Mbi ecurinë e zhvillimeve të kuadrit metodik dhe metodologjik në KLSH, në periudhën mars-qershor 2020

02.07.2020

Në përmbushje të detyrimeve të parashikuara në Strategjinë e Zhvillimit të KLSH 2018-2022 (përkatësisht në aktivitetet nr. 1.3.1; 1.6.1; 1.8.1, 1.8.2; 1.10.2; 2.2.2; 2.2.3, etj.,) dhe në frymën e përmirësimeve dhe risive të Kornizës së Deklaratave Profesionale të INTOSAI-t, në institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë periudhës Mars-Qershor 2020 janë angazhuar tetë grupe të punës me qëllim përmirësimin, përditësimin dhe përafrimin e bazës metodike dhe metodologjike të auditimit të KLSH, me përvojat më të mira dhe Standardet Ndërkombëtare më të avancuara të auditimit të jashtëm të sektorit publik.

Përmirësimet dhe përditësimet e këtyre rregulloreve dhe guidave profesionale janë një kontribut në zbatim të:
• Urdhrit të Kryetarit të KLSH  me nr. 44, datë 31.3.2020 “Për përditësimin dhe përmirësimin e manualeve të Auditimit të Performancës, Auditimit të Buxhetit, Auditimit Financiar dhe Auditimit të Përputhshmërisë”;

• Urdhrit nr. 45, datë 31.3.2020 “Për ngritjen e grupit të punës për hartimin e manualit të ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve dhe Regjistrit Institucional të zbatimit të rekomandimeve”;

• Urdhrit nr. 46, datë 31.3.2020 “Për ngritjen e grupit të punës për rishikimin e Rregullores se Procedurave te Auditimit”;

• Urdhrit nr. 47, datë 31.3.2020 “Për ngritjen e grupit të punës për referimin e veprave penale ne prokurori dhe përmirësimin e Manualit të Auditimit të Mashtrimit & Korrupsionit”.

• Urdhrit nr. 72, datë 28.5.2020 “Për ngritjen e grupit të punës për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit të IT 2020-2025”.
Këto manuale dhe procedura të auditimit përshkruajnë autoritetin dhe qëllimin e funksionit të auditimit të jashtëm publik dhe ofrojnë udhëzime e procedura kohezive e të detyrueshme në zbatim të standardeve të INTOSAI-t dhe  protokolleve të brendshme të procesit të auditimit. Këto udhëzime promovojnë konsistencën, stabilitetin, vazhdimësinë, standardet e aplikueshme të veprimtarisë, mjetet dhe metodologjitë për kryerjen e auditimit, dhe një mënyrë për të bashkërenduar përpjekjet e stafit të auditimit në mënyrë efektive. Në Nenin 4 të Deklaratës së Limës theksohet se “Objektivat e Institucioneve të Larta të Auditimit janë ligjshmëria, rregullshmëria, ekonomiciteti, efikasiteti dhe efektiviteti i menaxhimit financiar, të cilët kanë rëndësi të barabartë”.

Për sa më sipër, janë përgatitur, përfunduar dhe miratuar këto dokumente të rishikuara, përditësuara, përmirësuara mbi auditimin e sektorit publik, si vijon:

I. Manuali i Auditimit Financiar, i rishikuar, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH me nr. 64, datë 22.06.2020, dokument i përgatitur nga grupi i punës i përbërë nga Aulona Jonuzi, Bexhet Zeqiuri, Helena Solis, Eriola Hoxha dhe Blerim Shkurti.
Auditim Financiar nënkupton një vlerësim të pavarur, që rezulton me dhënien e opinion me siguri të arsyeshme, nëse gjendja e raportuar financiare e entiteteve të audituara, rezultatet dhe përdorimi i burimeve janë paraqitur në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me kuadrin ligjor të raportimit financiar. Ne këtë kontekst Manuali i Auditimit Financiar synon të arrijë implementimin e një seti procedurash dhe metodologjish, me impakt rritjen e cilësisë së veprimtarisë audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke reflektuar njëherazi përqasjen me Standardet dhe bazën rregullatore të përdorur gjerësisht në Bashkimin Europian.

II. Manuali i Auditimit të Përputhshmërisë, i rishikuar, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH me nr. 66, datë 23.06.2020, dokument i përgatitur nga grupi i punës i përbërë nga Luljeta Nano, Qeram Cibaku, Miranda Haxhia dhe Elira Elezi.
Koncepti i përputhshmërisë së veprimtarisë me kriteret, ligjet dhe rregullat, merr një rëndësi të veçantë në kushtet kur kërkesa për mirëqeverisje dhe mirëadministrim në sektorin publik është gjithnjë e në rritje, ndaj aplikimi i parimeve të përputhshmërisë konsiderohet si një dimension vlerësimi jetik mbi përgjegjshmërinë në qeverisje. Për vetë rolin tejet të rëndësishëm të auditimit të përputhshmërinë në qeverisjen e sektorit publik, Kontrolli i Lartë të Shtetit synon të qartësojë parimet bazë audituese dhe procedurat respektive që duhen ndjekur gjatë auditimeve duke patur një pozicion kyç midis tre palëve të rëndësishme: Parlamentit, Publikut dhe Njësive të Audituara dhe zbaton këto principe dhe standarde gjatë këtij angazhimit profesional.

III. Manuali i Auditimit të Performancës, i rishikuar, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH me nr. 78, datë 30.6.2020, dokument i përgatitur nga grupi i punës i përbërë nga Rinald Muça, Ermira Vojka dhe Miranda Misini.
Ky manual është pjesë e procesit evolutiv dhe reflekton ristë, përvojën e akumuluar në njohuri e dije, e kontributet më të mira departamentale të konsoliduara gjatë këtyre viteve nga auditimet e performancës të kryera nga KLSH dhe të konfirmuara nga partnerët ndërkombëtarë. Gjenerimi i këtij produkti teorik përmirëson dhe suporton disa aspekte strategjike  mbi vizionin dhe filozofinë menaxheriale të KLSH si dhe mishëron zbatimin e aktiviteteve të parashikuara në Planin Strategjik të Zhvillimit Institucional 2018-2022, me synimin për të asistuar agjencitë publike, rritur vlerën e parave të taksapaguesve dhe ndihmuar Kuvendin për një vendim-marrje të shëndetshme dhe transparente.

IV. Manuali i Ndjekjes së Zbatimit të rekomandimeve si dhe të rregjistrit institucional të zbatimit të rekomandimeve, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH me nr. 67, datë 23.06.2020, dokument i përgatitur nga grupi i punës i përbërë nga Luljeta Nano, Gjovalin Preçi, Alma Shehu, Aldo Kita dhe Elsona Papadhima.
Ky manual hartohet për herë dhe reflekton normat më të mira ndërkombëtare profesionale, që kanë në themel zbatimin e gjetjeve nga auditimi që dorëzohen në formën e rekomandimevee ligjërisht të vlefshme.

V. Udhërrëfyesi mbi mënyrën e referimit të veprave penale në prokurori si dhe Manuali Udhëzues (i përditësuar) mbi zbulimin e Korrupsionit dhe Mashtrimit Financiar në auditim, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH me nr. 60, datë 31.05.2020, dokument i përgatitur nga grupi i punës i përbërë nga Koço Sokoli, Gjovalin Preçi, Qeram Cibaku, Ryisim Xhaja, Elira Elezi dhe eksperti i jashtëm Gjon Ndrejaj.
Kongresi XXI i INTOSAI-t , vuri theksin se, “Një rrezik që duhet të merret në konsideratë në lidhje me institucionet publike në demokraci është se pushteti dhe burimet mund të shpërdorohen apo te keqpërdoren, gjë që çon në humbjen e besimit, çka mund të dëmtojë thelbin e sistemit demokratik. Përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike mund të jenë të përgjegjshëm vetëm nëse, nga ana tjetër, ata që zbatojnë vendimet e tyre janë të përgjegjshëm.”.
Në të njëjtën kohë, audituesit me profesionin e tyre ligjor, duhet të menaxhojnë rreziqet për efektivitetin e zhvillimit që vijnë nga abuzimi i meaxherëve të sektorit publik, korrupsioni dhe kontrollet e dobëta të qeverisjes. Një hartë të këtyre kërcënimeve dhe rreziqeve, të cilat kurrë nuk mund të të eliminohen plotësisht, e ndeshim në këtë udhërrëfyes, i cili synon të sigurojë udhëzimet dhe mjetet legjislative konceptuale, kontestuale dhe proceduriale për praktikuesit e tij.
Ky udhërrëfyes qartëson rolin e institucionit të KLSH në përballje me paligjshmërinë, diskuton kuptimet dhe llojet e ndryshme të veprave penale në sektorin publik dhe identifikon masat e qeverisjes së mirë, që mund të shërbejnë për të parandaluar ose minimizuar parregullsitë, shpërdorimet, mashtrimin dhe korrupsionin. Udhërrëfyesi diskuton nocionet e konceptet përkatëse bazike mbi kundërligjshmërinë, elementet dhe kuptimin e veprave penale,

VI. Strategjia e Zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit 2020-2025, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH me nr. 74, datë 27.6.2020, dokument i përgatitur nga grupi i punës i përbërë nga Aldo Kita, Kozma Kondakçiu, Elsona Papadhima, Benard Haka dhe Klea Saliu.

Kjo strategji vendos piketat e zhvillimeve të ardhshme për Institucionin Suprem të Auditimit në fushën e Teknologjisë së Informacionit ,  duke ndihmuar zhvillimet mbi përparësitë dhe rolin e auditimit të IT-së, si në mbledhjen e gjetjeve dhe shkëmbimin e njohurive, ashtu dhe në avancimin profesional në këtë disiplinë të re të auditimit të sektorit publik..

VII. Rregullorja e Procedurave të Auditimit, e rishikuar, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH me nr. 63, datë 22.06.2020, dokument i përgatitur nga grupi i punës i përbërë nga Brunilda Zeneli, Bexhet Zeqiri, Miranda Berdo, Niko Nako.

Ndërkohë, është në fazën e përfundimit, hartimi i Manualit për Auditimin e Buxhetit të Shtetit, në bashkëpunim me SIGMA-n.
Këto norma të reja reflektojnë rekomandimet e projektit të binjakëzimit IPA-2013 mbi dobinë e rishikimit periodik të procedurave, qasjeve, teknikave dhe metodave të auditimit të jashtëm publik.