Kryetari i KLSH, zoti Bujar Leskaj zhvilloi një takim miqësor me z. Gëzim Tushi

15.04.2017

Në datë 15 prill 2017 Kryetari i KLSH-së zhvilloi në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, një takim miqësor me z. Gëzim Tushi, sociolog dhe politolog i njohur. Zoti Tushi ka një kontribut të çmuar krijues në këto fusha dhe është autor i 20 librave, që kanë në qendër qytetarin, shoqërinë civile, moralin dhe shtresat në nevojë. Këto libra ofrojnë një ballafaqim me problematikat sociale të vendit tonë dhe orientojnë shoqërinë, si në nivelin e qytetarit ashtu edhe të shtetarit, drejt atyre qasjeve që i adresojnë në thelb këto problematika.

Zoti Tushi për shkak të rëndësisë që marrin për zgjerimin e dimensioneve të lirisë dhe mirëqenies së njeriut, “individi” dhe “shoqëria“ i ka bërë objekt studimi dhe shfaqet para lexuesve me librin “Individi dhe shoqëria”. Ai e rimerr këtë temë për ta trajtuar me një këndvështrim të ri, në kushtet e kalimit, nga shoqëria e sistemit diktatorial, drejt shoqërisë së lirë dhe moderne. Ky libër, është sa sociologjik, aq edhe filozofik, sa psikologjik, aq dhe publicistik. Ai është shkruar në një gjuhë sa shkencore, aq edhe figurative, sa të gjallë, aq dhe ekspresive, me një sintaksë të veçantë, që shpesh shpërfill rregullat e saj të ngurta.

Kryetari i KLSH-së u vlerësoi kontributin e z. Tushi në zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe theksoi se ky kontribut është vlerësuar në shkurt të vitit 2017 edhe nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, duke i akorduar Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për kontributin e tij të çmuar si mendimtar, politolog e sociolog, me veprimtari të qenësishme në edukimin e shoqërisë shqiptare dhe emancipimin e saj”.