Manuali i Auditimit të Prokurimit Publik

manuali i prokurimitAktivitetet e prokurimit të kryera nga sektori publik përbëjnë një element thelbësor strukturor në arkitekturën që i mundëson qeverisë dhe sektorit publik në tërësi jo vetëm të kryejnë veprimet e tyre të brendshme administrative, por edhe t’i sigurojnë vendit, publikut dhe bizneseve, shërbime bazë dhe infrastrukturë, duke siguruar transparencë, integritet dhe llogaridhënie në shpenzimet publike. Për më tepër, shpenzimet e prokurimeve publike përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të PBB–së të çdo vendi. Ky fakt i mundëson sistemit të prokurimit publik që të luajë një rol strategjik dhe ndërsektorial në nxitjen e një sërë objektivash politike të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të një vendi.

Në secilën prej këtyre perspektivave si në veprimet e qeverisë po ashtu dhe në ofrimin e shërbimeve publike bazë dhe infrastrukturës, transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në shpenzimet publike dhe ndjekjen e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm, është kritike që aktivitetet e prokurimit të kryhen në përputhje me procedurat e kërkuara në kuadrin ligjor të zbatueshëm për prokurimin publik, që prokurimi të kryhet në mënyrë ekonomike dhe me efiçencë dhe se proceset e prokurimit të jenë efektive në arritjen e rezultateve të pritura.

Ndërsa sistemi i prokurimit evoluon, kështu vepron dhe roli dhe natyra e auditimit të prokurimit. Ndërkohë që në të kaluarën, auditimi i prokurimit ishte përqendruar në përcaktimin e përputhshmërisë me rregullat dhe procedurat e zbatueshme, si dhe vënien e dënimeve për zyrtarët individualë për shkelje, Manuali i Auditimit të Prokurimit Publik paraqet një rol të zgjeruar për auditimin e prokurimit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kryerjen e auditimeve të aktiviteteve të prokurimit publik të sektorit publik, luan një rol kyç në ndihmën për të siguruar llogaridhënien në prokurimin publik po ashtu dhe për të ndihmuar prokurimin publik të përmbushë misionin e tij në mënyrën e duhur dhe efektive.

Task Force e INTOSAI-t përcakton se ...qëllimi i auditimit të prokurimit publik do të jetë t’i ofrojë të gjithë përdoruesve të interesuar informacion të pavarur, objektiv dhe të besueshëm, konkluzione dhe mendime, bazuar në prova të mjaftueshme dhe të duhura, për t’iu përgjigjur pyetjeve thelbësore të identifikuara...

Duke theksuar rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm që auditimi i jashtëm publik ka në mbrojtjen e interesave të Shtetit në fushën e prokurimeve, KLSH u mbështet nga Banka Botërore nëpërmjet Projektit “Rritja e Performancës së Prokurimit” i cili kishte si Objektiv: forcimin dhe zhvillimin e monitorimit të pajtueshmërisë dhe rritjen e transparencës në procedurat e prokurimit publik si dhe rritjen e kapaciteteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të audituar prokurimin e kontratave publike dhe kontratat e financuara nga donatorët në Shqipëri.

Kontributi i Projektit të financuar nga BB për KLSH, konsistoi në kryerjen e trajnimeve shumë të dobishme të cilat kanë dhënë impakt të konsiderueshëm në thellimin e njohurive dhe përmirësimin e aftësive të audituesve të KLSH.

Si produkti më i rëndësishëm me vlera dhe për qëndrueshmërinë e Projektit në KLSH ishte hartimi i “Manualit të Auditimit të Prokurimit Publik”, i përgatitur nga Z. Simeon A Sahaydachny, Ekspert i Bankës Botërore ne fushën e prokurimeve publike, përkthyer nga Studio Përkthimit “Anila Çollaku”, përkthyese ligjore, i cili është përshtatur nga KLSH sipas kërkesave të institucionit.

Miratimi i këtij Manuali vjen në një kohë kur sistemi i prokurimit publik i Shqipërisë, ashtu si sistemet e tjera të prokurimit në të gjithë botën, vazhdon të zhvillohet dhe modernizohet, duke përfshirë edhe kuadrin ligjor, institucional dhe procedural, si dhe profesionalizmin e zyrtarëve publikë të përfshirë në operimin e sistemit. Prezantimi i mjeteve elektronike në përpunimin e transaksioneve të prokurimit është një shembull parësor i evolucionit dhe përfitimeve që ai ofron në rritjen e efikasitetit, konkurrencës dhe transparencës.

Ky Manual i jep udhëzime audituesve të KLSH–së në kryerjen e auditimit të prokurimeve dhe shkon përtej auditimit të përputhshmërisë. Ai vendos një theks të veçantë mbi kryerjen e auditimeve të performancës përveç vlerësimit të përputhshmërisë, e cila përqendrohet në kultivimin e një kulture profesionale dhe jo vetëm ndëshkuese në prokurimet publike.

Nën një qasje të tillë në zhvillim, në përputhje me tendencat e auditimit të prokurimit në vende të tjera të botës, theksi vihet jo mbi frikën dhe rolin policor për prokurimin, por mbi bashkëpunimin me personelin e prokurimit për të identifikuar mënyrat, në të cilat praktika e prokurimit mund të përmirësohet dhe të promovohet profesionalizimi i funksionit të prokurimit. Një qasje e tillë moderne do të fuqizojë auditimin e prokurimit për të luajtur një rol kritik në zhvillimin e prokurimit publik për të mirën e vendit.

Së bashku me botimin e KLSH “ Direktiva e BE-së mbi Prokurimin Publik dhe Kontratat Koncesionare”, Manuali i Auditimit të Prokurimit Publik formojnë një paketë të plotë udhëzuesish me instruksione dhe dokumente të dobishëm për audituesit e KLSH në realizimin e misionit të tyre në këqyrjen dhe vlerësimin e rregullshmërisë dhe perfomancës së sistemit të prokurimit publik në Shqipëri., si dhe mënyrës së përdorimit të fondeve publike.

Njohja me rregullat dhe direktivat mbi të cilat është ngritur dhe funksionin sistemi i prokurimit publik për financime si nga buxheti kombëtar ashtu dhe donatorë të tjerë të fuqishëm si Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian u jep audituesve të KLSH një mjet të fuqishëm në kryerjen e auditimeve cilësore në fushën e prokurimit si dhe për forcimin e rolit të KLSH si “ gardian “ i mbrojtjes së interesave financiare jo vetëm kombëtare po ashtu dhe të financimeve të huaja.

Botimi - Manuali i Auditimit të Prokurimit Publik