LEKË TASI Satirë në Sheshin "Skënderbej"

22.07.2015

Me datë 18 Qershor 2015,  Galeria Kombëtare e Arteve, hapi për publikun në sallën e vogël të ekspozitave të përkohshme, ekspozitën "Satirë në Sheshin Skënderbej" të piktorit Lekë Tasi. Ekspozita e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka prezanton rreth 45 punime të realizuara pas viteve 2000, në teknikat vaj, teknikë e përzier dhe vizatime.

tasi


Lekë Tasi vlerësohet si një piktor tradicional me kah drejt artit modern. Kjo është një arsye më shumë që punimet e tij, të prezantohen e të njihen më gjerësisht nga mjedisi artistik dhe intelektual shqiptar. Në këtë mjedis Lek Tasi shquhet si një zë i ndryshëm e modern në botën e pikturës tradicionale shqiptare dhe për këtë ai duhet të zërë vendin që i takon në historinë e artit shqiptar.

Deri në vitin 1975 piktori ekspozoi vetëm disa punë, edhe pse kishte një krijimtari shumë të pasur. Pas viteve 1990, tashmë si profesionist ai i`u drejtua jo vetem ekspresionizmit, por disa zhvillimeve të artit modern të shekullit XX. Ai pa me vemendje, me seriozitet dhe imtësi prurjet surreale, naiviste dhe të abstraguara.

Në çdo tablo të këtij autori, në etapën aktuale të pjekurisë së plotë, siç na vjen në këtë ekspozitë të vitit 2015 në Galerine Kombetare te Arteve, çdo befasi, është në fakt befasi e fabulës. Ekspozita u vizitua dhe nga punonjësit e Kontrollit te Larte te Shtetit.

Krijimtaria e Lekë Tasit është vlerësuar pozitivisht nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe ai është bërë pjesëmarrës në dy edicione të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”, në vitet 2001 dhe 2004. Po kështu rëndësia dhe modernia në veprat e tij ka nxitur kuratorë të Galerisë Kombëtare të Arteve të organizojnë në mjediset e saj, ekspozitat e tij vetjake, në vitet 1992, 2003 dhe 2007.

Ekspozita  u shoqërua me një katalog ku përfshiheshin rreth 60 vepra në teknikat vaj, të përzier, vizatim, grafikë, akuarele dhe kolazh.