Kryetari i KLSH, z.Bujar Leskaj, pret në një takim ish-të përndjekurin politik, z.Xhevit Ormeni

09.08.2017

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj priti në një takim ish-të përndjekurin politik, z.Xhevit Ormeni, përfaqësues i Shoqatës së ish-të përndjekurve të Vlorës. Z.Ormeni vjen nga një familje e shquar e Velçës së Vlorës, me kontribute historike për kombin shqiptar. Ai është i biri i Hasan Hyso Ormenit, një nga protagonistët kryesorë të epopesë së Luftës së Vlorës, një figurë që ka një meritë të veçantë në çlirimin e Vlorës. Më 3 shtator 1920, ditën e çlirimit të nga pushtuesi italian, ai pati nderin e madh të parakalonte i pari përpara Komitetit Mbrojtja Kombëtare dhe popullit të Vlorës. Mbrojtja e vlerave kombëtare ishte kauza e familjes Ormeni që drejtoi luftën e tyre kundër terrorit të komunizmit. Atdhetari Hasan Hyso Ormeni u vra duke tentuar të kalonte kufirin bashkë me djemtë e tij dhe familja Ormeni është përndjekur në mënyrë sistematike nga regjimi komunist.

ormeni

Takimi mes z.Leskaj dhe z.Ormeni u fokusua në çështjet e të përndjekurve politikë, problematikave të kësaj shtrese dhe rolit të institucioneve shtetërore në mbështetje të tyre. Kreu i KLSH-së e vlerësoi veprimtarinë patriotike dhe historike të familjes Ormeni për çlirimin e Vlorës, një heroizëm që lartësoi kushtrimin e kombit shqiptar për liri dhe pavarësi. Z.Leskaj i shprehu z.Xhevit Ormeni konsideratat më të larta për kontributin që jep për mbrojtjen e të drejtave të ish-të përndjekurve. Z.Leskaj theksoi se qëndresa e tyre për liri dhe sakrificat që bënë  kundër shtypjes të komunizmit janë një krenari për çdo shqiptar dhe një frymëzim për brezat e rinj në Shqipëri.

z.Xhevit Ormeni e falënderoi Kryetarin e KLSH-së, z.Bujar Leskaj për pritjen dhe vëmendjen e vazhdueshme institucionale që i ka kushtuar shtresës së ish- të përndjekurve politikë. Z.Ormeni theksoi se auditimi i KLSH-së “Për rehabilitimin e ish-të përndjekurve politikë në periudhën e ish-tranzicionit” është adresimi më serioz që mund të jetë kryer nga një institucion shtetëror për problematikat e ish-të përndjekurve.

Z.Xhevit Ormeni ndau me z. Leskaj një çështje madhore që vazhdon të shqetësojë ish-të përndjekurit, atë që ai e quajti “grabitja  e anijeve Arbëria dhe Tirana të shtetit dhe letrave me vlerë të ish-të përndjekurve politikë”. Z.Ormeni u shpreh se përmes mashtrimeve dhe falsifikimeve, ish-të përndjekurve politikë u është vjedhur një shumë e madhe parash. Nga ana e tij, Kreu i KLSH-së i konfirmoi z.Ormeni mbështetjen institucionale të Kontrollit të Lartë për këtë çështje.