- Përdorimi i metodave FIFO në likuidimin e detyrimeve të prapambetura.
-Përmirësimi i mbajtjes së kontabilitetit, përgatitjes së pasqyrave financiare dhe raportimi në bazë të parimit të të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara.
-Menaxhimi më i mirë i mjeteve monetare dhe harmonizimi i këtij funksioni me administrimin e borxhit.
-Përmirësimi i kontrollit në aktivitetin e sipërmarrjeve të zotëruara nga shteti (kontrolli efektiv) dhe njësive të qeverisjes vendore.
-Gjetja e zgjidhjeve në bazë të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe lidhja e duhur e sistemeve të informacionit për shkëmbimin në kohë të tij  nga çdo njësi publike që merr pjesë në ekzekutimin e buxhetit në kuadër të menaxhimit te duhur të financave publike..

Kodi i Transparencës Fiskale ishte tema që u trajtua në pjesën e parë të ditës së dytë, si një standard i rëndësishëm ndërkombëtar për dhënien e informacionit në lidhje me financat publike, i cili ka si objektiv primar vendosjen e më shumë pushteti në duart e qytetarëve, rritjen dhe përmirësimin e llogaridhënies si dhe të bëjë më të lehtë dhënien e kontributit të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, përmirësimin e shërbimeve publike dhe arritjen e rritjes ekonomike. Transparenca është themeli i realizimit të përgjegjësisë dhe çelësi që i jep njerëzve mjetet dhe informacionin që ata kanë nevojë për t'u mundësuar atyre rritjen e rolit në shoqëri. Gjatë leksioneve iu vu theksi parimeve mbi të cilat është ndërtuar Kodi, të cilat mbështeten në katër shtylla që janë: (i) të raportimit fiskal; (Ii) parashikimit fiskal dhe buxhetimit; (Iii) analizës fiskale të riskut dhe menaxhimit; dhe (iv) menaxhimit të burimit të të ardhurave.

Gjatë workshop-it u organizuan gjithashtu punë në grupe për të kuptuar më mirë konceptet dhe aplikimin e tyre në praktikë për të konkluduar më pas se, raportet fiskale duhet të ofrojnë një pamje të plotë, relevante, në kohën e duhur dhe të besueshme të pozicionit financiar të qeverisë dhe performancës së saj.

cef3

Lektorët sqaruan se praktikat më të mira, të cilat vijnë si rezultat i mbështetjes mbi këto kode konsiderohen si një minimum i arritshëm nga të gjitha vendet të cilat e zbatojnë këtë Kod. Këto praktika mund të kërkojnë një zhvillim më të plotë institucional, njerëzor dhe të kapaciteteve teknologjike; gjithashtu ato do të kërkojnë pajtueshmëri të plotë me standardet relevante ndërkombëtare .Shqipëria gjithashtu tashmë ka Kodin e Transparencës, i cili survejohet në mënyrë periodike nga FMN, të ndërtuar mbi katër shtylla bazë:
-Shtylla e parë ajo e Raportimit Fiskal
-Shtylla e dytë ajo e Parashikimit Fiskal dhe Buxhetimit
-Shtylla e tretë ajo e Analizës Fiskale të Riskut dhe Menaxhimit
-Shtylla e katërt ajo e Menaxhimit të Burimit të të Ardhurave

Nga sa u prezantua nga ekspertët, pikërisht duke u mbështetur në këto shtylla mund të arrihet:
-një vlerësim i plotë i praktikave të transparencës fiskale kundrejt standardeve të diferencuara të përcaktuara nga Kodi;
- analizë rigoroze e shkallës dhe origjinës së ndjeshmërisë fiskale në bazë të një sërë treguesish të transparencës fiskale;
- një analizë të pikave të forta të transparencës fiskale dhe prioriteteve; dhe
- një plan veprimi për të ndihmuar që të adresohen këto prioritete në kuadër të reformës.

Është pikërisht në përputhje më Kodin e Transparencës Fiskale që sigurohet që raportet e publikuara fiskale të: (i) mbulojnë një gamë të gjerë të institucioneve të sektorit publik; (ii) njohin një gamë të gjerë të transaksioneve dhe flukseve ; (iii) të publikohen në kohën e duhur; (iv) të marrë një qasje më rigoroze ndaj parashikimit fiskal (v) bëjnë një analizë risku sa më të plotë dhe të krahasueshme. Si përmbushje e kërkesave të Kodit, për rastin e Shqipërisë, nga z. Deon Florian Tanzer, Këshilltar i FMN-së për çështje të raportimit financiar për vendet e rajonit (i cili ishte i involvuar gjithashtu ne programe të raportimit fiskal për Shqipërinë) u përmend publikimi i transaksioneve të Thesarit, i cili në fakt ende ka shumë punë për të bërë në kuadër të reflektimit të saktë të vlerave të transaksioneve të Thesarit.

Si pjesë e Kodit të Transparencës Fiskale, raportimi fiskal gjithashtu ishte një temë me një rëndësi të veçantë në këtë workshop, e prezantuar përsëri nga z. Tanzer I cili për këtë çështje trajtoi dy tema e konkretisht: si të forcojmë raportimin fiscal; si edhe integrimin e Statistikave Financiare të Qeverisë (GFS-të) në Raportimin Fiskal.

Workshop-i u zhvillua mbështetur mbi metodologji bashkëkohore që zhvillojnë bashkëpunimin dhe punën në grup, si një element i rëndësishëm i suksesit në punë. Gjithashtu shkëmbimi i eksperiencave, ideve dhe njohurive mes kolegësh nga shumë vende të rajonit dhe më gjerë, përfshirë lektorët me një background të pasur, për çështjet e trajtuara, gjykojmë që eksperienca e marrë në workshop-in “Mbi ekzekutimin e buxhetit” është e rëndësishme për zhvillimin e njohurive tona audituese për të analizuar më në thellësi çështje që kanë lidhje me sa më sipër, në kuadër të standardeve ndërkombëtare dhe atyre të BE-së.