Kur një Institucion Respekton “Institucionin” Ismet ELEZI

30.07.2015

Prof. Dr. Ago Nezha Botuar në Gazeta “Tirana Observer “ 29.07.2015

ago-nezha-225x300Në ditët e nxehta të Korrikut, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nën drejtimin e Kryetarit Dr. Bujar Leskaj, organizoi një seminar me punonjësit e këtij institucioni me temë: “ Kultura juridike në Kontrollin e Lartë të Shtetit”, me një nga ikonat e jurispudencës shqiptare intelektualin e shquar Prof. Dr. Ismet Elezi. Profesor Ismet Elezi është në majat e mendimit juridik shqiptar, me një kontribut të çmuar unikal në fushën e Drejtësisë, si një veprimtar i shquar, një shkencëtar reformator me ide bashkëkohore jo vetëm për të kaluarën, të sotmen, por edhe për të ardhmen me mendimin e tij progresiv.

Njohuritë ekselente të Profesor Ismetit veçanërisht në fushën e të Drejtës Penale, por jo vetëm kaq, por edhe në fusha të tjera të së drejtës, si Historia e së Drejtës Shqiptare dhe ajo e mendimit juridik shqiptar, janë një kapital kombëtar që mund të pronësohen në dobi të punës për një kategori të gjërë shoqërore duke filluar nga studjuesit, studentët, juristët, sociologët, psikologët, historianët dhe punonjësit e institucioneve të larta shtetërore. Ishte kjo ndjesi dhe këndvështrim vizionar i Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit që eksperiencën e dietarit të shquar në fushën juridike Profesor Ismet Elezit ta bëjë pronë edhe të punonjësve të këtij institucioni nëpërmjet seminarit për të rritur kulturën juridike.  Mosnjohja e ligjeve, shkelja e tyre për arësye subjektive apo objektive, janë objekt kontrolli, që kërkojnë kulturë juridike dhe njohuri të përgjithshme nga punonjësit e KLSH. Të mësuarit është proces i vazhdueshëm, se dhe ligjet nuk janë statike, ato kanë dinamikën e tyre të zhvillimit, që duhet njohur e përvetësuar për të qënë kopetentë në detyrën e audituesit. Bota sundohet nga ligji. Që në kohëh e Firdusit të lashtësisë, ai theksonte se një shtet i mirë quhet atëhere kur ka ligje të mira, infrastrukturë të mirë dhe njerëz të mirë. Njëra nga këto të tria të mungojë, ai nuk është shtet i mirë. Profesor Ismeti theksoi para punonjësve të KLSH, se nuk mjafton të kesh ligje të mira, kjo është njëra ana e medaljes, e rëndësishme është që këto ligje të njihen profesionalisht dhe të zbatohen rigorozisht dhe korrektësisht nga instancat shetetërore. Kontrolli ndaj zbatimit të ligjit nga punonjësit e KLSH, kërkon kopetencë profesionale, ndershmëri, korrektësi, paanshmëri në detyrë. Suksesin në veprimtarinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Profesor Elezi, e vlerësoi si një risi, që vjen nga kualifikimi dhe ndërgjegjësimi i stafit duke njohur përvojën e vendit dhe atë europiane e botërore. Fatkeqësisht, qeveritë që kanë qarkulluar gjatë këtyre 25 viteve të ashtëquajtura demokraci e kanë nënvleftësuar, për të mos thënë e kanë injoruar apo mohuar plotësisht përvojën që u trashëgua nga brezat e kaluar. Ky është një qëndrim metafizik i një klase politike të indoktrinuar me nihilizëm provincial. Eksperienca e përparuar është zëdhënsja më e pagabueshme për zbatimin e ligjit. Shumë intelektual të ditur, përfshirë këtu edhe Profesor Ismet Elezin, janë lënë në harresë, dhe kultura dhe dijet e tyre eruditive kanë bjerrur dhe nuk kanë gjetur terren për tu transmetuar te brezi i ri i punonjësve të institucioneve qëndrore apo lokale të shtetit. Të nderosh njerëzit  e ditur, do të thotë të vlerësosh diturinë kombëtare dhe të jesh një drejtues vizionar, që i hap perspektivë zhvillimit të shoqërisë të vëndit tënd. Profesor Ismet Elezi, rolin që po kryen Kontrolli i Lartë i Shtetit aktualisht e ka vlerësuar si një gjenerator, që prodhon ide, metoda operacionale kontrolli efiçente, me një profesionalizëm bashkëkohor, duke përfituar nga përvoja e përparuar vëndase dhe e huaj europiane e botërore. Kjo është një risi, që e ka bërë këtë institucion vitet e fundit një autoritet efiçent me efektivitet të lartë në zbulimin e shkeljeve të ligjshmërisë dhe abuzimeve me detyrën shtetërore. Kontrolli i Lartë i Shtetit është një armë e fuqishme në duart e çdo qeverie që kërkon të bëjë shtet modern, demokratik në luftë me çdo abuzim dhe shpërdorim të pasurisë publike.            

Koha ka treguar qartësisht, se ujqërit e të djathtës dhe çakenjtë e së majtës, janë specie të së njëjtës familje në qarkullim, që kanë për mision të shkatërrojnë shtetin dhe demokracinë e brishtë shqiptare. Ata janë modele, që siç i ka përcaktuar i madhi Ali Asllani, notojnë në korrupsion me moton: “ Hani pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjve, Hani pini dhe rrëmbeni është koha e maskarenjve. Hani pini dhe rrëmbeni mbushni xhepa, mbushni arka, të pa brek ju gjeti dita, miljoner ju gjeti darka”.

Oligarkia e hajdutëve s’kanë ngjyra politike. Kultivuesit, inspiruesit, ombrellëmbrojtësit  dhe shpëtimtarët e tyre kur përballen me ligjin, janë partitë politike të majta e të djathta kur vijnë në pushtet. Kontrolli i Lartë i Shtetit, nuk ka qënë selektiv në zbulimin e hajdutërisë të shtetarëve të lartë, duke filluar nga drejtor qëndror, e derit te ata vendor. Por ajo që bie në sy, si dje kur qeveriste e djathta dhe sot që qeveris e majta, mjeshtrat e mitmarrjes, përvetësimit të pasurisë publike, pazaret me tenderat dhe emrimet preferenciale, janë në të njëtën standard klientelist të forcës së liderit. Shpërdoruesve dhe përvetësuesve të pasurisë së përbashkët deri më sot s’u ka hyrë as një gjëmb në këmbë. Urojmë, që ligji dhe shteti të veproj në të ardhmen, që të tronditen sado pak themelet e korrupsionit. Shqipëria, me një pasuri natyrore dhe nën tokësore të lakmueshme edhe për vënde të mëdha të zhvilluara, është në këtë gjëndje të mjerueshme, me një varfëri të tejskajshme, si rezultat I një qeverisje të keqe abuzive për 25 vjet rresht, pa u ndalur. Trupi i Shqipërisë nuk është gërvishur, e as provokuar, por është shqyer nga hijenat e pushtetit dhe klima komplementare midis të majtës dhe të djathtës ka krijuar siguri se ligji nuk vepron, kur politika të mbron. “ Për çfarëdo qoftë duhet të na gjykojnë vetëm të barabartët”, thotë Balzaku. Por në Shqipëri nuk ndodh kurrë kështu. Hajdutët politikanë e shtetarë, qarkullojnë të lirë edhe pse i zbulon autoriteti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ne i shohim në ekranin e televizorit duke vjedhur pasurinë e popullit, bankat, thesarin, dhe ata dalin të larë para ligjit dhe drejtësisë. Në rast se Shqipëria duhe të rilind, siç e ka sloganin kjo qeveri, kjo do të ndodhi vetëm atëhere kur shpata e drejtësisë nuk do të ketë mill për të korrur pa dallim në të dy krahët si të majtë ashtu edhe të djathtë. Aleati më i fort i suksesit të një qeverisje që kërkon të bëjë ndryshimin, duhet të jetë Kontrolli i Lartë i Shtetit, që është i pavarur dhe i depolitizuar. Këtë cilësi dalluese ky institucion e ka treguar qartësisht si në formë ashtu edhe në përmbajtje.

Ky ishte një nga konstatimet dhe vlerësimet që bëri edhe Profesor Ismet Elezi gjatë ligjëratës së tij para këtij institucioni. Një qeverisje e suksesshme do të arrihet vetëm atëhere kur të respektoj institucionet e pavarura dhe do të dëgjoj zërin e njerëzve të shquar të ligjit dhe drejtësisë. “ Drejtësia i nevoitet një populli më tepër mbase edhe se qytetërimi”, shkruante Koleta. Akademikja e Asociuar, Prof. Dr. Aurela Anastasi, duke vlerësuar kontributin dhe veprën unikale të profesor Ismet Elezit, në dobi të njohjes dhe zbatimit të ligjit, për të vendosur drejtësi, ajo shpalosi diapazonin e gjërë të veprës së tij në fushën e studimeve të historisë, të së drejtës penale, e në veçanti të së drejtës zakonore shqiptare. Në këtë fushë ka dhjetra punime në formën e monografive dhe artikujve shkencor të botuara në revista shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ndërto spikasin “ E drejta zakonore e Labërisë”, “ Kanuni i Labërisë”, “ Zhvillimi Historik i mendimit juridiko – penal”, “Historia e së drejtës penale”, e shumë vepra të tjera të së drejtës shqiptare. Në këtë konteks, Profesor Ismet Elezi është një “ institucion” më vete. Këtë kapital kulturor të patjetërsueshëm në fushën juridike të Profesor Ismet Elezit, për të njohur ligjet brenda natyrës shqiptare, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj, e bëri objekt të veçantë njohje për punonjësit e tij, në një seminar të specializuar. Qëndrimi ndaj përvojës në vitet e demokracisë ka shteruar. Ata, që injorojnë përvojën, shqelmojnë dijet shekullore të provuara në praktikë, që janë udhërrëfyese për tu orientuar drejt suksesit. Le të besojmë te thënja e Gëtes: “ Përvoja, është mësuesi i përjetshëm i jetës”.