LIGJ Nr.154/2014 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit"

19.02.2015

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miraton Ligjin e ri të KLSH-së.

Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve të KLSH-së në procesin e integrimit evropian, në vjeshtën e vitit 2012 KLSH i ka përcjellë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë propozimin për kryerjen e disa ndryshimeve në Ligjin Nr. 8270 datë 23.12.1997 " Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, i ndryshuar.

Për këtë qellim, KLSH në fillim të Nëntorit 2012 organizoi disa tryeza pune me përfaqësues të mediave, shoqërisë civile, juristëve të njohur, pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, kontabilistëve të njohur, ekspertëve të financave publike dhe pedagogëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në praninë aktive të z. Robert Gielisse, Drejtor Drejtorie në DG-Budget. Pas reflektimit dhe pasqyrimit të sugjerimeve të dhëna në këto tryeza punë, si dhe konfirmimit nga ana e DG-Budget të ndryshimeve të propozuara ligjore si ndryshime tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-it, KLSH me shkresën Nr. 945/4, datë 26.11.2012, dërgoi zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë propozimin për kryerjen e disa ndryshimeve në ligjin e tij organik Nr. 8270 datë 23.12.1997.

Sërish më datë 7 Nëntor 2013, KLSH me shkresën Nr. 901 prot ka ridërguar në Kuvendin e Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013, kërkesën për shqyrtimin dhe miratimin e disa shtesave dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8270, datë 23.12.1997, "Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, i ndryshuar. Bazuar në këtë kërkesë të KLSH-së, z. Erion Braçe në cilësinë e Deputetit dhe Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, propozoi dhe futi zyrtarisht në axhendën e Kuvendit projektligjin e përgatitur nga KLSH.
Në Mars 2014, Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave filloi diskutimet mbi projekt-amendimet e ligjit të KLSH-së, në prezencë edhe të KLSH-së në Komision. Projekt-amendamentet e ligjit të KLSH-së janë diskutuar gjithashtu në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe në Komisionin e Integrimit Evropian.

Relatori i projektligjit të KLSH-së në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, ka qenë kundër variantit të propozuar nga KLSH. Gjatë gjithë periudhës së diskutimeve të projektligjit në komisionet parlamentare, KLSH ka insistuar në mos ndryshimin e neneve të propozuara të projektligjit si pasojë e faktit që dispozitat e propozuara mbështeteshin dhe buronin drejtpërdrejt nga përcaktimet e bëra në standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-t. Në mbrojtje të standardeve ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-it, veçanërisht atyre të përcaktuara në ISSAI 1 - Deklarata e Limës dhe ISSAI 10 - Deklarata e Meksikos, Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj ka mbajtur një qëndrim të prerë karshi çdo ndryshimi të propozuar nga ana e Komisioneve (veçanërisht nga relatori i Komisionit të Ligjeve) dhe që binin ndesh apo cënonin frymën dhe parimet e këtyre standardeve.

Në këtë drejtim, mbështetja dhe përkrahja e DG Budget, SIGMA dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë, ka qenë e vazhdueshme duke ofruar në çdo rast konsulencën dhe opinionin e tyre veçanërisht në takimet e organizuara me anëtarë të Komisioneve të Kuvendit, pjesë e këtij procesi. Ndikimi i tyre dhe konstruktiviteti i debateve në Komisionin e Ekonomisë ka qenë shumë pozitiv në Kuvendin e Shqipërisë, duke afruar dhe duke sjellë në agjendën e punimeve të Kuvendit miratimin e projekt-ligjit të KLSH-së.

Në datën 27 nëntor 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e ri të KLSH-së, Nr. 154/2014, “ Mbi organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, i cili është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit.

Në lidhje me dekretin Nr. 8851, datë 19.12.2014 të Presidentit të Republikës, i cili në reflektim të vendimit nr. 212, datë 29.10.2012 të Gjykatës Kushtetuese riktheu për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë nenin 23 të Ligjit nr. 154/2014 “Mbi organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Larte të Shtetit”, ne si KLSH jemi shprehur pro këtij qëndrimi të Presidentit si një qëndrim i drejtë dhe i bazuar në vetë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, në qëndrimin tonë zyrtar si KLSH, në seancën e zhvilluar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për shqyrtimin e këtij dekreti, kemi mbajtur një qëndrim asnjanës duke mos u prononcuar dhe mos ndikuar në vendimmarrjen e Kuvendit në lidhje me këtë çështje, në respekt kjo dhe të shmangies së konfliktit të interesit që KLSH kishte në lidhje me nenin 23 si dhe bashkëpunimit konstruktiv me Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, të bindur që çdo vendimmarrje e Kuvendit në lidhje me këtë çështje nuk ndikon në frymën e përgjithshme të ligjit.

Në shqyrtim të dekretit Nr. 8851, datë 19.12.2014 të Presidentit të Republikës, Kuvendi vendosi rrëzimin e tij dhe mos ndryshimin e përcaktimeve të bëra në nenin 23 të Ligjit Nr. 154/2014, “ Mbi organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Falenderojmë të gjithë deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë që na mbështetën për miratimin e këtij Ligji.
Tashmë me hyrjen në fuqi më datë 06.02.2015 të Ligjit Nr. 154/2014, “ Mbi organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH pritet të përmbushë detyrimet e tij institucionale në plotësimin dhe miratimin brenda 3 muajve të akteve përkatëse nënligjore që duhet të nxirren në zbatim të këtij ligji.

LIGJ Nr. 154/2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit  të Lartë të Shtetit”