Kryetari i Shoqatës Poloni-Shqipëri, përkthyesi Ing.Leonard Zissi viziton KLSH-në

23.05.2018

Në datën 23 maj 2018, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit priti në zyrën e tij  përkthyesin  e njohur të gjuhës polake dhe Kryetarin e Shoqatës Poloni-Shqipëri, Ing. Leonard Zissi. Në shoqatën e miqësisë Poloni-Shqipëri marrin pjesë shumë intelektualë shqiptarë të fushave të ndryshme, veçanërisht personalitete të artit dhe të shkencës që kanë kryer studimet në Poloni.

Kryetari i KLSH vlerësoi përkthyesin Zissi për durimin, punën dhe sjelljen në shqip të tri punimeve të Martin Czerminskit, misionarit jezuit polak, kushtuar Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës.

zizi

Pas librit të parë kushtuar Shqipërisë, Marcin Czerminski vjen edhe me dy libra të tjerë kushtuar Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Leonard Zissi, përkthyesi i tij, njëkohësisht nga njohësit më të pasionuar të gjuhës dhe kulturës polake në vendin tonë duhet vlerësuar se me iniciativën e tij arriti jo thjesht të mblidhte informacione për misionarin jezuit, por edhe të sillte të përkthyer tre librat, që ishin produkt i udhëtimit të para një shekulli të misionarit jezuit polak në Ballkan.

Zoti Zissi është dhe përkthyes i monografisë mbi jetën dhe veprën e kompozitorit dhe pianistit të shquar polak Frederik Shopen.

Një vend të veçantë në bisedë iu kushtua edhe gjeologut të njohur polak, Ing. Stanislav Zuber, i cili lindi në qytetin e Lvovit Poloni më 14 tetor 1893 dhe vdiq në Shqipëri, në burgun e Tiranës më 18 tetor 1947.

Për këtë figurë të njohur me kontribut të shquar në gjeologjinë shqiptare në vjeshtën e vitit 2018, KLSH, Fakulteti Gjeologji-Miniera dhe shoqata e miqësisë Poloni-Shqipëri do të organizojnë një Konferencë Shkencore.

Profesor Zuber ka lënë si trashëgim një seri veprash të spikatura jo vetëm përsa u përket vendburimeve të naftës, në Shqipëri por edhe të vendburimeve mineralmbajtëse të ngurta, perspektivën e zhvillimit të përgjithshëm të pasurive nëntokësore, kërkimet mbi ujin e pijshëm në krahinën e Lushnjës, Elbasanit, Tiranës, Koplikut, etj.