Manuali i Auditimit të Përputhshmërisë

 
manuali_perputhshmerise aaaa

Përputhshmëria me ligjet, aktet dhe normat është një element thelbësor i qeverisjes.

Të gjitha njësitë e sektorit publik si administrues e përdorues të fondeve publike, kanë detyrimin që veprimtaritë e tyre vendimmarrëse dhe zbatuese tí zhvillojnë brenda një kuadri të caktuar ligjor e rregullator.

Koncepti i përputhshmërisë (pajtueshmërisë) merr një rëndësi të veçantë në kushtet kur kërkesa për performancë në sektorin publik është gjithnjë e në rritje, dhe marrja e sigurisë referuar përputhshmërisë me ligjet dhe rregullat, konsiderohet si një dimension jetik i përgjegjshmërisë në qeverisje

 

Për vet rolin tejet të rëndësishëm në procesin e dhënies së sigurisë për përputhshmërinë në qeverisjen e sektorit publik, Kontrolli i Lartë të Shtetit (KLSH) vihet në pozicion kyç midis tre palëve të rëndësishme: Parlamentit, Publikut dhe Njësive të Audituara.

KLSH, si institucioni më i lartë auditues publik në Shqipëri siguron përmbushjen e misionit të tij kushtetues dhe ligjor lidhur me përputhshmërinë nëpërmjet kryerjes së auditimeve të përputhshmërisë.
Sipas INTOSAI-t, konceptet e transparencës, llogaridhënies, administrimit dhe mirëqeverisjes në sektorin publik janë parimet bazë të mirëqeverisjes. Ligjet, aktet normative dhe ato nënligjor përcaktojnë “kufijtë” e aktiviteteve që duhet të kryejnë institucionet publike për qytetarët, objektivat që synohen të arrihen si dhe mbrojtjen e të drejtës së publikut duke siguruar drejtësi, paanshmëri, ndershmëri dhe objektivitet në ushtrimin e funksioneve publike. Për të realizuar objektivat dhe përmbushur misionin për të cilin janë krijuar, njësive qeverisëse (të çdo niveli) ju besohen fonde publike, ndaj është përgjegjësi e drejtuesve të njësive publike të përgjigjen dhe të jenë transparentë për veprimtarinë e tyre si edhe të sigurojnë se i administrojnë këto fonde në pajtim me kriteret ligjore e normuese. Nëpërmjet auditimit të përputhshmërisë, KLSH luan një rol të rëndësishëm duke garantuar se parimet e transparencës, përgjegjshmërisë dhe qeverisjes së mirë, aplikohen dhe përmbushen.

Sipas përcaktimit të ISSAI 100 “Auditimi i përputhshmërisë përcakton se deri në ç’masë subjekti i audituar ndjek rregullat, legjislacionin dhe aktet normative, politikat, kodet e miratuara apo kushtet e përcaktuara si, kushtet e kontratës apo klauzolat e një marrëveshjeje financimi.”
Auditimi i përputhshmërisë promovon transparencën duke ofruar raporte të besueshme për fondet nëse janë administruar dhe të drejtat e qytetarëve për një proces të rregullt janë respektuar siç kërkohet nga kuadri ligjor, rregullator në fuqi. 

Auditimi i përputhshmërisë promovon përgjegjshmëri ndaj devijimeve të raportimit dhe ndaj shkeljeve të kuadrit ligjor rregullator, në mënyrë që të mund të merren veprime korrigjuese dhe personat përgjegjës të përgjigjen për veprimet e tyre.

Auditimi i përputhshmërisë promovon qeverisjen e mirë duke identifikuar dobësitë dhe devijimet nga ligjet dhe rregulloret, si dhe duke vlerësuar rregullshmërinë aty ku kuadri ligjor  rregullator rezulton i pamjaftueshëm dhe/ose i papërshtatshëm. Mashtrimi dhe korrupsioni, për shkak të natyrës së tyre, përmbajnë elementë që janë në kundërshtim me transparencën, përgjegjshmërinë dhe administrimin e mirë. Prandaj auditimi i përputhshmërisë promovon qeverisjen e mirë në sektorin publik duke marrë parasysh rrezikun (risku)  e mashtrimit në lidhje me përputhshmërinë.