Manuali i Auditimit Financiar

 

untitled Realizimi i auditimeve financiare është një nga objektivat themelore strategjike të KLSH-së, objektiv që buron edhe nga kërkesat e Ligjit 154/2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e KLSH”, ku shprehimisht përcaktohet se: “.... Auditimi mbulon fushat e përputhshmërisë, ligjshmërisë, rregullshmërisë, menaxhimit financiar, kontabilitetit, si dhe ekonomicitetin, efiçencën dhe efektivitetin e administrimit të fondeve dhe pronës publike apo shtetërore”.

Ky objektiv i veshur me detyrimin ligjor “...Kontrolli i Lartë i Shtetit, në veprimtarinë e tij, duhet të reflektojë shkallën më të lartë të standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t dhe IFAC-t, si dhe rezolutat e Kongreseve të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t”, adreson domosdoshmërinë dhe njëherazi nevojën e ripunimit të Manualit të Auditimit Financiar, në përdorim nga audituesit e KLSH, i cili nuk reflekton tërësisht kërkesat e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit për auditimet financiare.

Në Deklaratën e Limës theksohet se “ Auditimi nuk është një qëllim në vetvete por është komponent i domosdoshëm i një sistemi rregullator i cili ka për qëllim të zbulojë devijimet nga standardet e pranuara dhe shkeljet e parimeve të ligjishmërisë, efiçencës, efektivitetit ekonomicitetit si dhe të menaxhimit financiar".   Në këtë kontekst qëllimi i auditimeve financiare është që të japë garanci dhe të rrisë nivelin e besimit të përdoruesve të pasqyrave financiare.